“Hapësira ajrore e Arabisë Saudite ngelet e mbyllur për Qatar Airways”

Qeveria e Arabisë Saudite ka njoftuar hapësira e saj ajrore ende ngelet e mbyllur për linjën ajrore të Katarit, Qatar Airways.

Pas Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Bahreinit, edhe Arabia Saudite i ka përgënjeshtruar lajmet se i kanë hapur hapësirën ajrore Qatar Airways.

Sipas një deklarate të kryetarit të Aviacionit Civil të Arabisë Saudite, Abdulhakim bin Muhamed al-Temimi, të cituar në agjencinë e lajmeve të Arabisë Saudite SPA, hapësira ajrore e Arabisë Saudite ende ngelet e mbyllur për aeroplanët e Katarit.

Ndryshe, më 30 korrik, Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil të Arabisë Saudite njoftoi se shtetet që kanë vendosur bllokadë ndaj Katarit kanë caktuar nëntë korridore emergjente për kompanitë ajrore të Katarit.

Presidenti i bordit drejtues të Aviacionit Civil të Katarit, Abdullah bin Naser al Sebii të hënën tha se Katari ka filluar të përdorë shumë rrugë ajrore që ka kërkuar nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil (ICAO), përfshirë edhe Gjirin e Omanit, Gjirin Persik dhe Detin e Omanit.

Më herët, Bahreini dhe EBA-të përgënjeshtrua lajmet se i kanë hapur hapësirat e tyre ajrore për Qatar Airways, duke shtuar se kanë lejuar përdorimin vetëm të hapësirave ajrore që gjenden mbi ujërat ndërkombëtarë në territoret e tyre.

Ndryshe, kriza në rajonin e Gjirit filloi më 5 qershor, kur Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti ndërprenë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me Katarin, duke e akuzuar atë për “mbështetje të grupeve terroriste”.

Teksa Doha zyrtare i ka mohuar të gjitha akuzat, katër shtetet i kanë parashtruar Katarit një listë me 13 kërkesa, për të cilën Katari ka theksuar se nuk do të pranojë asnjë kërkesë që është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne