Gjyqi moral ndaj Lubonjës

Doan Dani

Strategjia e përdorur nga Hermann Göring në gjyqin e Nurembergut, për të justifikuar përgjegjësinë e tij në apokalipsin nazist, synonte shtrirjen e traditës në përdhosjen e parimeve humanitare edhe në shtete të tjerë, si Britania e Madhe apo Shtetet e Bashkuara, me qëllim që slogani “kështu bëjnë të gjithë” – aq familjar në mbrapshtitë e shoqërisë së sotme shqiptare – të zhvlerësonte gjykimin. Pohimin “kemi vrarë” ai e balanconte me “kanë vrarë edhe të tjerët”, pa u trazuar aspak për shfajësimin. Dhe, parë nga kjo perspektivë, termi ‘fajtor’ është i pakuptimtë për kontekstin në fjalë.

E pamundur të mos përmblidhet gjyqi mediatik i këtyre ditëve ndaj Fatos Lubonjës në urimin cinik “Mirëserdhe në gjirin tonë”. Motivi është fragmenti i një dëshmie të Lubonjës, dhënë në 1975, që interpretohet si “shitje e babait” apo vrasje edipiane, nëse i referohemi fjalëve të Henri Çilit, i cili është edhe botues i sagës së Kadaresë së persekutuar, me autor Dashnor Kaloçin, përgatitur për t’i bërë «një lloj surprize Ismailit», siç thekson Çili. Fragmenti që sipas Çilit «ka rrezikuar thelbësisht Ismail Kadarenë […] në gjyq» është: «babai im më ka folur se kishte simpati si shkrimtar për Ismail Kadarenë, kurse për të tjerët thoshte se ata janë të paaftë dhe këto shkrime i bëjnë nga frika». Me këtë arsyetim, meqenëse Lubonja vijon, duke pohuar se «babai më ka thënë se në rast se nuk më transferojnë, do më mbrojë Ramiz Alia», teorikisht i rrezikuar ishte edhe Ramiz Alia, i cili, madje (në jetë), mund të kërkonte edhe ndonjë kompensim si i persekutuar-në-tentativë.

Kadareja përdoret nga Çili thjesht si referencë legjitimuese, ndërsa mëkati i pafalshëm i Lubonjës lidhet me Todin, atin e vrarë (moralisht) nga Edipi Fatos, që, vijon botuesi, ndryshe nga epilogu i mitit, «në vend t’i nxjerrë sytë vetes (e kam shkruar dhe te letra për Ismailin) na ka nxjerrë sytë të gjithëve». Në fakt Edipi shkon përtej konkurrencës seksuale brendafamiljare: ai vret të atin në rrugë sepse refuzon të drejtën e tij të parësisë, refuzon trashëgiminë, të shkuarën, normën e kthyer në moral, Ligjin që i vendos limite dëshirave personale në emër të ekzistencës së Tjetrit. Përkundër, Lubonja publik e citon, e tregon dhe e respekton të atin, ka histori dhe limit, ndryshe nga Çili publik që mishëron “makinën dëshiruese” dëlëziane në gjendjen e përkryer, e jo rastësisht nga e shkuara ka refuzuar të trashëgojë deri edhe emrin. Por Çilit i duhet një Tjetër i keq e jo një Vete e mirë.

Trupit gjykues u janë shtuar rishtazi Mustafa Nano dhe, ironikisht, Qemal Lame, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme të Shqipërisë në vitet 1981-1992, të cilin Nano e vlerëson si guximtar. Nëse nuk ka lajthitur, duhet të jetë vërtetë i guximshëm për të shkruar fillimisht se «Enver Hoxha u imponua të anulojë urdhrin për arrestimin e Ismail Kadaresë për shkak se nuk do të mbështetej dhe do të kishte reagim të fuqishëm nga opinioni i brendshëm dhe ai ndërkombëtar», e pastaj, tek i njëjti arsyetimin, në formë konkluzioni, se «Enveri vriste e zhdukte shokët dhe cilindo që mendonte se i rrezikonte pushtetin e pakufishëm».

Pasi pohon se «është publikuar dosja e hetimit të Fatos Lubonjës» nga Kaloçi, Nano shpreh ndjesinë e habisë dhe të zhgënjimit: tashmë edhe Lubonja është si gjithë të tjerët, i rënë (apo i ngritur!) në neizmin e Nanos, i përlyer, pa kode morali, e si i tillë nuk ka tagër kritike. Mirëpo gazetari ka djegur disa etapa themelore të arsyetimit. Së pari, «uau» duhet të jetë pasthirrma e lexuesit/dëgjuesit për gazetarin që ka mësuar një fakt të tillë pas 6 muajsh. Së dyti, sikur të ishte dosja e plotë, si minimum duhej të hapej debati sesi është mundur që botohet pa leje, pa vendim gjykate; si është e mundur, për shembull, që Kaloçi deklaron se dosjen e Lubonjës «kush të dojë mund ta verifikojë apo të na kërkojë ne, që edhe mund ta japim të plotë dorazi ose ta publikojmë në gazetë», ndërkohë që Çili deklaron se «i çuam [Çili dhe Kaloçi] një kërkesë Ministrisë së Brendshme për të pasur gjithë dosjen në funksion si studiues, për projekt kërkimor dhe na erdhi përgjigje negative nga Ministria e Brendshme, sepse futja e ligjit të ri për dosjet krijon disa kufizime dhe kërkon që vetëm të interesuarit, të përmendurit ose të prekurit mund të kërkojnë hapjen e saj».

Së fundmi, Kaloçi ka botuar një dokument e jo dosjen e Lubonjës, çka vështirëson gjykimin e aq më tepër dhënien e këtyre vendimeve fast food, ose, të paktën, nuk lejon që, me kritere morali, të barazohet kritika e Lubonjës ndaj Kadaresë me kritikën ndaj Lubonjës. Ky i fundit i kundërvihet Kadaresë sepse në një sistem të ngritur mbi lirinë ai mëton prej vitesh, përmes një mekanizmi që lëviz me anë të rrjetit të interesave reciproke, të konvertohet në të persekutuarin regjimit, nga shërbëtor i privilegjuar në viktimë, siç të krijon përshtypjen libri i Kaloçit. Thënë ndryshe, ai nuk i kërkon Kadaresë të ishte as shenjtor, as martir e as hero në një “situatë ekstreme” – për të huazuar një togfjalësh të Tzvetan Todorov-it – si ajo e burgjeve të një totalitarizmi famëkeq, të cilën Lubonja e provoi mbi kurriz familjarisht (ndërsa e ardhmja e fëmijëve të Ismailit projektohej në Bllok, ajo e fëmijëve të Fatosit shkatërrohej në internim), por i kërkon të ketë dinjitet sot e të mos e tregtojë si disidencë trimërinë e shkrepur për në Paris, pasi kishte rënë Muri. Ndërsa, të kundërtën po bëjnë gjykatësit e Lubonjës. E njëjta kritikë adresohet prej tij edhe ndaj mediave që fabrikojnë Kadarenë mendimtar dhe gjeneral pas luftës me intervista e tituj patetikë si ai i Panoramës: «Kadare: ju rrëfej si e njoh unë Enver Hoxhën, ishte mediokër si Marksi, Lenini, Stalini dhe Hitleri», ku në fakt Lubonja ka hisen e vet të përgjegjësisë, më shumë se për vagonët e shtyrë në minierën e burgut, sepse kontribuon prej shumë vitesh që ato të cilat ai quan oligarki, teksa zgjate(shi)n si ameba, të “lajnë duart” me hapësirën e dhënë ca zërave me integritet.

Shkrimtari i madh, që me sa duket ka vendosur të mos i nënshtrohet të bërit njeri deri në vdekje, duhet të ketë fërkuar duart kur më në fund ka parë sulmin ndaj Lubonjës, por vonesa e Nanos në këtë “zbulim” e sidomos e Çilit (botuesit), në përpjesëtim të zhdrejtë me ngutjen për të arritur në vendime e ndëshkime morale ndaj Lubonjës, mund të interpretohet fare mirë si zgjatim me porosi i penelit të Ramës kundër kritikut të tij më me personalitet, koherencë e indiferencë për pazare personale. Nëse humanizimi i njeriut është frenimi përpara Tjetrit, këta nuk arrijnë dot në këtë shkallë evolucioni as në liri, e jo më në “situatat ekstreme” todoroviane, dhe kjo është fytyra jotransitore, natyrisht e paskuqshme, e Shqipërisë së shtrënguar në darën e Njeriut të Ri e të homo felixit tejmodern./ pb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne