Gazi Asker: Irani dhe Arabia Saudite mund t’i zgjidhin problemet mes tyre me negociata

Përfaqësuesi i liderit fetar të Iranit, Ali Hamenei dhe njëherësh përgjegjësi për haxhilerët iranianë, Ali Gazi Asker, deklaroi të dielën se problemet ndërmjet vendit të tij dhe Arabisë Saudite mund t’i zgjidhin përmes negociatave.

Gazi Askeri tha se Irani dhe Arabia Saudite janë dy shtete të mëdha të rajonit dhe kanë aftësitë e nevojshme për t’i zgjidhur problemet mes tyre me anë të bisedimeve.

Në një konferencë shtypi nga Meka, zyrtari iranian bëri me dije se ka realizuar bisedime konstruktive dhe të dobishme me autoritetet saudite, me të cilët është takuar në kuadër të haxhillëkut.

Duke tërhequr vëmendjen se autoritetet e të dyja vendeve detyrohen të takohen rregullisht për organizimin e haxhillëkut, Gazi Askeri theksoi se ata mund të zhvillojnë takime edhe për zgjidhjen e problemeve politike.

“Armiqësia dhe mëria do të pengojnë Iranin dhe Arabinë Saudite që të arrijnë objektivat rajonale. Në një proces të tillë, kur Lindja e Mesme është nën ndikimin e trazirave të organizatës terroriste, DAESH, duhet që të themelohet një union rajonal me vendet fqinje dhe të ndiqen objektiva më të mëdha”, argumentoi përfaqësuesi i liderit fetar iranian.

Më tej, Ali Gazi Askeri nënvizoi se autoritetet saudite janë duke i përmirësuar çdo vit e më shumë kushtet për vizitorët që shkojnë në Tokat e Shenjta për të kryer haxhillëkun.

“Pajisja me viza e haxhilerëve iranianë, zgjidhja e problemeve të transportit, lehtësimi i vajtje-ardhjeve dhe i shumë çështjeve të tjera janë vetëm disa nga shembujt konkretë të përmirësimit të kushteve nga autoritetet saudite”, përfundoi ai./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne