HAFIZ SAFET BASHA

Nga: Nexhat Ibrahimi

Imam, hafiz, myderriz, myfti. U lind më 1920 në Prizren, ku kreu edhe shkollën fillore. Ishte 14 vjeç kur mori titullin hafiz. Më 1934 u regjistrua në Medresenë e Mehmed Pashës në Prizren, ku më 1943 mori ixhazet-namen (diplomoi). Pas diplomimit, kryetari i Komunitetit Musliman të Shqipërisë Etnike në Tiranë, Sherif Langu, e caktoi imam në Xhaminë e Budak Hoxhës. Ka punuar edhe në disa xhami të qytetit. Si rezultat i suksesit në punë, më 1959 ai u emërua Kryeimam, e nga viti 1969 u emërua Kryetar i Bashkësisë Islame në Prizren. Safet Basha ka qenë anëtar i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës si edhe anëtar i Kryesisë së Shoqatës së Ulemave të Kosovës. Më 1976 u emërua ushtrues detyre, kurse më 1981 myfti i rajonit të Prizrenit dhe anëtar i Kuvendit të Bashkësisë Islame të Kosovës. Veprimtaria e Safet Bashës ishte orientuar kryesisht në dy drejtime: 1. Ligjërata publike nëpër xhami në tri gjuhë: shqip, turqisht dhe boshnjakisht; ka meritat për mbajtjen e ligjëratave në gjuhën shqipe para namazit të xhumasë në Xhaminë e Mehmed Pashës në Prizren dhe 2. Ligjërata të shkruara, kurse dy nga këto shkrime edhe janë botuar në revistën “Edukata Islame”, nr. 9-10/1974 dhe nr. 18/1976. Ishte largpamës dhe figurë unifikuese në qytet dhe rajon, dashamir i librit dhe nismëtar i formimit të bibliotekës në zyrën e Bashkësisë Islame në Prizren. Për shkak të shëndetit të brishtë, më 1982 u pensionua, kurse vdiq në Prizren më 1987.

Burimi: Nexhat Ibrahimi, Fjalor Enciklopedik Islam, Logos-A, Shkup, 2017, fq. 708-709.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne