Gjyqtarja, 30 mijë euro dëmshpërblim se i anuluan vizitën në cirkun kinez

“Ligji është i barabartë për të gjithë”. Ky është postulati që gjendet në të gjitha gjykatat në vend. Por, ligji deri më tani nuk ka patur të njëjtin efekt mbi çiftin e gjyqtarëve Shkëlzen dhe Rilinda Selimi, që të dy ata pjesë e një drejtësie që po verifikohet nga vettingu.

Përveç Shkëlzen Selimit, që ka përfituar nga gjyqësori e nuk ka pritur në radhë në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën e Apelit për çështjen e një pike karburanti, nuk ngelet pas as bashkëshortja e tij.

Mund të tingëllojë paradoksale, por a keni dëgjuar që ndonjë qytetar tjetër të fitojë një proces, sepse atij i anulohet udhëtimi jo për faj të kompanisë së udhëtimit, por për shkak se kishte probleme me pasaportat e fëmijëve?

Ka një rast dhe ai është një e i vetëm! Është procesi i gjyqtares administrative Rilinda Selimi, e cila fitoi në Shkallën e Parë të Tiranës dëmshpërblimin prej 30 mijë euro. Padia e ngritur nga ajo ishte dështimi i një udhëtimi drejt Milanos.

Vendimi me numër 921 është dhënë nga gjykata e kryeqytetit më 13 shkurt 2017. Gjyqtarja e Apelit Administrativ, Rilinda Selimi ka dorëzuar padi në emër të tre fëmijëve të saj dhe të mbesës për një udhëtim të pakryer në vitin 2016, pikërisht atëhere kur dhjetra shtetasve shqiptarë ju dha apeli nga policia që të ribënin pasaportat për fëmijët, raporton TCH.

Me prova të pamjaftueshme, por ndoshta me miqësi të mjaftueshme, gjyqtarja Rilinda Selimi fitoi në gjykatë.

Rilinda Selimi fitoi 30 mijë euro nga kompania e fluturimit me argumentin se i ishte ndaluar një udhëtim për të cilin kishte planifikuar që nga pronotimi në cirkun kinez, vajtje në muze, në Mantova deri tek menyja e ushqimit.

Por çifti Selimi ishte mësuar më herët të fitonte me çdo kusht. Edhe për pikën e karburantit të kthyer në një makth për planifikimin e territorit në Vlorë, gjyqtari i lartë, Shkëlzen Selimi e fitoi procesin në kohë rekord, si në shkallën e dytë dhe në të Lartën, pavarësisht se gjykatat ishin të mbytura nga stoku dhe çështje të ngjashme si e tij, ende po presin të dalë data e seancës.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne