‘Gener 2’ nis ndërtimin e 5 kullave te Liqeni Artificial, Gjykata dhe Bashkia japin ”ok”-in

Gener 2, që është një nga kompanitë që ka marrë më shumë tendera nga ana e qeverisë Rama, së fundi ka nisur punën për ndërtimin e 5 kullave pranë liqenit Artificial të Tiranës.

Edhe pse u denoncua si një aferë e pastër korruptive dhe dëmtim i kurorës së gjelbërt të Tiranës, duket se Bashkia e Tiranës ka dhënë ok-in për vijimin e punimeve, mbështetur dhe nga një vendim i mëvonshëm nga ana e Gjykatës.

Gazetarja e Fax News Eksiola Shehu raporton se te liqeni tashmë puna vijon intesivisht, dhe se kompania ka bërë dhe njoftimin zyrtar për këto godina.

‘’Lakeview Residences, të projektuara për t’u shndërruar në ndërtesat më luksoze dhe elegante të banimit në Shqipëri, ofrojnë 600 njësi banimi të dizajnuara në mënyrë bashkëkohore, 950 hapësira të bollshme parkimi dhe struktura të integruara shërbimi dhe argëtimi, të gjitha të shtrira në një sipërfaqe prej 129,000 m2″, shkruan kompania në rrjetet sociale.

Për këtë ndërtim ka komentuar në studion e Fax News dhe zëdhënësja e Partisë Demokratike Ina Zhupa e cila shton se ka një mungesë të madhe transparence për vendimet nga ana e Bashkisë së Tiranës me të gjitha projektet e kullave.

“Është gati e pamundur që ti të aksesosh informacion kur është fjala për qeverisjen e Tiranës, pasi ne nuk mund të aksesojmë planin urbanistik të kryqytetit, ku bëhej fjalë dhe për një ndërtim në zonën e Liqenit në Tiranë. Ne e kemi të pamundur që të dimë sesi janë kryer procedurat.

Projekti ka kaluar dhe në këshillin bashkiak dhe në Gjykatë, që i është dhënë ok i vazhdimit të projektit. Edhe këshilltarët e djathtë kanë deklaruar se në mbledhjen e Këshillit nuk u është dhënë i detajuar projekti”, u shpreh Ina Zhupa.

Zhupa komentoi më tej dhe prishjen e pedonales në afërsi të Teatrit Kombëtar teksa tha se Veliaj po shpërdoron fondet e dhëna nga vendet e BE-së.Prishja e pedonales në rrugën Murat Toptani sipas Zhupës po bëhet me qëllimin e vetëm për t’I hapur rrugë betonizimit të Teatrit Kombëtar.

“Është fjala për një projekt me fondet e BE-së, rreth 2 milionë euro, është inaguruar nga zoti Basha kur ka qenë në drejtimin e Tiranës. Është një pjesë që cilësohet edhe në webin e Bashkisë për rëndësinë e veçantë që ka. Kjo pedonale në pozicionin e vetë ndodhet në anën e Teatrit Kombëtar, kjo është dhe arsyeja nga Bashkia për t’i hapur rrugë betoniereve që do të ndërtojnë Kullat e kompanisë Fusha. Ju do thoni se pse kalojnë nga kjo rrugë dhe jo nga ana tjetër?

Është shumë e thjeshtë, unë e kam thënë dhe më herët që në anën tjetër do të ndërtohet një tjetër kullë. Nuk ka shumë detaje lidhur me tenderin, thuhet që janë vënë në dispozicion 4 milionë lekë të reja për rikonstruksionin e rrugës Murat Toptani, dhe është hequr dhe emërtimi i saj si pedonale. Nëse presioni do të jetë i madh, shpresoj shumë që Bashkia të heqë dorë nga shpërdorimi kaq i madh që i bëhet fondeve që jepen nga BE-ja”, u shpreh më tej Zhupa./ Fax Web/

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne