Greqia zbardh paktin e kufirit me Shqipërinë, Kotzias: Do të dyfishojmë territorin detar

Ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ka deklaruar se me marrëveshjen për përcaktimin e kufirit detar me Shqipërinë, Greqia do të zgjerojë hapësirën e saj detare. Gjatë një interviste për radion greke “News 24/7”, Kotzias tha se Greqia do të marrë 100% influencën e saj në ishujt veriorë të Korfuzit.

Sa i përket shtrirjes së mëtejshme të ujërave territoriale në 12 milje, ministri i Jashtëm grek tha se kjo do të bëhet gradualisht. Ai e barazoi këtë lëvizje me një zgjerim të Detit Territorial.

“Do të jetë hera e parë që Greqia, pas dekadash, do të zgjerojë horizontin e saj territorial”. Për të shkuar te 12 miljet, baza do të jetë Deti Territorial. Sepse ju e dini se, zona ekonomike ekskluzive nuk na jep të drejta sovrane, nuk është sovranitet, nuk është si toka, ndërsa Deti Territorial është si toka, janë të drejta sovraniteti, është zgjerim i Greqisë dhe zgjerimi i Greqisë është një veprim që do të ndodhë dhe do të jetë hera e parë pas shumë dekadave që Greqia zgjeron horizontin e saj”, tha Kotzias.

I pyetur nëse bëhet fjalë për disa mijëra kilometra, Kotzias nuk dha shifra dhe metodologjinë se si do të bëhet, por tha se Greqia do të dyfishojë Detin e saj Territorial. “Zgjerimi i Detit Territorial do të çojë në dyfishimin e Detit Territorial, domethënë në zonën detare, do të kemi dyfishim të sovranitetit tonë”, tha ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias.

Sipas tij, Greqia dhe Shqipëria ndodhen në përfundim të negociatave për marrëveshjen e delimitimit të zonave ekskluzive ekonomike. “Ka pasur një negocim më të hershëm, kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për një zbatim jo të saktë të së drejtës ndërkombëtare, pati disa çështje teknike dhe tashmë jemi në përfundim të këtyre negociatave”, tha dje Kotzias, gjatë një interviste për radion vendase “News 24/7”. Ministri i Jashtëm grek dha edhe disa detaje lidhur me pritshmëritë e Athinës nga këto negociata.

“Ne duam të kemi 100% influencën mbi ishujt, posaçërisht atyre që janë sipër Korfuzit, e para së gjithash Otonoit. E them këtë, sepse, në marrëveshjen e vitit 2009, e morëm influencën 100%. Por Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë bëri një konstatim: se në marrëveshjen që bëri Kostandinos Karamanlis në 1997 për shelfin kontinental me Italinë, influenca që vetë Karamanlis i dha Otonoit ishte 70%. Rrjedhimisht, ka një vështirësi ligjore, por besoj se do ta kapërcejmë në maksimum”, tha Kotzias.

I pyetur nëse delimitimi i zonave ekskluzive ekonomike me Shqipërinë do të influencojë edhe përqasjen ndaj mosmarrëveshjeve greko-turke, Kotzias u përgjigj: “Do të fillojmë nga Shqipëria që kemi delimitimin e ZEE dhe shpresoj të mos kemi keqkuptime nga ana e Turqisë, sepse do të avancojmë dalëngadalë”.

ÇAMËT

Në intervistë, ministri i Jashtëm grek mohoi edhe njëherë kategorikisht që në negociatat me Tiranën të jetë diskutuar çështja çame. “Nuk diskutuam kurrë dhe as pranova ndonjëherë të diskutojmë në këtë marrëveshjepaketë çështjen çame. Të jemi të qartë”, tha Kotzias. Ai shtoi se janë tjetër gjë pasuritë e mbajtura në sekuestro nga Ligji i Luftës dhe tjetër pronat e çamëve.

“Është tjetër gjë kur shteti grek tha ‘kjo pasuri shqiptare, përderisa jemi në luftë vihet nën sekuestron time dhe nuk mund ta përdorë armiku dhe kur të mbarojë lufta do të shohim si dhe nëse do t’ia kthejmë apo jo. Dhe janë tjetër gjë pasuritë që u konfiskuan për shkak të bashkëpunimit me armikun, domethënë me nazizmin gjerman dhe fashizmin italian, nga grupi i liderëve çamë kryesisht në Thesproti”.

Duke komentuar reagimet në Greqi, sipas të cilave, me marrëveshjen Athinë-Tiranë, do t’u dorëzojë shqiptarëve krahinën e Thesprotisë që do të quhet më pastaj Çamëri, Kotzias i cilësoi si “absurditete”. “Kjo është retorika e urrejtjes dhe e absurditetit. Dhe duhet ta presin. Sepse nuk i shërben vendit, por vetëm interesave idiote të tyre”, ka përfunduar Kotzias.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne