Redaktori i tabloidid serb pro-qeveritar Informer, Dragan Vuciçeviq, është gjetur fajtor për përdorim gjuhe urrejtjeje kundër Anita Mitiç, në ish-aktiviste e OJQ-së Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata e Apelit në Beograd ka lënë në fuqi vendimin se akuzat e publikuara nga gazeta tabloide serbe Informer kundër Anita Mitiq, ish-drejtoreshë e Nismës Rinore për të Drejtat e Njeriut, YIHR, përbëjnë gjuhë urrejtjeje dhe urdhëroi redaktorin Dragan Vuciçeviq të paguajë një kompensim.

Gjykata vendosi se Vuciçeviq duhet të paguajë 100,000 dinarë serbë – rreth 840 euro – si kompensim për Mitiqin, si dhe shpenzimet gjyqësore prej 71,700 dinarësh. Ai gjithashtu është i detyruar të publikojë vendimin.

Informer, që shihet si e afërt me Partinë Progresive Serbe e presidentit Aleksandar Vuçiq, botoi një artikull në vitin 2017 që akuzonte OJQ-në se po përpiqej të krijonte “kaos” në Serbi përpara zgjedhjeve presidenciale të atij viti.

Ajo gjithashtu e quajti YIHR një “organizatë Soroiste-Shiptare-Fashiste”, duke e lidhur atë me filantropin miliarder George Soros – një figurë e urryer midis nacionalistëve në Europën Lindore – si dhe duke përdorur një term shumë fyes për shqiptarët.

Artikulli mbi YIHR u publikua pasi aktivistët e saj organizuan një protestë kundër fjalimit të një krimineli të dënuar lufte, Veselin Sljivançanin, në një ngjarje të Partisë Progresive në janar 2017.

Aktivistët i ranë bilbilave dhe hapën një banderolë me mesazhin: “Kriminelët duhet të heshtin që ne të mund të flasim për viktimat”.

Në tetor të vitit 2018, gjykata e apelit vendosi se aktivistët kishin shkelur ligjin duke protestuar në këtë ngjarje dhe gjobiti tetë anëtarë të YIHR me nga 50,000 dinarë secili, ose 420 euro.
19