Gjermania paralajmëron Ramën për kufijtë

Berlini zyrtar deklaroi dje në mënyrë urdhërore për kryeministrin Rama, me anë të ministrit të Shtetit, Michael Roth, ku tha se:Nga Shqipëria ne presim që kjo ta përdorë në mënyrë konstruktive ndikimin e saj politik dhe të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive për stabilitet në të gjithë rajonin. Kjo vlen veçanërisht për çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mund të jetë vetëm në interes të Shqipërisë, si pjesë e rajonit, që të parandalojë me çdo kusht një destabilizim të ri të Ballkanit Perëndimor, gjë që detyrimisht do të vijonte nga ndryshimi i kufijve”

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka nisur prej disa javësh një fushatë mbi detajet e asaj që njihet si marrëveshja e pritshme mes Serbisë dhe Kosovës. Në mediat e Prishtinës, Tiranës dhe në takime ndërkombëtare, Presidenti i Kosovës i mbështetur dhe nga kryeministri Edi Rama ka hedhur tezën e një marrëveshje që do të prek edhe kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë. Edhe pse nuk jepen detaje sesa territor do të humbasë Kosova, qëllimi i kësaj fushate është përgatitja e opinionit që në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes lajmi i copëtimit të Kosovës të mos shkaktojë shumë turbullira. Jo rastësisht, Thaçi dhe të tjerë që mbështesin këtë ide në mediat e dy shteteve shqiptare njëherë flasin për “shkëmbim territoresh”, një herë për “korrigjim kufijsh” dhe një herë tjetër për “rishikim të lehtë kufijsh”. Në të gjitha rastet, ajo që fshihet pas këtyre termave është dhënia e territorit shqiptar, Serbisë, në këmbim të njohjes së Pavarësisë së Kosovës. Në këtë lojë Thaçi dhe të tjerë justifikohen se kanë mbështetjen e faktorëve ndërkombëtarë. Në fakt, SHBA si aleatja kryesore e shqiptarëve ka theksuar nevojën e një marrëveshje, por asnjëherë nuk ka përmendur çështjen e kufijve. Ndërsa diplomatët e saj në Prishtinë kanë theksuar se jo çdo gjë që bie dakord Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç do të marrë miratimin e tyre. Pra ka një vijë të kuqe që u është treguar negociatorëve në Prishtinë dhe Beograd se deri ku mund të shkojnë.

Ndërkohë dje ka ardhur dhe paralajmërimi i Gjermanisë lidhur me projektin e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Ministri Gjerman i Shtetit për Europën, Michael Roth, në një intervistë për radion shtetërore gjermane “Deutsche Welle” ka folur në mënyrë të qartë lidhur me pozicionimin kundër të Gjermanisë ndaj marrëveshjeve të tilla. “Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm për ne. Përpjekja për zhvendosje kufijsh ka shkaktuar vuajtje të pafundme në të kaluarën. Prandaj, sipas meje, këto përsiatje, jo vetëm që nuk premtojnë shumë sukses, por janë edhe tejet të rrezikshme. Çfarë na nevojitet, është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila i rregullon përfundimisht marrëdhëniet, i mundëson Serbisë dhe Kosovës të anëtarësohen në BE dhe i zgjidh me marrëveshje të gjitha çështjet teknike që janë ende të hapura“, deklaroi ministri gjerman.

 

Por në përgjigjen e pyetjes për marrëveshjen mes Serbisë dhe Kosovës, ministri gjerman ka dhe një porosi për qeverinë “Rama” në Tiranë. “Nga Shqipëria ne presim që kjo ta përdorë në mënyrë konstruktive ndikimin e saj politik dhe të vazhdojë të angazhohet në mënyrë konstruktive për stabilitet në të gjithë rajonin. Kjo vlen veçanërisht për çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mund të jetë vetëm në interes të Shqipërisë, si pjesë e rajonit, që të parandalojë me çdo kusht një destabilizim të ri të Ballkanit Perëndimor, gjë që detyrimisht do të vijonte nga ndryshimi i kufijve“,- tha Michael Roth. Të mos harrojmë se Gjermania është shteti kryesor në BE dhe më dashamirësi ndaj shqiptarëve nga të gjithë shtetet europiane. Pa mbështetjen e Berlinit zyrtar nuk ka asnjë shans zhvillimi ekonomik e politik të Shqipërisë, kur flitet për BE. Natyrisht që SHBA mbetet aleati më strategjik.

Deklarata e ministrit gjerman do të thotë shumë për politikën e jashtme të vendit tonë. Pikën më të fortë në rajon Shqipëria ka pasur, deri më sot, qëndrimin e saj larg konflikteve dhe një politikë të jashtme që nuk nxiste tensione. Për herë të parë, nga pala gjermane vihet re se i tërhiqet vëmendja Shqipërisë për rolin e saj në ndikimin në rajon. Me qëndrimet e kryeministrit Edi Rama dhe lëvizjet në diplomacinë e vendit, duket se politika që po ndjek Tirana zyrtare po kthehet në një shqetësim për Gjermaninë. Kryeministri Edi Rama njihet si mbështetës i idesë së ndarjes së Kosovës dhe tashmë pranohet hapur se linja e qeverisë së Tiranës është e njëjtë më atë të Hashim Thaçit. Emërimi i Gent Cakajt në drejtimin e diplomacisë është fakti se Rama nuk po e mbështet vetëm moralisht këtë ide, por po vë në shërbim dhe Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë. Ky ndryshim i politikës së jashtme të Shqipërisë, nga stabilizues në nxitës dhe përkrahës i ideve për ndryshim kufijsh, mund të sjellë dhe pasoja në procesin e afërt të integrimit. Ndaj në mënyrë diplomatike, ministri gjerman i kujton qeverisë “Rama” se duhet të mendojë dhe për integrimin e vendit në Bashkimin Europian. E thënë thjeshtë, nëse mes Kosovës dhe Serbisë do të niste shkëmbimi i territoreve, efekti që do të jepte në rajon më e pakta është frenimi i integrimit në BE. “Qëndrimi ynë është se një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë duhet ta rrisë stabilitetin në të dyja vendet dhe në rajon. Unë nuk shoh se si mund të arrihet kjo me ndryshime kufijsh. Përkundrazi, Ballkani Perëndimor nuk do të binte në qetësi. Nga vendet fqinje dëgjoj vazhdimisht se ata janë të shqetësuar për këtë diskutim, sepse shohin rrezikun e efektit të dominosë. Për proceset e anëtarësimit në BE kjo me siguri që nuk do të ishte aspak e dobishme“, deklaroi ministri gjerman.

Në qëndrimin e Gjermanisë ndaj qeverisë Rama, veç mesazheve të hidhura në intervistën e ministrit Michael Roth ka dhe disa elementë të tjerë jo pa peshë politike dhe diplomatike. Kryeministri Edi Rama ishte dy javë më parë në Gjermani, ku si asnjëherë tjerë nuk u prit në asnjë takim zyrtar. Duket se kreu i qeverisë ka kohë që nuk është më në axhendën e takimeve me zyrtarët gjermanë. Që nga muaji gusht 2018, pasi Hashim Thaçi deklaroi idenë e ndryshimit të kufijve, kancelarja Angela Merkel ka thirrur në takim gjithë kryeministrat dhe politikanët e Ballkanit, përveç Edi Ramës, Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiç. Jo rastësisht, të tre janë njerëzit që janë rreshtuar me idenë e ndryshimit të kufijve në Ballkan.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne