nga Tarkan Zengin.

Në industrinë e mbrojtjes së Turqisë po ndërmerren nisma të rëndësishme njëra pas tjetrës. Pothuajse çdo muaj dëshmojmë që disa projekte shumë të rëndësishme janë realizuar me sukses, disa produkte të mbrojtjes i kanë kaluar me sukses testet, kurse për disa projekte të tjera të rëndësishme janë organizuar ceremoni për nënshkrimin e marrëveshjeve e kontratave. Një numër të madh projektesh të tilla në fushën e industrisë së mbrojtjes ne i dëshmuam edhe në 10 ditët e para të muajit nëntor. Në 1 nëntor 2018 nën udhëheqjen e Presidentit Erdoan (Erdoğan) u realizua me sukses testi i Sistemit me Shina për Mbushjet Luftarake (HABRAS) i realizuar nga TÜBİTAK SAGE, testi i efektivitetit të sistemit shkatërrues PULAT dhe testi i Projektit të Rrezatimit (IŞIN). Në fjalën që mbajti në ceremoninë e përurimit të Infrastrukturës së Zhvillimit të Teknologjisë Kombëtare, ku edhe realizohen këto teste, Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) dha lajme të rëndësishme në lidhje me industrinë e mbrojtjes. Në 4 nëntor 2018 Komandës së Forcave Detare iu dorëzua korveta “TCG Burgazada F-513”, e cila është korveta e tretë e kësaj kategorie që është prodhuar në kuadër të projektit MILGEM. Në 8 nëntor 2018 Presidenca e Industrisë së Mbrojtjes (SSB) filloi procesin e zhvillimit të një motori me turboventilator për avionë luftarake reaktivë duke firmosur Kontratën Kornizë të Programit për Zhvillimin e Motorit Origjinal për Avionin Luftarak Kombëtar (MMU), i cili do të jetë një prodhim unik i Turqisë. Kurse në 9 nëntor 2018 u nënshkrua kontrata për prodhimin në seri të 250 tankeve ALTAY, i cili do të jetë edhe tanku kryesor luftarak i ushtrisë turke dhe tanku i parë do të dorëzohet pas 18 muajve. Këto aktivitete të realizuara brenda një kohe të shkurtër tregojnë se ku ka arritur performanca e Turqisë në industrinë e mbrojtjes.

Projektet HABRAS, PULAT, IŞIN dhe SİPER

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan duke marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të objekteve të Infrastrukturës së Zhvillimit të Teknologjisë Kombëtare, krahas dëshmimit të suksesit të shumë testeve bëri këtu edhe deklarata të rëndësishme. Në fjalën që mbajti në ceremoninë e këtushme Presidenti Erdoan tha: “Sot jemi mbledhur këtu për të testuar infrastrukturat e zhvillimit të teknologjisë kombëtare dhe të projekteve industriale njëra më e rëndësishme se tjetra. Ne sigurojmë që projektimet kritike, informacioni i akumuluar dhe shumat e mëdha të parave të paguara të mbeten brenda vendit. Me vënien në punë të projektit HABRAS industria jonë e mbrojtjes do të ketë një veçori që sot e kanë shumë pak vende. Një nga produktet që ka nxjerrë ky projekt kombëtar është edhe sistemi i mbrojtjes aktive PULAT. Kjo teknologji është me rëndësi jetike për repartet tona të tankeve, të cilat janë edhe njësitë më të rëndësishme të forcave tona të armatosura. Një produkt tjetër origjinal i prodhuar nga industria jonë e mbrojtjes dhe me teknologji vendore është edhe zhvillim i sistemit me rrezatim të lartë dhe të fuqishëm, i njohur shkurt si Sistemi i Rrezatimit (Işın Sistemi). Në provat e para sistemi ka shënuar një sukses të lartë dhe në të ardhmen do të mund të përdoret edhe në mjetet ajrore dhe anije”. Në fjalën e tij Presidenti Erdoan dha edhe lajmin për fillimin e punimeve për krijimin e Sistemit Kombëtar të Mbrojtjes Kundërajrore Rajonale me Raketa me Rreze të Gjatë Veprimi, të quajtur SIPER dhe dorëzimet e para të këtij sistemi do të bëhen në fund të vitit 2021.

U bë saldimi i parë për nëndetësen e llojit të ri “Ayndınreis” 

Anijet e para prodhim vendor të Turqisë ishin bërë në kuadër të projektit MILGEM në Komandën e Kantierit të Stambollit (İstanbul Tersanesi Komutanlığı), që është një sipërmarrje publike. E treta e këtyre anijeve “TCG Burgazada F-513” iu dorëzua Forcave Detare me një ceremoni të organizuar më 4 nëntor 2018, ku mori pjesë edhe Presidenti Rexhep Tajip Erdoan. Anija ka një gjatësi 99,5 metra dhe gjerësi 14,4 metra dhe peshon 2 mijë e 400 ton. Anija ka një distancë lundrimi prej 6 mijë e 485 km duke ecur me një shpejtësi normale lundrimi dhe pa pasur nevojë për mbështetje me furnizime dhe karburant. Anija ka aftësi të qëndrojë në det për 10 ditë. Korveta “Burgazada” mund të kryejë këto detyra luftarake: luftë mbi ujë, luftë për mbrojtje nën det, luftë për mbrojtje ajrore, zbulim dhe vëzhgim, komandim-kontroll të veprimeve luftarake dhe luftim për mbrojtje asimetrike.

Në ceremoninë e dorëzimit të korvetës “Burgazada”, Presidenti Erdoan bëri edhe saldimin e parë të nëndetëses tip i ri “Aydınreis”, që do të ndërtohet në këtë kantier. Kjo nëndetëse do të jetë në gjendje që të shkojë dhe të vijë në Amerikë duke i kapërcyer oqeanet dhe pa pasur nevojë për furnizim me karburant. Gjithashtu nëndetësja e gjeneratës së re turke do të ketë veçorinë që të lundrojë pa zhurmë. Thuhet se nëndetësja do të japë kontribute të rëndësishme në efektivitetin luftarak të Forcave Detare Turke. Sipas informacioneve të dhëna nëndetësja “Aydınreis” do të jetë 68 metra e gjatë, 13 metra e lartë dhe do të peshojë 1 mijë e 850 ton.

PROGRAMI I ZHVILLIMIT TË MOTORIT UNIK PËR AVIONIN KOMBËTAR LUFTARAK

Siç dihet tashmë, vazhdon projekti për prodhimin e Avionit Kombëtar Luftarak me një projektim unik dhe ku produktet e industrisë vendore të mbrojtjes do të përdoren në nivelin maksimal. Synimi i projektit është që pas viteve 2030 nevojat e Komandës së Forcave Ajrore turke për avionë luftarakë të përballohen brenda vendit me një model, i cili do të jetë një projektim unik. Kurse tani për të zhvilluar një model origjinal për këtë lloj avioni në datën 8 nëntor 2018 u firmos në ambientet e Presidencës së Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë Kontrata Kornizë e Zhvillimit të Motorit Unik për Avionin Kombëtar Luftarak. Me nënshkrimin e marrëveshjes kornizë ka marrë start edhe procesi për zhvillimin e një motori me turboventilator për avion luftarak reaktiv. Synimi është që motori i Avionit Kombëtar Luftarak të jetë vendor dhe të zhvillohet si një motor plotësisht origjinal turk. Objektivi final i projektit është që motori unik të mos ketë asnjë lloji kufizimi nga ndonjë vend i huaj. Një objektiv tjetër është që motori të zhvillohet me mundësi kombëtare dhe të jetë plotësisht i Turqisë edhe në aspektin e të drejtave të pronësisë intelektuale.

Prodhimi në seri i tankut “Altay” 

Punimet që Forcat Tokësore Turke të kenë një tank kombëtar modern dhe që u përgjigjet nevojave të ditëve të sotme kanë kohë që vazhdojnë në Turqi. Më 9 nëntor 2018 Presidenca e Industrisë së Mbrojtjes firmosi kontratën për prodhimin në seri të tankut “Altay”. Sipas kontratës është marrë vendimi për krijimin e linjës së prodhimit në seri dhe prodhimin e 250 copë tankeve të tipit “ALTAY”. Objektivi është që tanku i parë Forcave Tokësore t’u dorëzohet pas 18 muajve nga data e nënshkrimit të kontratës.

Në informimin që është bërë në lidhje me tankun “Altay” disa nga veçoritë e këtij tanku renditen në këtë mënyrë: Do të jetë tanku i parë prodhim vendor i Turqisë dhe tanku kryesor luftarak i ushtrisë turke; me fuqinë e zjarrit dhe saktësinë e lartë në goditje si dhe aftësinë e lartë manovruese ky tank do të jetë një nga mjetet luftarake më të rëndësishme të Forcave të Armatosura Turke në fushën e betejës. Tanku “Altay” do të jetë i pajisur me blind kompozit të moduluar, i projektuar për ta mbrojtur tankun ndaj çdo lloj rreziku dhe me sisteme ndihmëse në mënyrë që ekuipazhi i tankut ta realizojë detyrën edhe në mjedise me rrezikshmëri kimike, biologjike, radioaktive dhe nukleare.

*Drejtor i Trajnimeve të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Ushtarak Turk, Ankara

49