Grushti i shtetit në Turqi: po sikur të mos kishte dështuar?

Nga İlnur Çevik

Aktualisht Turqia po përkujton përvjetorin e parë të përpjekjes së grushtit të përgjakshëm të shtetit i cili ndodhi më 15 Korrik 2016. Ngarjet në përkujtim të këtij rasti do të kulminojnë në mesnatën e së dielës në oborrin e parlamentit turk me një tubim masiv të udhëhequr nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan.

Falë popullit turk, i cili i bëri ballë tankeve dhe avionëve ushtarakë F-16, grushti i shtetit dështoi dhe shumica e përgjegjësve të asaj ngjarjeje tragjike janë në burg ose duke u përballur me gjykatën.

Aydın Doğan, manjati biznesmen, i cili është botues i të përditshmes Hürriyet, njërës prej gazetave me tirazhin më të madh në Turqi, ka deklaruar kohët e fundit se nëse grushti i shtetit do të kishte pasur sukses, Turqia do të ishte zhytur në një katastrofë të plotë.

Prandaj, është më rëndësi të pyesim se çfarë do të kishte ndodhur nëse grushti i shtetit nuk do të kishte dështuar?

Së pari, në Turqi do të kishte pasur një gjakderdhje të paprecedentë, siç e treguan edhe planifikuesit e grushtit të shtetit, të cilët ishin përgatitur për të përdorur dhunën dhe tiraninë pa pikë mëshire. Njerëzit që aktualisht e drejtojnë këtë vend do të ishin masakruar bashkë me shumicën prej nesh.

Grupi Terrorist i Fethullah Gylenit (FETO) do ta merrte sundimin e vendit e do të ndërtonte qeverinë e vet, e cila do ta kishte ndryshuar të gjithë sistemin e shtetit njëherë e përgjithmonë.

Në puçet e kaluara, regjimet ushtarake e kanë drejtuar vendin për një periudhë kohore e më pas ia kanë kthyer pushtetin civilëve me anë të zgjedhjeve parlamentare. Nën sundimin e Gylenit nuk do të kishte qenë e mundur diçka e tillë. Grushti i shtetit do të kishte sjellur sundimin e tij të përhershëm, e cili nuk do të kishte ndryshuar në të ardhmen.

Kështu që, çdo mbështetës i kultit gylenist do të kishte patur benefite nga burimet dhe fondet e shtetit, ndërsa të tjerëve do t’u mohohej çdo mundësi për një jetë të denjë.

Drejtësia, siguria dhe barazia do të ishin terminologji të së shkuarës. Njerëzve të Gylenit do t’u jepej prioritet, ndërsa të tjerët do të përsekutoheshin.

Ata që e kundërshtojnë presidentin Erdoğan dhe politikat e tij, me shumë gjasa pasi të ballafaqoheshin me sundimin e njerëzve të Gylenit do ta kuptonin gabimin e madh që kanë bërë duke u munduar ta heqin qafe Erdoğanin. Një përfaqësues i një agjencie perëndimore lajmesh, i cili është kritik ndaj Erdoğanit, ka pranuar se agjencia e tij e lajmeve do të ishte larguar nga Turqia nëse Gyleni do të kishte pasur sukses me grushtin e shtetit.

Gyleni dhe turma e tij do t’ia kishin shitur Turqinë -Perëndimit ashtu siç bëri junta e kaluar ushtarake. Turqia do të ishte rikthyer në rolin e një “qeni shtëpiak” ndaj Shteteve të Bashkuara, duke i shërbyer kështu interesave amerikane pa asnjë hezitim apo kundërshtim.

Çështja e Qipros do të zgjidhej sipas tekave të qipriotëve grekë, ndërsa Turqia do t’i pranonte kërkesat e armenëve.

Është e qartë se mbështetësit e Gylenit kanë një marrëveshje të pashprehur për të ndihmuar organizatën terroriste të PKK-së për të arritur qëllimet e saj separatiste, çka do të thotë se Turqia do të kishte humbur një pjesë të provincave dhe territorit shtetëror në lindje dhe jug-lindje të vendit.

Me kolapsin e sigurtë ekonomik, Turqia do të binte nga pozita e vendeve që kryesojnë dhe do të shndërrohej në statusin e saj të mëparshëm, një vend që luftonte me problemet financiare, duke pranuar diçka të ngjashme si rasti i Egjiptit.

Këtu paraqitëm vetëm një pjesë të vogël të asaj që mund të kishte ndodhur nëse populli turk nuk do të ishte ngritur për të parandaluar këtë grusht shteti të orkestruar nga një bandë e ligë, FETO. /tesheshi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne