Gjermania kundër sanksioneve të mundshme ndaj Rrjedhës Nordike 2

Sanksionet e Shteteve të Bashkuara kundër Rrjedhës Nordike 2, një tubacion i gazit natyror, i mbështetur nga Rusia, do të ishin mënyrë e gabuar për zgjidhjen e kontestit rreth furnizimit me energji, tha ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas.

“Çështjet e politikës evropiane të energjisë duhet të vendosen në Evropë, jo në SHBA”, tha Maas.

“Vendosja e sanksioneve të njëanshme kundër Rrjedhës Nordike 2 nuk është mënyra e duhur”, shtoi ai.

Tubacioni i planifikuar do të kalonte nën Detin Baltik, duke e sjellë gazin rus direkt në Evropën Perëndimore dhe duke i anashkaluar rrjetet ekzistuese që kalojnë përmes Ukrainës.

Uashingtoni e ka kundërshtuar projektin, duke e cilësuar si mjet për Rusinë për të konsoliduar ndikimin mbi Evropë.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se ka marrë zotime nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, se do t’i lejojë dërgesat e gazit në të gjithë territorin e Ukrainës.

Moska thotë se projekti prej 11 miliardë dollarësh është thjesht ekonomik dhe nuk është kundër asnjë vendi.

Marrëdhëniet midis Moskës dhe Kievit janë tensionuar rëndë pasi Moska ka aneksuar në mënyrë ilegale gadishullin ukrainas të Krimesë në mars të vitit 2014.

Moska po ashtu i mbështet separatistët në një luftë kundër Qeverisë së Ukrainës, në pjesën lindore të këtij vendi.

Lufta, qysh në prill të 2014-ës, ka lënë mbi 10,300 njerëz të vrarë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne