John Follain

Falcone e dinte që mafia do ta vriste, shkruan një gazetar britanik që e intervistoi në vitin 1991

Falcone kishte një dozë të fortë fatalizmi të tërin siçilian. Një ditë, ai do të thoshte: “Kultura e vdekjes… E gjithë Siçilia është e mbarsur me të. Tek ne, dita e të vdekurve është festë e madhe: ofrojmë ëmbëlsira që quhen koka e të vdekurit, të bëra me sheqer të ngurtë si guri. Vetmia, pesimizmi, vdekja janë temat e letërsisë sonë… Sikur të jemi një popull që ka jetuar shumë dhe si pasojë ndihet i lodhur, i boshatisur, si Don Fabrizio di Tomasi i Lampeduzës”

Giovanni Falcone i njihte mirë rreziqet që i kanoseshin. “Llogaria që ke hapur me Cosa Nostran nuk do të mbyllet”, e kishte paralajmëruar i superpenduari Tommaco Buscetta. I vetëdijshëm për ato fjalë, Falcone do të shkruante në kujtimet e tij: “Eshtë e vërtetë, ende nuk më kanë hequr qafe. Por llogaria ime me Cosa Nostran mbetet e hapur. Do ta shlyej me vdekjen time, natyrore apo jo”.

Gazetarëve që e pyesnin se si e përballonte frikën, magjistrati palermitan i përgjigjej me sinqeritet: “Mendimi për vdekjen më shoqëron kudo. Por, siç thotë Montaigne, shndërrohet shumë shpejt në një natyrë të dytë. Sigurisht, është mbi ata që jetojnë, bëhen llogari, vëzhgime, duhet të organizohesh, shmangen zakonet e përsëritur, qëndrohet larg nga situatat që mund të mos mbahen nën kontroll. Por fitohet edhe një dozë e mirë fatalizmi. Në fund të fundit mund të vdesësh për arsye të ndryshme, një aksident rrugor, një avion që shpërthen në ajër, një mbidozë, kanceri, apo edhe për asnjë arsye të veçantë”.

Megjithatë, në biseda private, Falcone kishte shumë pak dyshime mbi mënyrën se si do të përfundonte jeta e tij dhe i kish rrëfyer një kolegu në gjykatën e Palermos: “Do të vdes nga dora e mafias. Mafia do të më vrasë”. Dhe magjistratit Francesco Lo Voi i thoshte: “Dëgjo, vendimi tashmë është marrë, kanë bërë gati kontratën për të më vrarë”. Sipas bashkëbiseduesit të tij, Falcone nuk e dinte se kur apo si do ta vrisnin, por ishte i vetëdijshëm që, duke u pozicionuar kaq hapur kundër mafias, do të ishte i pashmangshëm shënjestrimi i tij.

Falcone kishte një dozë të fortë fatalizmi të tërin siçilian. Një ditë, ai do të thoshte: “Kultura e vdekjes… E gjithë Siçilia është e mbarsur me të. Tek ne, dita e të vdekurve është festë e madhe: ofrojmë ëmbëlsira që quhen koka e të vdekurit, të bëra me sheqer të ngurtë si guri. Vetmia, pesimizmi, vdekja janë temat e letërsisë sonë… Sikur të jemi një popull që ka jetuar shumë dhe si pasojë ndihet i lodhur, i boshatisur, si Don Fabrizio di Tomasi i Lampeduzës”.

Por ai nuk kishte aspak ndërmend që t’ua lehtësonte detyrën armiqve të tij. Për të, siguria personale ishte detyrimi numër një i atyre që pozicionoheshin kundër Cosa Nostras: ishte një çështje profesionalizmi, ashtu si edhe fakti i njohjes së ligjit. “Unë i njoh rreziqet që ndërmarr kur bëj këtë profesion që bëj, dhe nuk besoj se duhet t’i bëj një dhuratë mafias duke iu ofruar asaj si një shënjestër e lehtë”, shpjegonte ai. “Kush përfaqëson autoritetin e shtetit në territor armik ka detyrën që të mos ketë asnjë dobësi. Të paktën në limitet e parashikueshmërisë”.

Qytetarë të ndershëm

Falcone merrej në mënyrë skrupuloze me sigurinë e tij. Pak përpara vrasjes së shefit të tij, këshilltarit Rocco Chinnici, ministria e drejtësisë i kishte dërguar nga Roma një jelek antiplumb. Falcone ishte skeptik. Një të dielë pasdite i nxorri njerëzit e eskortës së tij në një fshat jashtë Palermos dhe u kërkoi që të kolaudonin jelekun antiplumb: e goditën disa herë pa asnjë problem.

Dy truprojat e para iu caktuan në verën e vitit 1980, një ditë pasi vrasës me motocikleta kishin ekzekutuar me pistoleta Gaetano Costan, atëherë kryeprokuror i Palermos. Brenda disa viteve grupi i shoqërimit i Falcones u rrit në 36 vetë, të cilët alternoheshin mes tyre, secili me jelek antiplumb dhe me automatikë. Kishin katër automjete shoqërimi, që transportonin magjistratin duke ecur me bllokazh nëpër peisazhin sicilian me sirena të pandalshme dhe me fnelinat ngjyrë blu. Vargu i makinave shoqërohej nga një helikopter i policisë mes shtëpisë së magjistratit dhe aeroportit.

Kur mbërrinin tek pallati i Falcones, ku një polic i armatosur, në rojë 24 orë në 24 kontrollonte hyrjen, tre vetë hipnin bashkë me të në ashensor deri në katin e katërt, ndërkohë që dy të tjerë u paraprinin duke hipur nga shkallët. Një truprojë e kalonte natën në katin ku ndodhej apartamenti i tij. Zhurma dhe prania e grupeve të shoqërimit të Falcones shkaktonin shqetësim për fqinjësinë e tij.

Një grua i dërgoi një gazete vendëse një letër proteste. E quante veten një “qytetare të ndershme që paguan taksat” dhe sugjeronte që Falcone dhe kolegët e tij të antimafias të strehoheshin në vila të ndërtuara posaçërisht në periferi të Palermos, për të garantuar paqen dhe qetësinë e “qytetarëve që punojnë” dhe, mbi të gjitha, për të bërë që të ndalen plagosjet dhe vrasjet e vazhdueshme “pa motiv” të palermitanëve, gjatë atentateve kundër prokurorëve dhe magjistratëve.

Këto shfryrje më në fund e futën në siklet Falconen, i cili ndiente një dashuri të pamatë për qytetin e tij. I krahasonte trishtueshëm palermitanët me spektatorët e një ndeshjeje me dema, për paaftësinë e tyre për t’iu kundërvënë mafias. Zbulimet e të super penduarit Buscetta dhe dënimet e maksi procesit nuk e kishin prekur aspak konsensusin popullor që gëzonte Cosa Nostra. Pikërisht ashtu si gjenerali Dalla Chiesa, Falcone ishte, për shumëkënd, vetëm një njeri që hapte telashe, një kërcënim për shoqërinë. / bota.al

18