Gjykata britanike: Shitjet e armëve Arabisë Saudite janë ‘të ligjshme’ pavarësisht shkatërrimit të Jemenit

Gjykata e Lartë e Londrës ka vendosur se shitjet e armëve në Mbretërinë e Bashkuar për regjimin arab janë “të ligjshme”, në përgjigje të një rishikimi gjyqësor të sjellë nga Fushata kundër Tregtisë së Armëve (CAAT).

Çështja bazohej në pyetjen nëse Britania e Madhe dështoi të pezullonte shitjet në përputhje me detyrimet ligjore, duke marrë parasysh luftën aktuale të Saudisë në Jemenin fqinj, e cila pjesërisht është kryer duke përdorur pajisjet ushtarake të prodhuara nga Britania.

Dokumentet e cituara në gjykatë treguan se nëpunësit civilë në të vërtetë kishin rekomanduar që shitjet të mos vazhdonin më, por ministrat i kishin injoruar këshillat.

“Ky është një vendim (i gjykatës) shumë zhgënjyes, dhe ne po ndjekim një apelim,” tha Andrew Smith i fushatës kundër tregtisë së armëve.

“Nëse ky vendim mbështetet atëherë do të shihet si një dritë jeshile për qeverinë që të vazhdojë armatosjen dhe mbështetjen e diktaturave brutale dhe abuzuesve të të drejtave të njeriut si Arabia Saudite, që kanë treguar një mospërfillje të hapur ndaj të drejtës ndërkombëtare humanitare”.

Avokatja e CAAT, Rosa Curling, tha: “Asnjë nga provat e hapura, të paraqitura nga qeveria e MB në gjykatë, nuk sugjeron se ky rrezik nuk ekziston në lidhje me armët në Arabinë Saudite.

“Në të vërtetë, të gjitha dëshmitë që kemi parë nga Jemeni sugjerojnë të kundërtën: rreziku është shumë real. Duhet të shikosh vetëm realitetin shkatërrues të situatës atje”.

CAAT, të cilët kanë thënë se do të apelojnë, kishin argumentuar se shitjet e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar janë një shkelje e së drejtës ndërkombëtare, ndërkohë që këshilli i përbashkët i BE-së këmbëngul gjithashtu që shitjet në vendet ku mund të ndodhin shkelje të ligjit duhet të ndalen.

Në dy vitet e fundit, Britania e Madhe ka liçencuar shitjen e armëve me vlerë 3 miliardë dollarë për qeverinë saudite, me të cilën Britania është një aleate e vjetër.

Shitjet e armëve përfshijnë avionët Typhoon dhe Tornado, dhe Mbretëria e Bashkuar ka pasur një personel ushtarak në selinë saudite gjatë gjithë konfliktit të Jemenit, i cili ka shpërthyer që nga viti 2015.

Qeveria britanike pohon se personeli është atje për të mbështetur respektimin e ligjit ndërkombëtar dhe për të këshilluar mbi rregullat e angazhimit.

Personeli i Forcave Ajrore Mbretërore (RAF) dhe Artileria Mbretërore (RA) janë vendosur për të trajnuar ushtrinë saudite gjatë luftës.

Konflikti – i cili është shoqëruar me një bllokadë të porteve kryesore – ka përkeqësuar në mënyrë drastike situatën humanitare në vendin tashmë të varfër të gjirit.

OKB thotë se 17 milion njerëz në Jemen janë në rrezik të afërt të urisë, ndërkohë që zvogëlimi i furnizimeve mjekësore dhe mungesa e personelit të trajnuar mjekësor kanë çuar në epidemi.

Organizatat humanitare kryesore, duke përfshirë Kryqin e Kuq, kanë fajësuar fushatën bombarduese ajrore dhe bllokimin si shkaqet kryesore të epidemisë së vazhdueshme të kolerës në Jemen, që tashmë ka marrë rreth 1.600 jetë, dhe janë ende 300.000 raste të dyshuara. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne