Gjermani – Grevë 24-orëshe në industrinë e vendit për pagat dhe orarin e punës

Pas 16 orë negociatash maratonë me punëdhënësit, sindikata “IG Metall” vendosi këtë javë një grevë 24-orëshe në më shumë se 250 fabrika në Gjermani.

Grevat e para paralajmëruese 24-orëshe në industrinë gjermane, shkak i një mosmarrëveshjeje lidhur me pagat dhe orarin e punës, nisin mbrëmjen e së martës, njoftoi sindikata e metalurgjisë IG Metall.

Në Baden-Vyrtemberg, Renani Veriore-Vestfali dhe Renani-Palatinatë janë disa zona që do të preken nga greva, kryesisht degët e grupeve “Thyssenkrupp” dhe “ZF Friedrichshafen”.

Pas dështimit fundjavën e kaluar të një raundi të ri negociatash me përfaqësuesit e punëdhënësve, sindikata vendosi të reagojë menjëherë duke bërë thirrje për grevë në 250 biznese për ditën e mërkurë.

Këto greva paralajmëruese me ndërprerje të një dite të plotë pune do të kenë vërtetë ndikim dhe kosto mbi prodhimin.

Në formë kundërpërgjigje, Federata e Punëdhënësve Nordmetall vendosi të mbledhë ditën e mërkurë federatat e saj për të vendosur mbi mundësinë e një ankese në gjykatë ndaj veprimeve të sindikatës, një kërcënim i bërë edhe më parë. /ATSH

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne