Gjermani – Merkel dhe Macron firmosin Traktatin e Ahenit, hapi i parë drejt ushtrisë evropiane

Shefja e Berlinit zyrtar dhe Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nënshkruan tekstin e titulluar “Traktati Franko-Gjerman i Bashkëpunimit dhe Integrimit”, cilësuar si “Traktati i Ahenit”, gjatë një ceremonie të organizuar në sallën e bashkisë së qytetit të Ahenit (Aachen) në Gjermani.

“Traktati i ri i bashkëpunimit franko-gjerman, nënshkruar të martën në Ahen të Gjermanisë, i cili parashikon një afrim në sektorin e mbrojtjes, kërkon një kontribut për krijimin e një ushtrie evropiane”, pohoi Angela Merkeli.

Ajo përmendi më konkretisht zhvillimin e një kulture ushtarake, mbrojtjeje dhe një industrie të përbashkët të armatimeve që parashikohen në këtë traktat të ri, i cili do të plotësojë atë të Elizesë së nënshkruar në 1963.

Merkeli vuri në pah se Traktati i Ahenit duhet të zbatohet dhe se qeveria gjermane do të punojë me gjithë fuqinë e saj në këtë drejtim.

Ndërsa kreu i shtetit francez tha se ky pakt, nënshkruar në 56-vjetorin e Traktatit të Elizesë, paraqet rëndësi në aspektin e ribashkimit të Evropës.

“Kjo është fryma për të cilën ne kemi nevojë sot”, theksoi ai duke shtuar se një periudhë e re fillon për Evropën dhe evropianët me këtë traktat.

Ideja e Macronit për themelimin e një ushtrie të përbashkët i ndau shtetet anëtare të Bashkimit Evropian në dy kampe.

Deklarata e parë në mbështetje të Macronit pati ardhur pikërisht nga kancelarja gjermane.

“Ne duhet të punojmë mbi vizionin e themelimit në të ardhmen të një ushtrie evropiane”, qe shprehur ajo.

Përkrahje për idenë e Macronit erdhën më pas nga Spanja, Italia, Çekia dhe Hungaria.

Kurse shtete si Letonia dhe Lituania, të cilat kufizohen me Rusinë, si dhe Britania e Madhe, Austria dhe Suedia patën njoftuar se preferojnë garancinë e mbrojtjes së NATO-s.

Shteteve kundërshtare të idesë për një ushtri evropiane iu bashkuan së fundmi edhe Holanda me Danimarkën.

Një reagim shumë i ashpër ndaj propozimit të Emmanuel Macronit pati ardhur gjithashtu nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

“Emmanuel Macroni sugjeron ndërtimin e ushtrisë evropiane për t’u mbrojtur nga SHBA-ja, Kina dhe Rusia. Por ishte Gjermania ajo që sulmoi Evropën në Luftën I dhe II Botërore. Çfarë bëri Franca asokohe? Ata filluan të mësonin gjermanisht në Paris para se SHBA-ja të shkonte si shpëtimtare”, qe shprehur kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Pas këtyre deklaratave rreth ushtrisë evropiane, komentin e parë nga Turqia mbi këtë çështje e pati bërë zëdhënësi i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), Omer Çelik.

“Kjo është një divergjencë e madhe. Është diçka që nuk mund të mendohej 5 apo 3 vjet më parë. Kjo tregon në mënyrë të qartë se një plasaritje është formuar në Aleancën e Transatlantikut”, pati thënë ai./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne