Gazetari-Veliajt: “Nuk po tregoheni ‘tirons i zgjut’. Po i jepni privatit 205 mln euro”. Kryebashkiaku: “Pushteti na ka bërë më kreativ”

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është vënë në siklet gjatë intervistës të dhënë mëngjesin e sotëm në ‘News 24’, ku gazetari Bashkim Hoxha i drejtoi disa pyetje me të cilat ai nuk është mësuar në studiot e miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Ndryshe nga intervistat e tjera ku Veliaj flet 15-20 minuta për biçikletat në Tiranë, Hoxha i drejtoi pyetje të drejtpërdrejta për çështjen e Teatrit Kombëtar dhe për përfitimet e jashtëzakonshme të privatit në këtë histori.

Ai i kujtoi kryebashkiakut se nuk po sillet si ‘tirons i zgjuar’ në një kohë kur privati do të përfitojë 205 milionë euro me ndërtimet në tokën e bashkisë dhe Teatrit Kombëtar, ndërkohë që po të ndërtonte vetëm në tokën e tij, fitimi nuk do të ishte më shumë se 11 milionë euro.

Erion Veliaj: Kjo ishte një mundësi për t’u sjell pak si tirons i zgjut. Çfarë bën një tirons i zgjut? Një tirons i zgjut kur i vjen një zhvillues, thotë, ti me sa përqind ma jep, po ti me sa përqind ma jep? Ne kemi një mundësi për të thënë se përqindjen tonë si bashki Tiranë, ne nuk e duam në zyrë ose në kate, por e duam në formën e këtij teatrit që bën 30 milionë euro. Këtu ka disa pyetje…

Bashkim Hoxha: Po, ja pyetja e parë që do t’ju bëj unë. Ju thatë që po silleni si tiranas i zgjuar, që kërkon përqindjet nga ndërtuesi për të zhvilluar pronën e tij, por a është në këtë rast përqindja që përfiton privat e njëjtë me atë që përfitojnë zakonisht (privatët)? Sepse ekspertët kanë bërë disa studime, nëse ndërtuesi do të ndërtonte vetëm në tokën e privatit përfitimi do të ishte 11 milionë euro, por përfitimi nëse bëhen këto kulla (edhe në tokën e bashkisë) është 205 milionë euro, më duket se tiranasi nuk është shumë i zgjuar në këtë rast sepse përfiton shumë pak.

Kryebashkiaku Veliaj nuk dha një përgjigje konkrete, por kapërceu në çështje të tjera, si ndërtimi i bulevardit të ri apo rikonstruksioni i sheshit ‘Skënderbej’.

Bashkim Hoxha i citoi gjithashtu Veliajt programin e vitit 2013-të të Partisë Socialiste ku kërkohej rikonstruksioni i teatrit dhe jo ndërtimi i godinës së re, por përgjigja që mori nga Veliaj ishte se pushteti i ka bërë më kreativ dhe të informuar.

Hoxha: Ju i bëni të gjitha hesapet me një teatër të ri, por në programin zgjedhor të 2013-ës të Partisë Socialiste thuhet se, kërkohet rikonstruksioni i plotë i Teatrit Kombëtar. Ky program është ende në faqen zyrtare të PS-së. Përse nuk i bëjmë hesapet për rikonstruksionin, por i bëjmë për ndërtimin e teatrit të ri?

Veliaj: Pyetja që kemi është se, çfarë ambiciesh kemi. Kemi ambicie t’i vëmë një mballomë? Sigurisht, në 2013-ën këtë ambicie kishim sepse shteti ishte falimentuar. Nuk kishim këtë kreativitet, nuk kishim marrë detyrën, nuk dinim që kishte bashkia toka mbrapa që mund t’i vërë në përdorim.

Gazetari ngriti dyshime edhe për degjesat publike që zhvillon bashkia, ku shpesh herë i bëhen elozhe kryetarit nga njerëz që nuk kanë lidhje me çështjen.

Veliaj: Eksperienca më ka treguar se duke i dëgjuar të gjithë, edhe njerëzit kuptojnë. Aksionerë nuk janë vetëm artistët. Aktorët janë vetëm një grup që paguhet nga taksat për punën në teatër. Ndërkohë që është edhe një grup tjetër, ata që shkojnë në teatër. Duhen dëgjuar ata (aktorët) që kanë qenë, ata që janë dhe ata që do të vijnë…

Hoxha: Shpesh herë këto dëgjesa publike bëhen formale. Shpesh herë ato bëhen sa për të thënë që u dëgjuan të gjitha palët. Del aty pastaj ndonjë që nuk ka hyrë kurrë në teatër, që nuk ka asnjë lidhje me teatrin dhe nuk ka asnjë ndjeshmëri për teatrin dhe ju bën juve elozhe dhe ju thotë se duhet shembur kjo godinë, duhet bërë e re… Mendimi i këtij njeriu është barazvlefshëm me atë që i dhmbiset ky teatër. Tani një gjë dua të di, në përfundim të këtyre bisedimeve, a ka shanse që të tërhiqeni nga projekti apo këto do të bëhen formalisht, do të thuhet që u dëgjuan dhe do të vazhdohet përpara?

Veliaj: Së pari, po më pyet për një çështje që tashmë e kam provuar që di ta bëj dhe e bëj me rigorozitet. Mjafton t’ju kujtoj dëgjesat për planin urbanistik të Tiranës, për sheshin ‘Skënderbej’ për të treguar realisht që ne kemi reflektuar mbi propozime që na janë dhënë në këto dëgjesa… Pra, patjetër që jemi të hapur për të dëgjuar dhe patjetër për të reflektuar idetë e dobishme.

Hoxha: Por diskutimi fillon në qëndrime tepër distante, ku një palë thotë të prishet dhe një palë thotë të mos prishet. Diskutimi fillon shumë mbrapsht…

Veliaj: Ndaj duhet me fol. Unë besoj se secili rri në ekstrem…

Veliaj u pyet për mundësinë për t’u tërhequr nga ideja e shembjes së godinës së teatrit kombëtar, por përgjigjja që dha kryebashkiaku nuk ishte e qartë dhe e drejtpërdrejtë.

Hoxha: Nëse aktorët dhe ata të interesuarit që të bëhet rikonstruksioni ju bindin, ka shanse për t’u tërhequr nga ky projekt?

Veliaj: Ne do t’i dëgjojmë. Ka disa skenarë. Asnjëherë nuk besoj se është inteligjente… prej detyrës që kam më takon të bëjë gjithnjë negociata. Rregulli numër një, nuk i zbulon të gjitha kartat. Në momentin që ne e themi këtë, kush është investitori i interesuar thotë, ik se nuk ja vlen të harxhojë 30 milionë euro për një gjë që nuk ja vlen fare.

Hoxha: Por fiton 200 (milionë) të tjera…

Veliaj: Por nuk është kështu, se i kemi bërë llogaritë për taksat, sa hapësirë mund të zërë, nuk është në këto nivele.

Hoxha: Ne nuk jemi në një situatë të jashtëzakonshme që të dalin ligje të jashtëzakonshme, ligje të veçanta. Përse kapërcehen ligjet ekzistuese? Çfarë ngërçesh ligjore mbulon ky ligj i ri që propozohet?

Veliaj: E thotë ligji për asetet publike, që vënia në përdorim i aseteve publike në sipërmarrje të tilla, kërkon ligj të posaçëm. Thjesht po respektojmë ligjin.

Hoxha: Ky ligj të krijon përshtypjen që është një kontratë e mbyllur tashmë dhe diskutimet shkojnë kot.

Veliaj: Nuk është kështu. Rast i ngjashëm është rasti i aeroportit. Është rasti i disatë.

Hoxha: Nuk është se është ndarë mendja që duhet patjerër të bëhen kullat…

Veliaj: Jo. Aspak. Ne kemi ndarë mendjen vetëm për faktin që duam teatër, e duam pa kullë sipër dhe mundësisht me lekët e të tjerëve. Nëse e arrijmë që këtë nga negociojmë në mënyrën më të mirë të mundshme, do t’ja bëjmë publike qytetarëve.

Çështja është që sa jemi gjallë do të lëmë një shenjë që bëmë diçka?

Hoxha: Do lëmë një shenjë, por do ruajmë edhe disa shenja, apo jo?

Veliaj: Absolutisht. Çështja është që të mos bëhemi më katolik se Papa. Nëse Italianët nuk i dhanë këtë vlerë…

Hoxha: Këtu kemi një praktikë që ju kundërshtoj. Ndërtesa të ngjashme në Asmara të Etiopisë janë ndërtuar në të njëjtin vit, me të njëjtin stil, me të njëjtat materiale dhe janë shpallur trashëgimi botërore kulturore nga UNESCO.

Veliaj: Në rastin e Asmarës, Adis Ababës dhe Tripolit janë raste që i njoh shumë mirë. Janë ndërtesa të ngjashme me kompleksin e ministrive, korpusin universitar…

Hoxha: Por jo me teatrin thoni ju…

Veliaj: Jo me teatrin.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne