Haradinaj i sulet Mogherinit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj kritikoi nga Prishtina shefen e politikës së jashtme Federica Mogherini për stepjen e reformave në Kosovë pasi sipas tij zyrtarja e lartë e Brukselit ka hapur tema të dëmshme për Kosovën.

“Ka devijuar dialogun me ndërrim të territoreve dhe na ka shkaktuar trauma politike të brendshme dhe në rajon, e fatkeqësisht një pjesë e energjisë time dhe të qeverisë është dashur të shkoj për të kundërshtuar një temë si kjo”,tha kryeministri Haradinaj.

Shefja për politikë të jashtme Federica Mogherini që ndërmjetëson bisedimet ndërmjet Kosovës e Serbisë, nuk kishte kundërshtuar prekjen e kufijve si mundësi e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve por kishte hedhur poshtë çdo marrëveshje që do të përfundonte me krijimin e shteteve etnikisht të pastra.

Gjermania si kundërshtare e ideve për prekjen e kufijve ka  mbajtur qëndrimim se çdo ndryshim territoresh do të nxisë reagime zinxhir në rajonin e Ballkanit, që ende nuk është ripërtërirë nga luftërat e përgjakshme të fundit të shekullit të kaluar.

Këto porosi u ritheksuan të hënën gjatë një vizite në Prishtinë të deputetëve gjermanë, Peter Bayer dhe Christian Schmidt.

“Biseduam për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova. Kemi biseduar edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të cilin e mbështesim, por diskutuam edhe për temën e këmbimit të territoreve, të cilën Gjermania e kundërshton në çdo aspekt”-tha deputeti Peter Bayer.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne