Gjigandi Trepça, i dërrmuar prej keqmenaxhimit

Gjendjet në ndërmarrjet publike Posta e Kosovës, Telekomi i Kosovës si dhe ndërmarrjen Trepça, janë të rënda, është thënë nga ministri i Zhvillimit Ekomomik Valdrin Lluka, gjatë raportimit në Komisionin për Zhvillim Ekonomik.

Trepça për të cilën as ministri Lluka me saktësi nuk mund të përcaktonte statusin se a është ndërmarrje publike apo shoqërore, shumë shpejt do të jetë funksional me bord, tha ai.

“Tash është koha e intervistave besoj me 25 mars dhe në fillim të prillit besoj të kemi një bord aktiv. Pra janë 9 anëtarë të bordit, 2 vinë nga përfaqësues të punëtorëve sepse janë 20% aksionar dhe 7 vinë nga përfaqësues të qeverisë”, ka thënë Lluka.

Edhe anëtarja e Komisionit, Hykmete Bajrami e cila vjen nga radhët e LDK-së, nuk beson në këto premtime të ministrit.

“Jam shumë skeptike ministër që nëse intervistat fillojnë me 25 mars në prill ne potencialisht do të kemi një bord të drejtorëve funksional për Trepçën”, tha ajo.

Kurse anëtari I komisionit nga PDK Memli Krasniqi kritikoi punën e gjertanishme të ministrit Lluka, duke thënë se 6 muaj duhej ti mjaftonin për të trasuar rrugën e ringjalljes së kombinatit.

“Është një mendimtar të cilin e çmoj shumë, veçanërisht në ekonomi, Milton Friedmani, e ka një tekst, flet për tiraninë e status-quos, edhe thotë kur njerëzit e marrin detyrën dhe kjo ka qenë një prej mendimeve të cilat jam mundu me i zbatua edhe et në përgjegjësitë e mia, nëse në 6 muaj nuk mbërrin me i drejtua punët edhe me i shti në funksion, atëherë të rrok tirania e status qos, sepse të marrin kohë punët ditore, të marrin kohë punët protokollare, të marrin kohë gjërat jo shumë të rëndësishme dhe pastaj nuk mundet me arrit me krye punët e mëdha. Ju thatë se kanë kaluar vetëm 6 muaj, por unë mendoj se 6 muaj janë shumë konsideroj unë dhe nëse edhe pas 6 muajve nuk ka asnjë hap konkret në funksionalizimin qoftë legjislativ ligjor, qoftë funksional për Trepçën, atëherë frika ime është që edhe 6 muaj më vonë prapë nuk do të arrinim me e fut në binarë të drejtë situatën me Trepçën”, tha Krasniqi.

Nga ana e tij, anëtari tjetër Dardan Sejdiu, theksoi se Trepça nuk është problem I vetëm 6 muajve të fundit por edhe I qeverive të mëhershme.

“Memli foli për 6 muajt e fundit e në fakt Trepça trajtohet qe 18 vite, ose tentohet të trajtohet qe 18 vite”, ka thënë Sejdiu.

Ministri Lluka ka folur edhe për Postën e Kosovës si dhe Telekomin duke pranuar se janë në gjendje po-ashtu të rëndë. Ai ka potencuar se pjesa më e madhe e shpenzimeve operative në këto ndërmarrje shkojnë për paga, që janë shumë mbi mesataren e pagave në vend. Anëtarët e Komisionit ndërkaq kanë kërkuar që ndërmarrjet publike të lidhin kontrata për shfrytëzimin e produkteve të Postës dhe Telekomit, në vend se ti shfrytëzojnë produktet e ndërmarrjeve private./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne