“Gobeklitepe” e Turqisë përfshihet në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s

“Gobeklitepe”, një sit arkeologjik në juglindje të Turqisë, konsideruar si tempulli më i vjetër në botë, është shtuar në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, njoftoi të dielën Ministria turke e Punëve të Jashtme.

Përmes një komunikate të shkruar në faqen e saj të internetit, MPJ turke bëri me dije se vendimi është marrë gjatë sesionit të 42-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në kryeqytetin Manama të Bahrejnit.

“Gobeklitepe” ka qenë në Listën e Përkohshme të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s që nga viti 2011.

Sipas MPJ turke, e pozicionuar në Mesopotaminë e Epërme dhe me një histori 11.000-vjeçare, ajo është “struktura megalitike më e vjetër e njohur në botë”.

Turqia mburret tashmë me 18 site arkeologjike të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

“Si rezultat i përpjekjeve intensive të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, Komisionit Kombëtar Turk për UNESCO-n dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, me miratimin e këtij vendimi, numri i siteve arkeologjike të Turqisë të regjistruara në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s ka arritur të 18”, shtoi deklarata e MPJ turke.

Gjatë përgatitjeve për kandidaturën e saj, një çati çeliku prej 4.000 m2 u ngrit për të mbrojtur këtë sit unik.

Pasi u mbyll përkohësisht për vizitorët për shkak të restaurimit, “Gobeklitepe” u rihap pjesërisht në shkurt.

Zbuluar fillimisht në vitin 1963, gjatë kërkimeve sipërfaqësore të realizuara nga arkeologë të Universitetit të Stambollit dhe Universitetit të Çikagos në Lagjen “Orencik” të rrethit Sanliurfa, 18 km nga qendra e qytetit, gërmimet intensive në këtë sit të rëndësishëm të Turqisë vijojnë prej më se gjysmë shekulli.

Që prej vitit 1995 e këtej, në kuadër të projektit të përbashkët të Institutit Gjerman të Arkeologjisë në Berlin dhe Muzeut të Sanliurfas, në “Gobeklitepe” janë zbuluar dhjetëra obeliskë të periudhës neolitike me trajtën e germës “T”, përmasat e të cilëve ndryshojnë nga 3 deri në 6 m dhe peshat nga 40 deri në 60 tonë, të zbukuruar me figura kafshës të egra.

Në këto gërmime arkeologjike janë zbuluar po ashtu rrënojat e tempullit më të vjetër në botë, me trajtë drejtkëndore dhe rrethore me diametër 8-30 m. Ky objekt kulti parahistorik, i cili mendohet të ketë një të kaluar rreth 12.000-vjeçare, ka në inventarin e zbulimeve edhe vepra historike të ndryshme, përfshi këtu disa statuja njerëzore 65 cm të larta./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne