Gjykata në Colmar-France jep vendimin mbi Ramush Haradinaj

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, sapo është liruar nga gjykata franceze në Colmarit.

Procesi gjyqësor ndaj tij në Francë sapo ka përfunduar. Ai po gjykohej atje mbi akuzat e autoriteteve të Serbisë, për, siç thuhet, krime lufte të kryera në periudhën e viteve 1998-1999.

Një orë para se të fillojë seanca ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, forca të shtuara të policisë franceze kanë filluar ta rrethojnë Gjykatën e Apelit në Colmar të Francës.

Vendimi
Gjykatë në Francë ka liruar ish-kryeministrin Ramush Haradinaj, mbi të cilin rëndojnë akuzat e autoriteteve të Serbisë për, siç thuhet, krime lufte të kryera në periudhën e viteve 1998-1999.

Gjykata në Colmar të Francës, që ka shtyrë vendimin e saj përfundimtar prej më shumë se tre muajsh, ka pranuar akuza shtesë nga autoritetet serbe që dallojnë, siç thuhet, nga ato të gjykuara vite më parë nga Gjykata për krime lufte në ish-Jugosllavi me të cilat është përballur Haradinaj në dy rastet e gjykimit në Hagë.

?Ish-kryeministri i Kosovës dhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, është ndaluar nga policia franceze më 4 janar, në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia përmes Interpolit. Ai akuzohet nga drejtësia e Serbisë për krime lufte.

Nisur nga këto akuza, Prokuroria Speciale e Serbisë, pati paraqitur dhe kërkesën për ekstradimin e Haradinajt në Serbi. Pas seancave gjyqësore më 9 shkurt, 2 mars dhe 6 prill, tani vendimi i ri për Haradinajn do të dihet më 27 prill.

Në një bisede për Radion Evropa e Lirë, Haradinaj, tha se proceduarat rreth procesit të tij janë shterur dhe dita e enjte pritet të jetë vendimtare në këtë proces ndaj tij.

“Nga praktikat e deritashme kanë ndodhur shumë befasi në procedura këtu. Vet fakti që jam katër muaj në këtë procedurë, flet për një, ta quaj ashtu, situatë shumë të çuditshme. Megjithatë, mendojmë së kjo është [seanca] e fundit për shkak se vetvetiu gjykata ka paralajmëruar se do të jetë seancë vendimmarrëse”, tha Haradinaj.

Ai mendon se ndalesa e tij nuk ka të bëj me asgjë tjetër, por siç thotë ai, ‘krejt kjo çështje është politike”.

“Definitivisht kjo proceduarë duhet të mbyllet si e tillë në refuzim të kësaj kërkese (të Serbisë për ekstradim), e cila është e motivuar dhe është krejtësisht politike me fabrikime dhe pa bazë ligjore”.

“Po ashtu edhe për faktin se jam shtetas i Kosovës dhe nuk njoh juridiksionin serb mbi Kosovën dhe mbi mua. Ftesa e tyre, ftesa e Beogradit, ose kërkesa për të shkuar atje është direkt kërkesë për luftë”, është shprehur Haradinaj.

Tutje, Haradinaj tha po ashtu se ‘ata të cilët kanë bërë ligje me tanke e që kanë sulmuar dhe kanë hapur zjarr në fëmijë e në shumë familje’, po kërkojnë tash ekstradimin e tij në Serbi.

“Kjo është një logjikë e rëndë e Beogradit. Kjo është një mbetje e logjikës së luftërave që kanë kaluar në Ballkan. Është e habitshme indiferenca e të gjithëve. Pra, të gjithë kanë qëndruar indiferent. Në këtë logjikë të Beogradit, ndryshe thënë, i bie që nëse ka një aktakuzë për Vuçiqin apo Daçiqin, apo njëri nga ta, atëherë unë do t’ju premtoj atyre gjykim fer në Prishtinë”.

“Beogradi ka shkuar shumë larg më ketë lojë dhe kushdo që është pjesë e kësaj loje duhet t’i vi turp për këtë qasje”, tha Haradinaj.

Tani, shqiptarët, ka thënë ai, nuk janë më të vetëm dhe nuk do të lejojnë ofendimet e as sulmet, siç kanë ndodhur më parë mbi ta.

“Mos të harrojmë se ne shqiptarët, nuk jemi jetim më. Kushdo nga fqinjët që mendon se mund të nëpërkëmben shqiptarët, duke i ofenduar dhe sulmuar, gabon. Shqiptari është i njohur për reciprocitet. Ai që na jep respekt, ne i japim respekt. Ai që na jep nder, ne i japim nder. Ai që na ndihmon i ndihmojmë, po ai që na godet ja kthejmë”, tha Haradinaj.

Ramush Haradinaj qe arrestuar edhe në vitin 2015 në Slloveni, po në bazë të një fletë-arresti të Serbisë. Ai ishte mbajtur për disa ditë në arrest në Lubjanë dhe më pas ishte liruar.

Haradinaj është gjykuar dy herë në Hagë, nën akuzat për krime lufte në territorin e ish-Jugosllavisë.

Ai pati dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës, më 8 mars të vitit 2005, vetëm disa muaj pas marrjes së detyrës, për t’u dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën e Hagës. Në vitin 2008, ishte shpallur i pafajshëm.

Po ashtu, një proces tjetër ndaj tij ishte iniciuar po në Hagë, por sërish qe shpallur i pafajshëm në vitin 2012, duke u liruar nga të gjitha akuzat që e ngarkonin për krime lufte. (REL)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne