Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë shpërndan ndihma në Shqipëri

Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë në bashkëpunim me Fondacionin ALSAR ka shpërndarë sot ndihma për qindra familje me rastin e muajit të shenjtë të Ramazanit, duke ofruar mbështetje për jetimët në Shqipëri, raporton Anadolu Agency (AA).

Në ceremoninë e organizuar për shpërndarjen e pakove ushqimore në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në Tiranë, merrnin pjesë zëvendës ambasadori i Turqisë në Tiranë, Sinan Cem Baş, drejtori i Gjysmëhënës së Kuqe të Turqisë për Stambollin, Ilhami Yıldırım, kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, fëmijë jetimë nga e gjithë Shqipëria dhe familjarë të tyre.

Kryetari i Fondacionit ALSAR, Mehdi Gurra, duke folur në këtë ceremoni tha se sot shpërndahen 700 pako për jetimët që mbështet fondacioni që ai drejton. “Prej vitit 2008 jemi mundur të mbështesim dhe ndihmuar familjet në nevojë dhe fëmijët jetimë. Shpresoj se kjo ndihmë do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, theksoi Gurra.

Ndërsa zëvendës ambasadori i Turqisë në Tiranë, Sinan Cem Baş, duke theksuar se Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë shpërndan ndihma për familjet në nevojë në Shqipëri, u shpreh se “Miqësia mes popullit turk dhe atij shqiptar i ka rrënjët që 6 shekuj më parë. Gjatë kësaj periudhe miqësia jonë është forcuar dhe ne jemi dy popuj që kemi ndarë me njëri-tjetrin vështirësitë, të mirat dhe festimet. Marrëdhënie e sinqertë mes dy popujve duket qartë si në marrëdhëniet mes dy shteteve ashtu edhe në ato mes shoqërisë civile. Populli shqiptar ka një vend të rëndësishëm në zemrën e popullit turk. Aktiviteti i sotëm është pasqyrim i këtij realiteti. Ne si shtet dhe shoqëri civile kemi qenë dhe do të qëndrojmë gjithmonë pranë popullit shqiptar”, theksoi Baş.

Një fjalë përshëndetëse në këtë ceremoni, mbajti edhe Ilhami Yıldırım, drejtori i Gjysmë Hënës së Kuqe të Turqisë për Stambollin, i cili u shpreh se shteti turk vazhdon të jetë pranë familjeve në nevojë të Shqipërisë.

Ai shtoi më tej se “Turqia, shteti turk, populli turk dhe institucionet turke, ju konsiderojnë vëllezër dhe ne ju duam shumë. Muaji i Ramazanit është muaji i bereqetit, i ndarjes me të tjerët dhe solidaritetit. Ashtu sikurse në Ramazanin dhe Kurban Bajramin e kaluar ne do të jemi edhe këtë vit bashkë me ju, ndërsa do të vazhdojmë të jemi pranë jush si Gjysmëhëna e Kuqe Turke dhe popull turk gjithmonë”.

Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë në bashkëpunim me Fondacionin ALSAR po shpërndajnë ndihma me rreth 1400 pako ushqimore për familjet në nevojë në Shqipëri./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne