Gjuha e Presidentit Trump shkakton pakënaqësi edhe në Samitin e G7-s

Stili dhe gjuha e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka shkaktuar pakënaqësi edhe në Samitin e G7-s, mbajtur javën e kaluar në kryeqytetin Otavë të Kanadasë.

E përditshmja amerikane, “The Wall Street Journal”, përmes një artikulli të bazuar në deklarata të autoriteteve të Bashkimit Evropian që ishin të pranishëm në sesionet e G7-s, bën të ditur se samiti është bërë skenë e dialogëve interesantë ndërmjet Trumpit dhe liderëve të vendeve të tjera. Gjatë debateve në kuadër të samitit, në shënjestër të fjalëve thumbuese të kreut të Shtëpisë së Bardhë, pjesë e karakterit dhe stilit të tij personal, kanë qenë veçanërisht Kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe, Presidenti i Francës, Emmanuel Macron dhe Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

“Shinzo! Ju s’keni problem emigracioni. Por nëse dëshiron, mund t’i dërgoj ty 25 milionë meksikanë dhe, më beso, nuk do të duhet shumë që ta humbasësh karrigen”, i ka thënë lideri amerikan kreut të qeverisë japoneze teksa po trajtonin çështjen e emigracionit, sipas gazetës “The Wall Street Journal”.

Ndërsa gjatë një debati mbi Iranin dhe terrorizmin, Trumpi u qesëndis me homologun francez.

“Emmanuel! Ti duhet të jesh njohësi më i mirë i çështjes së terrorizmit, sepse të gjithë terroristët janë në Paris”, citohet t’i ketë thënë ai Presidentit Macron.

Po ashtu mësohet se Trumpi ka përdorur shprehjen “vrasës i pashpirt” për shefin e Komisionit Evropian, Juncker, si pasojë e kufizimeve që ekzekutivi i BE-së ka vendosur ndaj kompanive amerikane të teknologjisë në lidhje me sigurinë e të dhënave.

Gjithnjë sipas “The Wall Street Journal”, një zyrtar evropian ka vënë në pah se ndjenja e shqetësimit dhe e pakënaqësisë rreth stilit të Trumpit ka qenë e theksuar në mesin e liderëve përgjatë tërë samitit, por ata janë përpjekur që të veprojnë me qetësi dhe maturi përballë fjalëve shpotitëse të presidentit amerikan./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne