GJNP i përgjigjet deklaratës së SHBA-së

Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) ka njoftuar se do të vazhdojë aktivitetet pa u zmbrapsur si një institucion i paanshëm dhe i pavarur.

Komentet e GJNP-së erdhën si përgjigje ndaj deklaratave të djeshme të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, i cili tha se SHBA do të ndërmarrë masa nëse gjykata vendos të ndjekë penalisht Izraelin.

Përmes një deklarate me shkrim, GJNP tha se gjykata, me mbështetjen e 123 shteteve anëtare, është e pavarur dhe e paanshme, dhe do t’i vazhdojë aktivitetet pa u zmbrapsur mbi parimin e së drejtës dhe sundimit të ligjit.

Ndryshe, Bolton më vonë tha se Washingtoni do të ndërmarrë masa nëse GJNP vendos të ndjekë penalisht Izraelin, SHBA-në ose ndonjë aleat tjetër të saj.

Këto masa përfshijnë sanksione të mundshme të fondeve të GJNP-së në SHBA, si dhe ndalimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve të GJNP-së për të hyrë në SHBA.

“Do të marrim parasysh nëse ndonjë shtet bashkëpunon me hetimet e GJNP-së ndaj SHBA-së dhe aleatëve të saj dhe do ta mbajmë mend këtë bashkëpunim kur të caktojmë ndihmat e jashtme, ndihmat ushtarake dhe nivelet e shkëmbimit të informacionit”, tha Bolton.

Para deklaratës së Bolton, Departamenti i Shtetit njoftoi se do të mbyllë zyrën e Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) në Washington.

Vitin e kaluar, prokurorja e GJNP-së, Fatou Bensouda, kishte kërkuar hetim për akuzat se ushtarët amerikanë dhe CIA kanë kryer krime lufte gjatë luftës në Afganistan. Edhe pse SHBA nuk është anëtare e GJNP-së, hetimi ishte cilësuar i mundshëm për shkak të kryerjes së krimeve në një vend anëtar të gjykatës.

Në muajin maj, Bensouda kishte deklaruar se ka njoftuar kreun e gjykatës në lidhje me një dosje të dorëzuar në GJNP nga ana e qeverisë palestineze në lidhje me masakrat e Izraelit.

Ajo madje kishte njoftuar hapjen e një procedure parahetimore në lidhje me situatën në Palestinë në vitin 2015.

Ndërkaq, në muajin korrik, Palestina i kishte bërë thirrje GJNP-së të hap hetim serioz rreth krimeve të Izraelit dhe kolonëve hebrenj.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne