Gjermania kundërshton sanksionet e reja të SHBA-së kundër Rusisë

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, kritikoi Senatin amerikan për votën e tij për të imponuar sanksione kundër Rusisë duke thënë se ndikimi mbi sipërmarrjet evropiane do të ishte shqetësues dhe se kjo nuk duhej të ndodhte, sipas zëdhënësit të saj, Steffen Seibert.

Merkel po mbështet ministrin e saj të jashtëm, Sigmar Gabriel, një ditë pasi ai dhe Kancelari austriak, Christian Kern, mbajtën një deklaratë të përbashkët, ku dënonin zgjerimin e sanksioneve amerikane, që shënjestronin projektin rus të gazsjellësit “North Stream 2”, i cili kalon në Evropën Veriore.

Gjermania dhe Austria e shohin këtë lëvizje si një ndërhyrje ilegale në sigurinë energjetike të BE-së.

“Furnizimi evropian me energji është një çështje e Evropës dhe jo e SHBA-së!”, tha ministri gjerman në këtë deklaratë.

“Kërcënimi i sipërmarrjeve evropiane me sanksione nëse ata marrin pjesë ose financojnë projektin e gazsjellësit ‘North Stream 2’ sjell një frymë krejt të re dhe negative në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Evropës”, theksuan dy personalitetet.

Senati vendosi të enjten me një shumicë dërmuese të kalojë një projektligj, që imponon sanksione të reja mbi Rusinë për përfshirjet në Ukrainë dhe në Siri, si dhe për influencën mbi zgjedhjet në SHBA.

Ky projektligj duhet të miratohet edhe nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe të firmoset nga Presidenti Donald Trump që të shndërrohet në ligj./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne