Nga Dag Kris, CNN

Përse duhet t’ju bëhet vonë?

Nëse jeni në BE: BE-ja i ka tashmë “duart e zëna”, pasi po merret me divorcin e saj të afërt nga Britania e Madhe. Së paku dy prej kandidatëve në këto zgjedhje, zotohen se do të nxjerrin edhe Francën nga Bashkimi Europian. A mundet grupi me 28 vende anëtare, t’i mbijetojë humbjes së dy prej anëtarëve të vet më të pasur dhe më të populluar? Ndoshta jo. “Një qeveri franceze që braktis Euron, do të jetë një goditje politike shumë më e madhe, se sa largimi i Britanisë së madhe nga BE”, thonë analistët.

Nëse jeni në SHBA: Ka një ndjesi që sa vjen e forcohet, se këto zgjedhje presidenciale, ashtu si ato në Amerikë, do të sjellin ndryshime që askush nuk mundet t’i parashikojë. Një vëzhgues politik thotë se francezëve “ u ka ardhur në majë të hndës me të majtën e të djathtën gjatë 30 viteve të fundit” dhe “ata duan të përmbysin tryezën”. Një botë edhe më e paparashikueshme është diçka që shumica e amerikanëve nuk do ta donin. Të dy garat kanë një mori ngjashmërish, me të vërtetë të frikshme: kandidatët alarmues, akuza për korrupsion, dhe gafa. Kaq shumë gafa.

Nëse jeni diku tjetër në botë: Askush nuk dëshiron shumë ndryshime në botë. Po kështu, cilido në një vend të shkretuar nga lufta, në Lindjen e Mesme apo Afrikë, që e sheh Francën si një strehim të sigurtë, mund të shohë që dera do i përplaset në fytyrë. Imigrimi, sidomos nga vendet islamike, mund të jetë çështja madhore e këtyre zgjedhjeve. Disa prej kandidatëve duan që të reduktojnë në mënyrë drastike numrin e atyre që hyjnë në vend. Njëri kërkon madje edhe pezullim të përkohshëm të imigrimit të ligjshëm.

Nëse jeni në tregje: Dy kandidatët kryesorë kanë dy vizione shumë të ndryshme ekonomike. Njëri dëshiron që Franca të hedhë tutje Euron, për të mbrojtur vendet e punës të francezëve. Tjetri është kampion i integrimit më të ngushtë evropian. Tregjet e urrejnë paqëndrueshmërinë. Shikoni se si reaguan ata,  pas zgjedhjeve në Greqi në vitin 2012. Me Britaninë të Madhe që po lë BE-në, Franca është fuqia ekonomike nr. 2. Dhe një ndryshim atje, do i prekë shumë tregjet.

Kur janë zgjedhjet? Raundi 1 është në  23 prill. Më pas, dy kandidatët që kanë dalë të parët, do të përballen në raundin 2, më 7 maj. Po, është një proces me dy hapa. Ndryshon nga Amerika, ku fati i një kandidati për president qëndron në një ditë të vetme. Dhe ndryshon shumë, për shembull, nga zgjedhjet në Indi, që zvarriten për pesë javë.

Cila është lista e personazheve?

MARINE LE PEN: Ajo është udhëheqësja e partisë Fronti Nacional, e ekstremit të djathtë dhe kryesuese në raundin e parë të votimit. Eshtë gjithashtu kontroverse, kryesisht për shkak të historisë së partisë së saj me ksenofobinë dhe antisemitizmin. Ajo është përpjekur që të zbusë imazhin e partisë – me sukses relativisht të pakët. Në prill, për shembull, ajo tha se Franca nuk ishte përgjegjëse për grumbullimin e hebrenjve gjatë kohës së luftës, të cilët më pas ishin dërguar në kampet naziste të vdekjes. Kjo deklaratë nuk u kapërdi kollaj.

Çfarë do ajo? Le Pen do që Franca të dalë nga BE dhe NATO. Ajo dëshiron ta ulë imigrimin në vetëm 10 mijë vetë në vit. Ajo sulmon globalizimin dhe është zotuar të luftojë “Islamin radikal”. Nëse fiton, do të jetë e para Presidente e ekstremit të djathtë në histori.

Fakt interesant: Pasi përfundoi shkollën e lartë në juridik, ajo punoi si avokate publike dhe ndonjëherë mbrojti… imigrantët e paligjshëm.

Fakt tronditës: Në moshën 8 vjeç, ajo i mbijetoi një atentati me bombë që shkatërroi apartamentin e familjes së saj. Atentatorët po përpiqeshin të godisnin të atin, i cili ishte themeluesi i Frontit Nacional.

EMMANUEL MACRON: Ai është surpriza më e madhe në këtë fushë loje me pesë lojtarë. Macron është një centrist, të cilin askush nuk e mori seriozisht në fillim. Ai nuk kishte mbështetjen e ndonjë prej partive më të mëdha politike, kështu që formoi të tijën. Dhe – papritur – ai e gjen veten mu prapa Le Penit në sondazhe.

Çfarë do ai: Macron mbështet masa liberal, miqësore për biznesin, për të nxitur ekonominë. Ai dëshiron të rrisë shpenzimet për mbrojtjen dhe policinë. Macron dëshiron të paguajë më mirë mësuesit dhe kërkon unitet, në një kohë kur Franca është e mbushur me fraktura.

Fakt interesant: Kur ishte 17-vjeç, ai i tha mësueses së tij të shkollës së mesme se do të martohej me të një ditë. Dhe ashtu bëri.

FRANÇOIS FILLON: Ai përfaqëson Partinë Republikane dhe është quajtur “Thatcheri Francez”, për politikat e tij konservatore. Dikur ishte kryesues në garë. Por më pas shpërtheu një skandal në lidhje me anëtarët e familjes së tij, që paguheshin për punë ku nuk shkonin – dhe kjo hodhi në erë gjithçka.

Çfarë do ai: Fillon do që t’i japë fund javës 35-orëshe të punës në Francë, shkurtojë shpenzimet publike, të shfuqizojë taksën mbi pasurinë dhe të reduktojë imigrimin. Dhe, ashtu si Margaret Thatcher, ai nuk ka frikë të përplaset me sindikatat.

Fakt interesant: Fillon jeton në një kështjellë të shekullit të 12-të!

JEAN LUC MELENCHON: Ai përfaqëson partinë Fronti i Majtë, një koalicion i ish-komunistëve, rinisë së pakënaqur dhe revolucionarëve të plakur. melenchon është quajtur “Bernie Sandersi francez”. Ai është oratori më tërheqës ndër gjithë kandidatët, dhe po rritet në sondazhe.

Çfarë do ai: Melenchon dëshiron të rrisë pagën minimale, të rrisë taksat për të pasurit dhe të bëjë më shumë për klasat e ulëta të Francës.

Fakt interesant: Ai ka përdorur holograme gjatë fushatës, me qëllim që të shfaqej në disa tubime njëkohësisht.

BENOIT HAMON: Hamon është kandidati i Partisë Socialiste, dhe ndodhet në vend të fundit në sondazhe. Të qënit socialist në epokën shumë jopopullore të Presidentit francez, François Hollande ka çmimin e vet. Hollande ishte kaq jopopullor, saqë vendosi as të mos kandidojë.

Çfarë do ai: Hamon dëshiron të krijojë të ardhurat bazë universale, legalizimin e kanabisit, dhe të vendosë një “taksë robot,” e cila do të zbatohet për teknologjinë që u merr vendet e punës njerëzve.

Fakt interesant: Një herë ai është quajtur “Beni i vogël” për shkak të gjatësisë së tij.

CILAT JANE ÇESHTJET MADHORE TE FUSHATES?

EKONOMIA: Franca është e zhytur në apati ekonomike. Papunësia është në 10%. Rritja e GDP është e dobët. Ajo ka nevojë për një shkundje të sistemit, por kandidatët, natyrisht, nuk pajtohen se cila duhet të jetë kjo shkundje. Njëri prej tyre, Melenchon, dëshiron një taksë 100% për të pasurit. Një tjetër, Le Pen do të heqë dorë nga Euro.

SKANDALET: Janë kaq shumë! Bashkëshortja e Fillon dhe dy prej fëmijëve të tij të rritur janë akuzuar se kanë fituar më shumë se 1 milion dollarë, për punë parlamentare ku nuk janë shfaqur asnjëherë.

Le Pen ka postuar imazhet e dhunshme të vrasjeve nga ISIS në Tuiter (Në Francë nuk duhet bërë në asnjë mënyrë). Parlamenti Europian tha se ajo mund të ndiqet penalisht për këtë.

Macronit iu desh të kërkojë falje, për dënimin që i bëri të kaluarës koloniale të Francës në Algjeri, si dhe të hedhë poshtë akuzat për një marrëdhënie jashtëmartesore.

IMIGRIMI: Kjo është më e madhja. Eshtë ajo që shtyn çdo gjë tjetër në këto zgjedhje. Shumë votues mendojnë se politikat aktuale të emigracionit kanë përkeqësuar problemet e papunësisë në Francë, dhe kontribuojnë në sulmet vdekjeprurëse terroriste gjatë dy viteve të fundit (më i fundit dje në Paris). Dhe, si në shumë pjesë të Evropës, ekstremit i djathtë po e shfrytëzon këtë çështje, për shkak të popullaritetit në sondazhe.

Atëherë, kush ka më shumë shanse për të fituar?

Le Pen dhe Macron ka të ngjarë të shkojnë në balotazh. Pastaj, Macron mund ta “shkatërrojë” Le Penin, me votuesit e krahut të majtë dhe ata konservatorë – që revoltohen edhe nga mendimi që udhëheqësja e Frontit Nacional mund të drejtojë Francën. Por mos harroni, deri në natën e zgjedhjeve në SHBA vitin e kaluar, askush nuk i dha një shans Donald Trumpit. Sot atë e thërrasim “Zoti President”.

ÇFARE NDODH PAS ZGJEDHJEVE?

PER FRANCEN: Presim qershorin, kur vendi mban zgjedhjet parlamentare. Në Francë, një pjesë e madhe e punës e bën kryeministri. Dhe kryeministri vjen nga partia që ka shumicën në parlament. Pra, pavarësisht se kush është president, ai ose ajo nuk mund të bëjë shumë, nëse partia e vet nuk fiton një pjesë të madhe të vendeve në parlament. Me fjalë të tjera, drama nuk merr fund me këto zgjedhje.

PER PJESEN TJETER TE EUROPES: Pritet shtatori, kur Gjermania mban zgjedhjet parlamentare. Kancelarja Angela Merkel – të cilën shumëkush e konsideron gruan më të pushtetshme në botë – përballet me mundësi reale të humbjes, për shkak të qëndrimit të saj ndaj refugjatëve. Ajo ka qenë në pushtet për 11 vite. Por ajo vetë ka pranuar se politikat e saj të imigrimit e kanë dëmtuar partinë. / bota.al 

61