Greqia drejt zgjedhjeve të parakohshme?

Gazeta konservatore greke “Kathimerini” njofton sot për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme në muajin mars. Gazeta i referohet burimeve afër kryeministrit Alexis Tsipras dhe e lidh opsionin e zgjedhjeve që sipas saj do të kërkohen nga vetë kryeministri me një seri zhvillimesh të brendshme dhe të jashtme.
Arsyeja kryesore që duket se po nxit Tsipras drejt këtij skenari është situata që po fermentohet në raportet mes BE-së dhe Italisë për buxhetin. Përplasja ka sjellë efekte negative në emetimin e bondit si dhe e bën të vështirë rikthimin në tregje të Greqisë. Me bllokimin në këtë drejtim Tsipras nuk ka më asnjë argument përtë mbështetur tezën e tij se Greqia është ringritur dhe ka dalë nga kriza dhe mbikëqyrja ndërkombëtare. Meqenëse emetimi i bondit nuk është i këshillueshëm atëherë qeverisë do t’i duhet të kërkojë sërish para nga kreditorët dhe Tsipras po synon zgjedhjet përpar se ta bëjë një gjë të tillë.

Gazeta spekullon se një tjetër manovër e kryeministrit grek është fakti se në fillim të vititi tjetër ai do të ketë disbursuar personat me të ardhura të ulëta dhe të vetëpunësuarit që mendon t’i shndërrojë kështu në votues potencialë.

Bashkë me zhvillimet e brendshme si dështimi eventual i marrëveshjes me Kishën për nxjerrjen jashtë listë pagesave të klerikëve si dhe ratifikimi i marrëveshjes së Prespës nga parlamenti maqedonas në janar, arsyet për zgjedhje ngjajnë mëse të mjaftueshme. Të paktën kështu shkruan gazeta e djathtë greke e cila është një kritike e vendosur e qeverisjes së majtë të Akexis Tsipras.

Në serinë e shkrimeve kundër tij, gazeta ka ngulitur idenë se kryeministri grek është përmbi të gjitha një takticien i paskrupullt, një manovrues i shkathët dhe me aftësi të konsiderueshme për diversione. Strategjia e tij e vetme është mbijetesa në pushtet edhe pse duhet thënë se Tsipras është larguar shumë nga premtimet me të cilat erdhi në pushtet. Zgjedhje ose jo, kjo mbetet për t’u parë, por zgjedhjet asnjëherë nuk sjellin ndonjë gjë të keqe. Të paktën jo aq të këqija sa zvarritja.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne