Greqi, arrestohen 11 shqiptarë, u përpoqën të futeshin në shtetin fqinj pa dokumenta

Autoritetet greke kanë intensifikuar operacionet për parandalimin e hyrjes dhe qëndrimit në territorin e vendit të emigrantëve të paligjshëm. Vetëm në orët e fundit, në zonën e Janinës janë arrestuar 11 shtetas shqiptarë, si dhe personat që kishin marrë përsipër çuarjen e tyre në destinacionet përkatëse.

Në afëri të Delvinakit, pranë kufirit me Shqipërinë, patrullat policore kanë ndaluar pas një përndjekjeje një furgon në karrocerinë e të cilit ndodheshin gjashtë shtetas shqiptarë pa dokumente. Drejtuesi i mjetit, një shtetas grek 41 vjeçar, e braktisi furgonin dhe u largua, ndërsa u shpall person në kërkim.

Gjashtë shtetasit shqiptarë, të moshës nga 25 deri 51 vjeç, do të dërgohen në prokurori. Në një operacion tjetër, në rrugën Janinë-Kozani, 40 km nga pika kufitare e Kakavijës, u ndalua një automjet me drejtues një shtetas shqiptar të moshës 37 vjeç.

Pesë bashkatdhetarët që kishte për pasagjerë, dy meshkuj dhe tre femra, ishin që të gjithë pa dokumenta hyrjeje dhe qëndrimi, ndërsa ndaj njerit prej tyre ishte në fuqi masa e ndalimit të hyrjes në Greqi. Policia thotë se drejtuesi i mjetit ishte ofruar t’i çonte në destinacion kundrejt pagesës.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne