Greqia ul ndjeshëm tarifat për lejet e qëndrimit të emigrantëve, përfitojnë edhe shqiptarët

Parlamenti grek ka filluar diskutimin dhe voton në ditët në vijim një amendament të depozituar së fundmi nga Ministria e Politikave të Emigracionit, që propozon uljen e tarifave të lejeve të qëndrimit të emigrantëve të huaj në masën mbi 50%, duke favorizuar në këtë mënyrë edhe qindra mijëra emigrantë shqiptarë.
Këto tarifa u përkasin lejeve të dhëna sipas udhëzimeve europiane, për të cilat emigrantët në Greqi kanë paguar deri tani më shumë sesa ata të vendeve të tjera të BE-së, fakt për të cilin Athina është paralajmëruar nga Komisioni Europian se mund të penalizohet. Bëhet fjalë për rreth 24 mijë leje të rezidentit afatgjatë (epi makron), 51 mijë leje unike, 134 mijë leje për bashkim familjar, gati 900 leje për studime dhe kërkime, si dhe e ashtuquajtura “karta blu”.

Amendamenti sjell gjithashtu një masë mjaft të favorshme për brezin e dytë të emigrantëve, që paguanin pas moshës 18 vjeç siguracion privat për të marrë leje qëndrimi, ndërsa tani atë mund ta sigurojë njëri nga prindërit.

Në të njëjtën kohë rriten tarifat për lejet që u jepen individëve ekonomikisht të pavarur, nga 300 në 1.000 euro, ndërsa nga 500 deri në 2.000 euro rritet vlera për ata persona që përfitojnë leje qëndrimi pasi kanë blerë pasuri të palujtshme ose investojnë në Greqi.

Amendamenti përkatës nuk ndryshon shumën prej 300 eurosh për lejen e qëndrimit të brezit të dytë të emigrantëve, ndërsa krijohet gjithashtu një tarifë e re për emigrantët që aplikojnë për lejet me qëndrim të përhershëm, si dhe rritet nga 50 në 100 euro pagesa për lejen e një punëtori sezonal./ lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne