Greqi, protestë me incidente kundër racizmit

Në Greqi u organizua një protestë në përkujtim të muzikantit Pavlos Fissas, i cili është vrarë 5 vite më parë nga një anëtar i partisë ekstremiste të djathtë Agimi i Artë. Gjatë protestës kishte përleshje mes policisë dhe protestuesve.

Mijëra protestues u mblodhën në lagjen Keratsini, në afërsi të Athinës, ku është vrarë Fissas. Protestuesit marshuan me slogane anti-raciste dhe anti-fashiste.

Disa persona me maska në fytyrë, të cilët tentuan që të kalonin barrikadën e policisë në një rajon të afërt me zyrën e Partisë Agimi i Artë në Pire, gjuajtën me gurë dhe koktej molotovi ndaj policëve, kurse edhe forcat policore iu përgjigjën atyre me gaz lotsjellës. Protestuesit po ashtu vendosën në zjarr kazanët e mbeturinave.

Sipas lajmeve të mediave greke thuhet se edhe në protestën e organizuar në Selanik për Pavlos Fissas kanë ndodhur incidentet e ngjashme.

Ndërkohë, 34 vjeçari Pavlos Fissas, i cili njihej si majtist, 5 vite më parë në afërsi të Athinës ishte vrarë me një sulm me thikë nga anëtari i Partisë Agimi i Artë Yorgo Rupakias. Procesi gjyqësor për Rupakiasin, ende nuk ka përfunduar.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne