Gjyqtarja që zvarriti drejtësinë; dha dorëheqjen në ditën e vendimit

Historia e një qytetareje suedeze, që e zvarritën nëpër gjykatat shqiptare për 8 vite, derisa iu pranua kërkesa për t’i njohur si baba biznesmenin Vehbi Velija, rrezikon të ardhmen në sistem të 25 gjyqtarëve e prokurorëve që nuk hetuan se çfarë aferash po ndodhnin në këtë dosje.

Mes 25 gjyqtarëve e prokurorëve që nuk hetuan kolegët për rastin e Ana Nordstrom janë 18 gjyqtarë të Gjykatës së Tiranës, që me dorëheqje të pajustifikuara e bllokuan procesin e Anës për gati një dekadë, edhe pse raste të ngjashme si i saj janë zgjidhur gjyqësisht për një muaj.

Ajo që i implikon gjyqtarët lidhet me faktin se Ana Nordstrom ishte njohur nga Vehbi Velija si vajzë e tij, por në Shqipëri gjykatat e vonuan derisa pasuritë e të ndjerit të tjetërsoheshin në mënyrë që suedezja realisht të mos gëzonte si trashëgimtare e pasurive të tij.

Formula e ndjekur nga gjyqtarët e kryeqytetit është e njëjtë, pasi e mbanin gjykimin për muaj të tërë nën shqyrtim, për shkaqe të befta jepnin dorëheqjen duke sjellë kështu rihedhjen e shortit.

Në këtë skemë janë implikuar 18 gjyqtarë dhe shtatë prokurorë që nuk hetuan kolegët në kohën kur Ana Nordstrom kallëzoi aferën në organin e akuzës . Drejtësi për Ana Nordstrom ka dhënë vetëm gjyqtari Artan Lazaj , ndonëse më pas, pasi ajo u sorrollat njësoj nga Apeli, derisa ndërhyrja e Gjykatës së Lartë e njohu si trashëgimtare.

Por, skandali i dorëheqjeve në Gjykatën e Tiranës ka edhe lëvizje flagrante, sikurse dorëheqja e gjyqtares Rezarta Vigani Balliu, pikërisht ditën që ishte caktuar për të shpallur vendim. Dorëheqja e saj nga gjykimi përkon me kohën kur bashkëshorti i gjyqtares, Arjan Balliu ishte inspektor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, e njëjta kohë kur shtetasja suedeze ishte ankuar edhe pranë KLD për kapjen problemin e saj.

Por, pavarësisht kësaj shkeljeje, ndaj gjyqtares Rezarta Vigani Balliu nuk u mor asnjë masë në KLD, përkundrazi, pas dorëheqjes së saj nga gjykimi për Anën, bashkëshorti i saj u emërua gjyqtar në Apelin e Durrësit.

Në deklaratën e pasurisë, gjyqtarja Rezarta Vigani Balliu deklaron si të ardhura, përveç rrogës edhe shumën prej 1.956.570 lekë që janë paguar nga një firmë ndertimi si kompensim në procesin civil, ku babai i saj ankohej për vonesat e dorëzimit të një dyqani.

Gjithashtu, deklarohen prej gjyqtares si të ardhura 600 mijë lekë nga një objekt 105 metra katrorë i dhënë me qira, kursime familjare prej 1 milionë lekë dhe të ardhura nga shitja e një apartamenti në Tiranë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne