Gazeta izraelite publikon planin sekret të ‘Marrëveshjes së Shekullit’ të Trumpit për paqen izraelito-palestineze

Një gazetë izraelite botoi të martën një dokument ku detajoheshin elementet e planit të paqes të SHBA-së i njohur si “Marrëveshja e Shekullit”.

Asnjë autoritet amerikan, izraelit apo palestinez nuk ka konfirmuar dokumentin e zbuluar nga izraelitja Hayom, e cila është i afërt me kryeministrin Benjamin Netanjahu. Dokumenti i zbuluar dyshohet se ka qarkulluar në mesin e zyrtarëve të Ministridë të Jashtme të Izraelit, tha gazeta.

SHBA ka ndërmend që ta publikojë planin e saj muajin e ardhshëm.

Sipas të përditshmes izraelite, plani përbëhet nga pikat kryesore në vijim:

1. Marrëveshja

Një marrëveshje trepalëshe do të nënshkruhet midis Izraelit, Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) dhe Hamasit. Një shtet palestinez i quajtur “New Palestina” do të krijohet në Judea, Samaria (në Bregun Perëndimor) dhe në Gaza, me përjashtim të vendbanimeve izraelite në Bregun Perëndimor.

2. Evakuimi i tokës

Blloqet e vendbanimeve në Bregun Perëndimor do të mbeten nën kontrollin izraelit dhe do të shtrihen për të arritur vendbanimet e tjera të izoluara.

3. Jeruzalemi

Jeruzalemi nuk do të ndahet midis Izraelit dhe Palestinës së Re dhe do të jetë kryeqyteti i Izraelit dhe Palestinës së Re. Popullsia arabe në Jeruzalem do të jetë shtetase e Palestinës së Re.

Bashkia izraelite e Jeruzalemit do të jetë përgjegjëse për të gjitha zonat e qytetit përveç arsimit, që do të trajtohet nga qeveria e re palestineze. Autoriteti i ri palestinez do ti paguajë taksat dhe shpenzimet e ujit në bashkinë e Jeruzalemit.

Hebrenjtë nuk do të lejohen të blejnë shtëpi arabe dhe arabët nuk do të lejohen të blejnë shtëpi hebreje. Asnjë hapësirë shtesë nuk do t’i aneksohet Jeruzalemit dhe statusi aktual i vendeve të shenjta do të vazhdojë.

4. Gaza

Egjipti do të japë me qera toka për Palestinën për ndërtimin e një aeroporti dhe disa fabrikave që do të shërbejnë në sektorët komercialë dhe bujqësorë por pa i lejuar palestinezët të banojnë në këtë vend. Kufijtë e këtyre tokave dhe çmimi i qirasë do të përcaktohen nga dy palë nëpërmjet ndërmjetësimit të vendeve mbështetëse.

5. Shtetet mbështetëse

Palët që do të mbështesin financiarisht zbatimin e kësaj marrëveshjeje janë Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe shtetet naftë prodhuese të Gjirit.

Vendet mbështetëse do të sigurojnë një buxhet prej 30 miliardë dollarësh për pesë vjet për projektet kombëtare të Palestinës së re.

Buxheti do të përfshijë gjithashtu koston e lidhjes së vendbanimeve hebreje me vendbanimet e mëdha në Izrael.

Për projekte të tilla Shtetet e Bashkuara do të paguajnë 20% të kostos, BE 10%, ndërsa shtetet naftë prodhuese të Gjirit do të financojnë 70%, të cilat do të përcaktohen sipas të ardhurave të naftës.

Pjesa më e madhe e barrës së mbështetjes financiare do të bjerë mbi vendet që prodhojnë naftë, sepse ata do të jenë përfituesit kryesorë të kësaj marrëveshjeje.

6. Ushtria

Palestina e re nuk do të lejohet që të krijojë ushtri. Armët e vetme që do të lejohen do të jenë armët e lehta për policinë.

Një traktat mbrojtës do të nënshkruhet mes Izraelit dhe Palestinës së Re, sipas të cilit Izraeli do të paguhet për ta mbrojtur atë nga agresionet e huaja.

Kostoja e kësaj pagese duhet të përcaktohet në negociata ndërmjet palëve të cilat do të ndërmjetësohen nga shtetet mbështetëse.

7. Afatet kohore dhe fazat e zbatimit

Kur të nënshkruhet marrëveshja:

. Hamasi do ti depozitojë të gjitha armët e tij, duke përfshirë edhe armët personale, tek autoritetet egjiptiane.

. Anëtarët e Hamasit, duke përfshirë udhëheqësit, do të vazhdojnë të marrin paga nga vendet mbështetëse derisa të formohet qeveria.

. Kufiri i Rripit të Gazës, duke përfshirë kufirin detar, do të jetë i hapur për lëvizjen e mallrave dhe punëtorëve për në Izrael dhe Egjipt.

. Brenda një viti, do të mbahen zgjedhje demokratike dhe do të zgjidhet një qeveri për Palestinën e Re dhe çdo qytetar palestinez do të jetë në gjendje të kandidojë për zgjedhje.

. Një vit pas zgjedhjeve dhe themelimit të qeverisë, palestinezët që mbahen në burgjet izraelite do të lihen gradualisht të lirë përgjatë tre viteve.

. Brenda pesë viteve, në Palestinën e Re do të ngrihet një port dhe aeroport, dhe deri atëherë palestinezët do të përdorin aeroportet dhe portet detare të Izraelit.

. Kufiri midis Palestinës së Re dhe Izraelit do të jetë i hapur për lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave, siç është rasti me vendet mike.

. Një autostradë që lidh Bregun Perëndimor dhe Rripin e Gazës do të ndërtohet. Kina do të paguajë 50% të kostos së saj, ndërsa Koreja e Jugut, Australia, Kanadaja, SHBA dhe BE do të paguajnë 10%.

9. Lugina e Jordanit

. Lugina e Jordanit do të mbetet nën kontrollin izraelit.

. Rruga 90 do të bëhet një rrugë me katër korsi.

. Izraeli do të lëshojë një tender për zgjerimin e rrugës.

. Palestinës së Re do ti jepen dy rrugë të reja për në Jordani me vendkalime nën kontrollin e saj.

10. Përgjegjësitë

. Nëse Hamasi dhe PLO refuzojnë të nënshkruajnë “Marrëveshjen e shekullit”, SHBA do të anullojë të gjithë mbështetjen financiare për palestinezët dhe do të mundësojë që asnjë vend të mos transferojë fonde për ta.

. Nëse PLO nënshkruan marrëveshjen dhe Hamasi apo Xhihadi Islamik refuzojnë, udhëheqësit e këtyre dy lëvizjeve do të konsiderohen përgjegjës. Në një luftë të re midis Izraelit dhe Rripit të Gazës, SHBA do të mbështesë Izraelin në luftimin e këtyre udhëheqësve.

. Nëse Izraeli refuzon të nënshkruajë marrëveshjen, SHBA do të ndalë të gjithë mbështetjen financiare./dailysabah/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne