Liderët e Ballkanit, qofshin ata nga vendet anëtare të Bashkimit Europian apo nga ato vende që aspirojnë të bëhen pjesë e tij, e kanë akuzuar prej kohësh tashmë bllokun për standarde të dyfishta në marrëdhëniet e tyre me vendet në rajon.

Kryeministrja rumune Viorica Dancila u bë e fundit kur tha për Politico, në një intervistë të publikuar të hënën, se Rumanisë “nuk i lejohet të bëjë ato që mund të bëjnë vendet e tjera”.

Duke kritikuar përdorimin e një mekanizmi monitorues nga BE-ja për të inkurajuar përpjekjet për të çrrënjosur korrupsionin e rrënjosur në Rumani dhe Bullgari që kur ato iu bashkuan bllokut në vitin 2007, Dancila tha se ajo kishte “parë akte shumë të mëdha korrupsioni” në Holandë, Francë dhe Gjermani, por në atje “askush nuk kërkoi kurrë futjen e një mekanizmi të tillë”.

Kritikët e qeverisë rumune thonë se kjo është e pavlerë, duke pasur parasysh shkallën e korrupsionit në vend që arrin në nivelet më të larta të pushtetit, por Dancila nuk është e vetmja në Ballkan që akuzon BE-në për standarde të dyfishta.

Gjashtë vende të Ballkanit që përpiqen t’i bashkohen bllokut – Shqipëria, Bosnja, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia – shpesh ankohen se BE-ja ka rregulla të ndryshme të zgjerimit për vende të ndryshme.

Ekspertët e sqarojnë këtë për shkak të një mungese të vëmendjes nga BE-ja për rajonin, një politike shpërblimesh dhe ndëshkimesh që është në kundërshtim edhe me vetë politikën e brendshme të bllokut. Procesi i pranimit, thonë ata, është ndryshe për çdo vend, por një sërë hapash të gabuara nga ana e BE-së po ushqejnë perceptimin për standarde të dyfishta, thonë ata.

 

Kosova ende në radhë për një vizë

Shumica ti referohen sagës së pafundme të liberalizimit të vizave për Kosovën, i cili është i vetmi vend në rajon që ende pret heqjen e vizave për udhëtimet në BE-së pavarësisht se i ka plotësuar kushtet e vendosura nga Brukseli.

Vonesa shënon “një dështim të politikës së BE-së”, tha Tena Preleç, një studiuese në Universitetin e Saseksit dhe në London School of Economics. “U konsideruar si një nxitje pozitive, por përfundoi duke nxitur ndjenja anti-BE në Kosovë.”

Julia Himmrich, një studiuese në organizatën e huaj IDEAS në London School of Economics, tha se problemi nuk ishte vetëm çështja e standardeve të dyfishta, por edhe mungesa e mekanizmave të BE-së për të nxjerrë reforma nga qeveria e Kosovës.

“Në një periudhë afatshkurtër dhe afatmesme, BE-ja nuk do të ketë shumë për të ofruar përveç liberalizimit të vizave, prandaj liberalizimi i vizave është gjëja më e madhe që mund të ofrojnë për të vënë sa më shumë kushte që është e mundur, për t’u siguruar që ata të shohin sadopak progres,” tha Himmrich për BIRN.

Megjithatë, vonesat e pashpjegueshme, edhe pas miratimit të Parlamentit Europian në shtator 2018, kishin dëmtuar kredibilitetin e BE-së në Kosovë, paralajmëroi Himmrich.

“Është gjithashtu një shenjë se BE-ja nuk ka vërtet një plan të qartë se ku të shkojë më tej përsa i takon një zgjidhjeje midis Serbisë dhe Kosovës,” tha ajo, duke iu referuar negociatave në vazhdimësi të ndërmjetësuara nga BE-ja për të zgjidhur marrëdhëniet midis Serbisë dhe ish-provincës së saj jugore.

“Zgjerimi nuk është aq i drejtpërdrejtë sa do të donim ne të ishte,” tha Himmrich. “Është më shumë rezultat i situatës aktuale gjeopolitike në Europë dhe kjo po ndryshon çdo pesë vjet gjatë 20 viteve të fundit.”

Dimitar Bechev, një anëtar në Këshillin Atlantik, tha se BE-ja ishte thjesht shumë e zënë me çështjet më urgjente të brendshme – një krizë e eurozonës që ende nuk është qetësuar, reformat në bllokun e monedhës së përbashkët, largimin e Britanisë dhe mosmarrëveshjet e tregtisë transatlantike.

“Unë nuk mendoj se Komisioni Europian favorizon një shtet të Ballkanit apo një tjetër,” tha ai. “Ai thjesht bën punën e tij në mënyrën më të mirë që mundet duke marrë parasysh kufizimet nën të cilat ai operon.”

“Në realitet, ka një kompromis”

Edhe presidenti i Maqedonisë gjithashtu është ankuar për trajtim “të padrejtë” lidhur me mënyrën sesi BE-ja e ka trajtuar çështjen e mosmarrëveshjes së emrit me Greqinë anëtare të BE-së dhe NATO-s.

Këto dy vende arritën një marrëveshje në vitin 2018, duke i dhënë fund pothuajse tre dekadave mosmarrëveshje, duke ndryshuar emrin e Maqedonisë në Maqedonia e Veriut dhe duke hapur rrugën për pranimin e vendit në NATO dhe mundësisht edhe në BE.

Presidenti Gjorge Ivanov, i cili e kundërshtoi marrëveshjen, tha se vendet e tjera me probleme bilaterale të pazgjidhura ishin lejuar t’i bashkoheshin BE-së, duke cituar ish-republikën jugosllave të Sllovenisë dhe Kroacinë të cilat kanë ende mosmarrëveshje përsa i takon kufirit të tyre detar.

“Këto dy vende u lejuan t’i bashkoheshin BE-së,” tha ai në tetor. “Maqedonia nuk u lejua as të fillonte bisedimet e hyrjes. BE-ja deri më tani e ka trajtuar Maqedoninë në mënyrë të padrejtë.”

Por ndërkohë që Maqedonia po fiton bujë dhe do të presë një shtysë për ambiciet e saj për t’u anëtarësuar në BE, Shqipëria fqinje po vuan nga dështimi për të bërë progres në frenimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Megjithatë, Maqedonia nuk duket se po shkon më mirë në këtë drejtim.

Bechev tha se pazaret ishin të pashmangshme pasi Europa ndoqi prioritetet e saj. Partia kryesore shqiptare në koalicionin qeverisës të Maqedonisë “është po aq e prekur nga korrupsioni” sa ishte edhe ish-qeveria e VMRO-DPMNE në të cilën ajo ishte pjesë, tha ai, por votat e saj ishin të nevojshme për të formuar një qeveri të re që u angazhua për zgjidhjen e mosmarrëveshjes së emrit me Greqinë.

“Në një botë ideale, mund të keni edhe një fushatë anti-korrupsion edhe zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Greqinë,” tha ai. “Në realitet, ka një kompromis.”

Bodo Weber, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin e Politikave për Demokratizim me bazë në Berlin, tha se Shkupi dhe Tirana u trajtuan njësoj padrejtësisht kur krerët e shteteve të BE-së vonuan hapjen e bisedimeve të pranimit në një takim në qershor 2018 falë asaj që ai e quajti “injorancë e rrezikshme” e presidentit francez Emmanuel Macron ndaj Ballkanit.

“Për fat të keq, po ashtu edhe e pashmangshme”, tha ai për BIRN, shtysa për të zgjidhur mosmarrëveshjen e emrit të Maqedonisë “ishte diçka e pistë që shkaktoi dëm kolateral ndaj përpjekjeve për forcimin e sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe drejtësisë tranzicionale.”

Weber tha se Maqedonia mund të përfitojë nga një nxitje pas-marrëveshje për shpresat e anëtarësimit në BE, por që çdo përshpejtim do të jetë afatshkurtër pa progres në fusha të tjera.

Tirana, nga ana tjetër, është bërë pas që nga vendimi i BE-së në qershor 2018, paralajmëroi ai.

“Shqipëria është trajtuar në mënyrë të padrejtë në mënyrë të veçantë vitin e kaluar,” tha Weber për BIRN dhe e përshkroi vendimin e qeverisë për të hequr dy “ministra pro-europianë” dhe “retorikën e saj të Shqipërisë së Madhe” si “tepër tragjik”.

Një sy qorr ndaj sundimit të një njeriu të Malit të Zi

Pastaj është edhe Mali i Zi, i cili prej kohësh konsiderohet si një kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian pavarësisht faktit se ai është udhëhequr nga e njëjta parti dhe i njëjti njeri për gati tre dekada – Partia Demokratike e Socialistëve dhe presidenti Milo Djukanoviç.

Disa analistë e lidhin këtë me politikën e BE-së për vendosjen e stabilitetit përpara demokracisë në Ballkan.

Pavarësisht akuzave se ai e drejton vendin si një çiflig personal, Djukanoviç e ka mbajtur BE-në anë duke u sjellë si faktor stabiliteti, duke izoluar Serbinë gjatë luftës ajrore të NATO-s mbi Kosovën në vitin 1999, duke njohur ish-krahinën serbe si të pavarur.

Duke akuzuar Rusinë me pretekstin për sponsorizimin e një grushti të dështuar shteti në vitin 2016, Mali i Zi u bashkua me NATO-n në vitin 2017.

“Sigurisht që fakti që lidershipi i tij nuk ka ndryshuar për rreth 30 vjet është mjaft e habitshme,” tha Himmrich. “Ekziston një aspekt gjeopolitik që ishte shumë i rëndësishëm kur erdhi puna te anëtarësimi në NATO; është interesante të shohim se sa larg do ta çojë atë kjo në kontekstin e BE-së.”

“Në Malin e Zi ka një paradoks dhe është ky është një paradoks që duhet të trajtohet në vitet e ardhshme ose ndryshe do të jetë një situatë krejt e pakëndshme për BE-në.”

Weber tha se rasti i Malit të Zi tregoi kufijtë e mekanizmave të BE-së në lidhje me progresin drejt pranimit, “nëse nuk ka vullnet politik për ta përdorur atë”.

Por Bechev tha se BE-ja kishte shumë pak hapësirë për manovër. “Nuk mund ta sanksionosh Djukanoviçin për sa kohë që ai votohet ligjërisht i kreu i qeverisë ose, siç është tani, si president,” tha ai.

Bullgaria i shpëton kritikave

Brenda BE-së, Rumania, Bullgaria dhe Kroacia ende përballen me lloje të ndryshme presionesh pavarësisht se ndajnë probleme të njëjta, siç është korrupsioni.

Rumania dhe Bullgaria u bashkuan në vitin 2007 dhe Kroacia gjashtë vjet më vonë në vitin 2013. Por ndërsa Bukureshtit dhe Sofjes iu lidhën duart me mekanizmin për monitorimin e korrupsionit, Kroacia e bindi bllokun për vendosmërinë e saj për të çrrënjosur korrupsionin nëpërmjet reformave dhe arrestimin dhe burgosjen e ish-kryeministrit Ivo Sanader.

“Por pa një Mekanizëm Bashkëpunimi dhe Verifikimi, Kroacia nuk ka asnjë mekanizëm në funksion për të mbikëqyrur punën e saj në fushën e sundimit të ligjit,” paralajmëroi Bechev. “Tërheqja është e lehtë dhe jo shumë e kushtueshme.”

“Ndërkohë,” tha ai, “nacionalizmi është bërë një shqetësim më i madh, veçanërisht për fqinjët.”

Himmrich u shpreh se Kroacia e kishte pasur rrugën më të lehtë drejt anëtarësimit në BE sesa Rumania dhe Bullgaria dhe kjo falë konteksteve të ndryshme historike dhe rajonale. Rumania dhe Bullgaria u bashkuan jo shumë kohë pas zgjerimit të madh të vitit 2004 kur u pranuan dhjetë shtete të reja, dhe pati shumë shqetësimi se kjo ndodhi shumë shpejt.

“Unë mendoj se presioni ndaj Rumanisë dhe Bullgarisë erdhi në atë kontekst,” tha Himmrich. “Kroacia erdhi në gjashtë vjet më vonë. Ishte një tjetër kohë, kur kishte një shpresë që më shumë vende të Ballkanit Perëndimor mund t’i bashkoheshin grupit.” BE-ja gjithashtu pa potencialin domino për reforma në vende të tjera në rajon nëse Kroacia do të anëtarësohej.

Edhe mes tyre, Rumania dhe Bullgaria janë përballur me trajtime shumë të ndryshme, me Bukureshtin që kritikohet më ashpër sesa Bullgaria për rekordet e tij në lidhje me korrupsionin, pavarësisht faktit se Sofja nuk ka bërë ndonjë progres më të dukshëm sesa Bukureshti.

Një rishikim gjithëpërfshirës i sistemit të drejtësisë, kritikuar gjerësisht si një përpjekje për të mbajtur liderin e partisë në pushtet Liviu Dragnea dhe dhjetëra aleatë të tjerë larg burgut, protesta masive kundër korrupsionit dhe roli aktual i Rumanisë si presidente e Këshillit të BE-së kanë ndihmuar secila për ta mbajtur Bukureshtin “prej flokësh”.

Në Bullgari protestat arritën kulmin në vitin 2013 dhe që nga ajo kohë janë bërë më sporadike, ndërsa shpresa po i jepet një blloku anti-korrupsion të quajtur Bullgaria Demokratike, e cila përballet me provën e parë elektorale në zgjedhjet europiane në maj.

“Bullgaria ka probleme serioze edhe me sundimin e ligjit, ndoshta më serioze sesa Rumania,” tha Bechev. “Megjithatë, kryeministri Boyko Borisov ka qenë më i aftë në ndërtimin e lidhjeve me shtetet e tjera anëtare të BE-së, si edhe me shefin e Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker. Si rezultat, Komisioni Europian ka ndërmarrë një qasje më të butë.

EU-ja duhet të jetë më e sinqertë

Preleç tha se trajtimi i ndryshëm ishte “shumë shqetësues”.

“Ne kemi situatën paradoksale në të cilën shoqëria civile në Bullgari është heshtur plotësisht në lidhje me këtë çështje, ndërsa opinioni publik në Rumani po proteston në mënyrë aktive kundër korrupsionit dhe vendi i parë lavdërohet ndërsa i dyti kritikohet ashpër,” tha ajo për BIRN.

“Është një paradoks i njohur i korrupsionit. Sa më shumë ta luftoni, aq më shumë do të rritet perceptimi i tij në një periudhë afatshkurtër. Është e çuditshme që BE-ja nuk e ka kuptuar këtë.”

Qoftë kur ka të bëjë me anëtarët e vet ose ata që dëshirojnë t’i bashkohen asaj, kur vjen fjala për Ballkanin, BE-ja e ka zakon të fokusohet në historitë e suksesit dhe jo te dështimet, duke u kujdesur më shumë për mënyrën si mund të duket një politikë sesa në efikasitetin e saj dhe vendosjen e stabiliteti përpara reformës, tha Preleç.

“Guximi për “t’i quajtur gjërat me emrin e tyre” kur procedurat demokratike shkelen, edhe kur kjo do të thotë të pranojë pjesërisht dështimin e politikave të BE-së, në mënyrë paradoksale do t’i jepte më shumë besueshmëri BE-së mes popujve të vendeve të Ballkanit,” tha ajo.

“Aktualisht, BE-ja shihet si mbështetëse e fortë, ndërsa nuk mban premtimet e saj. Kjo mund të ndryshojë, nëse ata punojnë në këta tri fronte: 1) të jenë të sinqertë (t’i quajnë gjërat me emrin e tyre); 2) të vendosin standarde të qarta; 3) të japin shpërblime dhe dënime.”

12