Greqi – Admirali Evangelos Apostolakis fillon zyrtarisht detyrën e ministrit të Mbrojtjes

Me rastin e fillimit të detyrës së admiralit Apostolakis, në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare në Athinë u organizua një ceremoni.

“Ekziston edhe rruga e konfliktit, edhe rruga e bashkëpunimit. Kur bashkëpunimi është realizuar, atëherë ka pasur mirëqenie. Dua që këtë t’ua rikujtoj edhe fqinjëve tanë. Ndërsa kur është shfaqur nacionalizmi, atëherë rrënim kanë pësuar edhe popujt”, deklaroi gjatë fjalës së rastit ministri i ri i Mbrojtjes së Greqisë, i cili ka qenë shef i Shtatmadhorisë që prej vitit 2015.

Mbrëmjen e së hënës, Apostolakis filloi zyrtarisht detyrën e ministrit pas betimit me një ceremoni fetare në Presidencën e Greqisë, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Alexis Tsipras.

Në postin e zbrazur nga admirali Apostolakis në krye të Shtatmadhorisë së Greqisë u emërua gjenerallejtënant Konstantinos Floros, i cili ishte zëvendës i tashmë ministrit të Mbrojtjes.

Nga ana tjetër, 2 avionë “Mirage 2000” fluturuan për herë të parë me rastin e ceremonisë së dorëzimit dhe marrjes së detyrës së ministrit të Mbrojtjes Kombëtare të Greqisë.

Shtypi athinas e cilësoi fluturimin e avionëve luftarakë për këtë ceremoni si “demonstrim force” të ish-ministrit Kammenos.

Votimi i Marrëveshjes së Prespës në Shkup dhe miratimi i saj në ditët në vijim nga Parlamenti grek e kanë shtyrë kreun e Partisë Grekët e Pavarur (ANEL), Panos Kammenos, që të japë dorëheqjen.

“Çështja e emrit të Maqedonisë nuk më lejon të mos sakrifikoj postin tim”, ka deklaruar ish-ministri i Mbrojtjes duke shtuar se nuk mund të vazhdonte më bashkëpunimin qeveritar me Koalicionin e së Majtës Radikale (Syriza) të Kryeministrit Tsipras./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne