Gjevgjeli, veprat osmane që i rezistuan kohës

Çarshia e Gjevgjelisë krenohet me arkitekturën e ndërtuar gjatë shekullit të XIX në Gjevgjeli. Ky qytet që ndodhet në pjesën jugore të Maqedonisë është sinonim i një thesari të vërtetë nga ndërtesat e vjetra që datojnë që nga shekulli i nëntëmbëdhjetë.

Ata që quhen “asall të Gjevgjelisë” e dinë që koha solli ndryshime të shumta në jetë, në zakone dhe në vendbanim, megjithatë një rrugë mbeti e njëjtë, rrugë e cila edhe sot njihet me emrin “Nga stacioni në kufi”. Kjo rrugë ruan ndërtimet më të bukura arkitektonike: ndërtesa e stacionit të sotëm hekurudhor dhe hoteli “Otoman”, të gjitha me një stoli origjinale dhe specifike.

Megjithatë, edhe pas një shekulli e gjysëm nga ekzistenca e këtij qyteti, ndërtesa më e bukur në Gjevgjeli mbetet objekti ku sot ndodhet biblioteka e qytetit, ish-shtëpia e një turku të pasur.

Sipas regjistrit të Trashëgimisë Kulturore pranë Drejtorisë për Mbrotje të Trashëgimisë Kulturore të Maqedonisë, më 30 shtator të vitit 2014 kjo ndërtesë është shpallur monument kulturor. Në vitin 2008, kjo ndërtesë u rinovua, ndërsa në vitin 2013 i është bërë një restaurim i plotë i pjesës së jashtme.

Drejtor i Bibliotekës “Goce Dellçev” dhe historiani i artit, Damjan Gjurov, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) thotë se sipas tregimeve të një banori të vjetër të Gjevgjelisë ndërtesa daton që nga viti 1911, por në sondazhet e fundit që janë bërë për nevojat e monografisë së re të këtij qyteti thuhet se “ky objekt është ndërtuar tetë-nëntë vite para fillimit të shekullit të XX nga një turk”.

“Mund të thuhet se arkitektura është me zbukurime shumë të pasura, prej të cilave edhe nga lule afioni, e cila në atë periudhë dominonte në këto zona”, shprehet Gjurov.

Ai shton se turku që ndërtoi këtë ndërtesë, planifikoi që kati përdhesë të funksionojë si bankë, ndërsa kati i sipërm për strehimin e familjes së tij.

Ndërtesa është me një rëndësi të veçantë për Gjevgjelinë, sepse me kalimin e viteve ajo u bë një dekor i njohur, si dhe “markë” me të cilën krenohet qyteti. Kjo u ndërtua nga mjeshtër të qytetit të Dibrës të cilët nuk janë zgjedhur rastësisht, por ishin të njohur gjerësisht për punën e tyre. Supozohet se një shtëpi e ngjashme si kjo kanë ndërtuar edhe në Selanik të Greqisë.

Ndërtesa u ka mbijetuar të gjitha turbulencave dhe pavarësisht gjithçkaje, ajo është një bukuri që zbukuron qytetin e Gjevgjelisë. Me këtë ndërtesë rreh zemra e Çarshisë së Gjevgjelisë, duke marrë frymë në ritmin e kohëve moderne.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne