Gjermania e kënaqur nga marrëveshja Turqi-Rusi për Idlibin

Zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert tha në një deklaratë me shkrim se kancelarja gjermane Angela Merkel të mërkurën kishte realizuar një bisedë telefonike me Kryetarin e Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin, bisedë e cila u përqendrua në situatën në Siri dhe lindje të Ukrainës.

Në lidhje me Sirinë,- sqaroi Seibert,- të dy liderët biseduan për gjendjen pas marrëveshjes së arritur në 17 shtator ndërmjet Presidentit të Rusisë Putin dhe Presidentit Rexhep Tajip Erdoan për krijimin e një zone tampon të çmilitarizuar në rajonin e Idlibit.

Kancelarja është e kënaqur nga përpjekjet e bëra në drejtim të parandalimit të një përshkallëzimi ushtarak dhe mbrojtjes së popullsisë civile,” tha Seibert.

Kurse në lidhje me Ukrainën, të dy udhëheqësit nënvizuan domosdoshmërinë e zbatimit me shpejtësi dhe pa mangësi të Marrëveshjes së Minskut.

Të hënën, Turqia dhe Rusia ranë dakord të krijojnë një zonë të çmilitarizuar në Idlib, bastionin e fundit të opozitës në Siri, pas një takimi në Soçi midis Presidentit Rexhep Tajip Erdoan dhe presidentit rus, Putin.

Ankaraja dhe Moska gjithashtu nënshkruan një memorandum mirëkuptimi që bën thirrje për “stabilizimin” e zonës së çtensionuar të Idlibit, në të cilën aktet e agresionit janë shprehimisht të ndaluara.

Sipas Memorandumit të Mirëkuptimit, grupet e opozitës në Idlib do të mbeten në vendet ku janë të pranishëm aktualisht.

Ndërkohë, forcat ushtarake turke dhe ruse do të kryejnë patrullime të përbashkëta përgjatë perimetrit të zonës me qëllim parandalimin e çdo rasti që do të sillte rifillimin e luftimeve.

E vendosur në afërsi të kufirit turk, Idlibi është strehë për më shumë se tre milionë sirianë, shumë prej të cilëve kanë ikur nga qytete të tjera të vendit për shkak të sulmeve të forcave të regjimit.

Regjimi sirian njoftoi muajin e kaluar planet për të nisur një ofensive të madhe ushtarake në këtë rajon, të kontrolluar nga grupe të ndryshme të armatosura të opozitës.

Por, OKB-ja paralajmëroi se një ofensivë e tillë do të çonte në “katastrofën më të keqe humanitare të shekullit të 21-të”.

Burimi: Trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne