Globalizimi i islamofobisë, kërcënim për paqen

Sulmi terrorist në Zelandën e Re shfaq natyrën e rritjes alarmuese të islamofobisë. Sa për ilustrim, mund të përmendim që në vitin 2017 në Francë u raportuan 121 incidente të islamofobisë, në Austri 256, në Gjermani ndodhën 100 sulme në xhami, kurse në Spanjë ishin regjistruar 546 sulme kundër myslimanëve

Shkruan: Muhamed JASHARI, Shkup

Në pyetjen e presidentit Trump drejtuar kryeministres së Zelandës se Re, Jasica Ardern, se vallë çfarë ndihme mund t’i ofrojë SHBA-ja Zelandës pas këtij akti terrorist, ajo thjesht iu përgjigj: “…Simpati dhe dashuri për të gjithë komunitetet myslimane!”

Gjatë muajit që e lamë pas opinioni botëror ishte dëshmitar i një akti me përmasa tragjike pikërisht në një vend ku askujt prej nesh nuk do t’i binte ndër mend se mund të ndodhë! Viktimë e terrorizmit kësaj radhe ishte Zelanda e Re! Në bazë të Freedom House-it, Zelanda e Re konsiderohet një shtet i cili e mban rekordin për zgjedhje të lira e të ndershme, vend që i garanton liritë civile dhe të drejtat politike, kurse liria religjioze është e mbrojtur me ligj dhe e zbatueshme në praktikë. Kështu, në zgjedhjet parlamentare të para dy viteve një refugjate arriti që të fitojë ulëse në Kuvend.

Ndër prioritetet e qeverisë së Zelandës së Re, në vitin 2017, ishte reduktimi i varfërisë së fëmijëve, të cilën organizatat joqeveritare e kishin identifikuar si një problem të rëndësishëm në vend. Mirëpo, vlen të thuhet që ky fenomen në vendet e zhvilluara siç është Zelanda e Re nuk ka të bëjë me privimin absolut të të mirave, por me mungesën e burimeve që pengojnë pjesëmarrjen e plotë të fëmijëve në shoqëri. UNICEF-i këtë e definon fenomen edhe si mungesë të aktiviteteve, si p.sh.: mësimi i një vegle muzikore, luajtja e ndonjë sporti ose mungesa e festimit të ditëlindjes! Në këtë pjesë të botës ku ndodhemi ne, një shtet të tillë do ta hasnim vetëm në ndonjë vepër imagjinare utopike që flet mbi rregullimin shtetëror, si Qyteti i Diellit (Tommaso Campanella) ose Utopia (Thomas More)!

Megjithatë, edhe ky vend, i cili është shembull i demokracisë, mirëqenies dhe oazë e paqes, u godit nga terrorizmi, që erdhi si rezultat i islamofobisë, racizmit kulturor dhe ndenjës së supremacionit të të bardhit kundrejt të tjerëve që nuk janë si ai, në këtë rast kundër myslimanëve.

Pas kësaj, në takimet e nivelit të lartë të diplomacisë multilaterale tanimë pjesë e agjendës, krahas probleme të shumta globale qoftë politike, ekonomike, etike, e ekologjike që ballafaqohet planeti, do të duhej të zinte edhe luftimi i islamofobisë si një fenomen që kërcënon paqen! Islamofobia është një koncept i cili shpreh frikën, urrejtjen dhe poshtërimin e drejtuar kundër Islamit dhe myslimanëve.

Sulmi terrorist në Zelandën e Re shfaq natyrën e rritjes alarmuese të islamofobisë. Sa për ilustrim, mund të përmendim që në vitin 2017 në Francë u raportuan 121 incidente të islamofobisë, në Austri 256, në Gjermani ndodhën 100 sulme në xhami, kurse në Spanjë ishin regjistruar 546 sulme kundër myslimanëve. (European Islamophobia Report, SETA; 2017).

Huffingtonn post vë në dukje se në vendet e ndryshme të botës, sidomos në Perëndim, diskursi, retorika dhe politikat anti-myslimane nëpër institucionet, mediat dhe elitat e ndryshme politike janë bërë normale. Christchurch-i, por edhe sulmi terrorist i Andres B. Breivik-ut në Norvegji, vite më parë, janë pasojë e gjithë kësaj! Dijetari bashkëkohor mysliman Ziauddin Sardar konstaton se manifestimet aktuale të islamofobisë janë pak më shumë se një rishfaqje e fenomeneve historike anti-islame. Për të “islamofobia dhe paragjykimi ndaj muslimanëve ka një kujtesë të gjatë dhe ende qëndron kaq thellë në vetëdijen historike [perëndimore]”.

Brenton Tarant, i cili terrorizoi njerëzit në dy xhami të Zelandës, u frymëzua nga ekstremistët e mbarë botës, të cilët përdorin platforma të ndryshme on-line për ta globalizuar urrejtjen kundër emigrantëve dhe islamofobinë. Ashtu si dikur nëpër Evropë, kur haseshin trajta të ndryshme të diskriminimit dhe të urrejtjes kundër hebrenjve, duket se sot kjo po  u përsëritet komuniteteve myslimane! Islamofobia dhe antisemitizmi janë dy anë të së njëjtës medalje. Andaj bota do të duhet që islamofobisë t’i përgjigjet në të njëjtën mënyrë siç iu përgjigj antisemitizmit pas Luftës së Dytë Botërore! Rritja e islamofobisë e kërcënon paqen, stabilitetin dhe sigurinë globale e rajonale. Ajo është shndërruar në një kërcënim real për themelet e rendit demokratik dhe vlerat të cilat promovohen sot nga UE-ja.

Luftimi i islamofobisë në mënyrë institucionale, duke filluar nga rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara e deri te parlamentet e shteteve, tanimë pas ndodhisë në Zelandën e Re, është bërë sine qua non, detyrë e pashmangshme! Ideja e një nisme të atillë, që e paralajmëroi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Gueteras, do të ishte është një hap i duhur në këtë drejtim!

Këtu duhet theksuar se qytetarët dhe shteti në Zelandën e Re i dhanë leksion botës mbi bashkëjetesën. Terrori ua theu zemrat, por jo edhe unitetin. Kjo u dëshmua duke filluar nga kryeministrja, mediat, e deri te fëmijët, që së bashku më mësimdhënëset e tyre vizitonin xhamitë në shenjë mbështetje për bashkëqytetarët e tyre myslimanë. Ata vërtet i humbën 50 qytetarë, por i fituan zemrat e miliona njerëzve, që e duan paqen dhe të mirën e njerëzimit! Je Suis Nouvelle-Zélande!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne