Gjuha shqipe mësohet si gjuhë e dytë në shkollat turke

Ministria e Arsimit e Turqisë filloi të shpërndajë tekste mësimore në disa shkolla, ku gjuha shqipe ka filluar të mësohet si gjuhë e dytë. Për vitin shkollor 2017-2018 vetëm në njërën nga shkollat e mesme në qytetin port të Izmirit 44 nxënës turq me gjak shqiptari kanë filluar të studiojnë gjuhën shqipe si gjuhë të dytë në shkollë.

Shqipja studiohet me tekstet mësimore zyrtare të ministrisë së arsimit. Shqipja mësohet dy orë në javë, ndërsa në fundjavë ka kurse shtesë për ata nxënës gjimnazi, që duan ta mësojnë shqipen si gjuhë të huaj. Ministria e arsimit e Turqisë ka nënshkruar një marrëveshje zyrtare me Universitetin e Thrakës, që ky i fundit të përpilojë tekstet mësimore të gjuhës shqipe, që do përdoren nga gjimnazistët qytetarë turq, por shqiptarë etnikë. Fotoja ilustruese i përket një grupi gjimnazistësh turq (shqiptarë etnikë) në një orë të gjuhës shqipe në një gjimnaz të Izmirit.

Mësimi i shqipes si gjuhë e dytë në shkollat turke është një tjetër gjest miqësor ndaj Shqipërisë i autoriteteve të Turqisë, mikes dhe aleates tradicionale të Shqipërisë./ Gjergj Thanasi/ CityNews

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne