Gjysmëhëna e Kuqe Turke vazhdon të dërgojë ndihma pas përmbytjeve në Shqipëri

Gjysmëhëna e Kuqe Turke (Kizilay) shpërndau të hënën ndihma për banorët e prekur nga përmbytjet në zonën e Fushë Krujës në Shqipëri.

Kizilay siguroi ndihma ushqimore, materiale higjienike dhe materiale të tjera për banorët e prekur nga përmbytjet që përfshinë disa qytete të Shqipërisë në fillim të dhjetorit.

I pranishëm në shpërndarjen e ndihmave për dhjetëra familje në Njësinë Administrative Fushë Krujë, ishte edhe përfaqësuesi i Gjysmëhënës së Kuqe Turke, Abdullah Tatlıcı.

Tatlıcı gjatë shpërndarjes së ndihmave u përcolli familjeve të prekura nga përmbytjet përshëndetjet e Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Në një prononcim për AA, Tatlıcı theksoi se përfaqësuesit e Gjysmëhënës së Kuqe Turke kanë ardhur në Shqipëri për të ndihmuar familjet, që janë prekur nga përmbytjet dhe do të shpërndajnë ndihma edhe në qytetin e Vlorës, Fierit dhe Fushë Krujës.

“Kamionët tanë me ndihma kanë mbërritur mbrëmjen e të dielës në Shqipëri dhe filluam me shpërndarjen në Fushë Krujë. Ndihmat konsistojnë në ushqime, paketa higjienike dhe batanije. Falënderoj Kryqin e Kuq Shqiptar për bashkëpunimin dhe mbështetjen për të realizuar shpërndarjen e ndihmave. Gjysmëhëna e Kuqe mundohet që të jetë në gjithë botën, ku ka fatkeqësi natyrore. Sot ne jemi në Shqipëri pranë vëllezërve tanë për t’i ndihmuar. Gjysmëhëna e Kuqe e Turqisë ka qenë gjithmonë prezent në trojet e Ballkanit dhe sot jemi këtu për t’iu ardhur në ndihmë të gjithë banorëve të prekur nga përmbytje”, tha Tatlıcı.

Gjysmëhëna e Kuqe Turke do të ndihmojë rreth 1000 familje me pako ushqimore me standard mujor 20 kg, ku përfshihen produkte ushqimore, si vaj, fasule, oriz, sheqer, kripë, etj. Gjithashtu Gjysmëhëna e Kuqe Turke do të ofrojë për familjet e prekura nga përmbytjet edhe batanije dhe materiale higjienike.

Shpërndarja e pakove me ndihma ofruar nga Gjysmëhëna e Kuqe Turke do të vazhdojë edhe në ditët në vazhdim në disa qytete të Shqipërisë.

Kujtojmë se edhe gjatë përmbytjeve të viteve të kaluara, institucione dhe organizata të ndryshme turke shpërndanë ndihma për banorët në zonat e prekura nga përmbytjet në Shqipëri. (AA)

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne