Haradinaj: Ideja e ndërrimit të territoreve ka vdekur

 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se “ideja e ndërrimit të territoreve ka vdekur”.

Kryeministri Haradinaj sot priti në takim shkrimtaren Helena Kadare, të cilën e nderoi me Hartën e Artë të Kosovës.

Pas ceremonisë së dekorimit, kryeministri Haradinaj foli në lidhje me çështjen e “korrigjimit të kufijve” dhe të liberalizimit të vizave.

Ai u fokusua në draft-rezolutën e përgaditur nga koalicioni qeveritar në lidhje me dialogun, ku u shprehu se, “Rezoluta është një qëndrim që na obligon të gjithëve, besoj edhe presidentin e vendit. Pra nëse kjo rezolutë do të aprovohet në Parlament, shihet qartë në bazë të rezolutës se kujt i besohen të drejtat dhe për çka. Neni i parë që është marrë nga kushtetuta e vendit, por që i është shtuar edhe pasuesi i kufijve të panegociueshëm nga askush, dhe po ashtu neni gjashtë që të drejtat e këtilla ia njeh vetëm Parlamentit. Mirë do të ishte që në Parlament të ketë votë pro për këtë rezolutë. Nuk është e Qeverisë ashtu siç po thuhet në raste të caktuara, është produkt i një debati mjaft të ndjeshëm që ka ndodhur në Kosovë në këto kohët e fundit”.

Haradinaj po ashtu “shprehu ngushëllimet e tij për idenë e ndërrimit të territoreve”, sepse sipas tij kjo ide “ka vdekur”.

Ai foi edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, ku siguroi se “gjendja nuk është keq”, duke theksuar se, “Jam optimist se do të marrim para fundit të vitit”.

Kujtojmë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë kohëve të fundit ka sjellur në rend të ditës çështjen se Kosova duhet të jetë e gatshme të shqyrtojë opsionin e korrigjimit të kufirit me Serbinë, i cili është rreth 400 kilometra i gjatë. Kurse partitë opozitare në Kosovë kundërshtojnë këtë opsion.

Së fundmi javën e kaluar partitë e koalicionit qeverisës përgaditën një draft-rezolutë e cila përmban 6 pika, ku pos tjerash thuhet se, “Kuvendi i Republikës së Kosovës insiston që dialogu të përmbyllet me një marrëveshje ligjore ndërkombëtarisht obligative, përmes së cilës do të ndodhë njohja reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Serbisë. Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, unik dhe i pandashëm. Kufijtë e Republikës së Kosovës janë të pacenueshëm dhe të panegociueshëm”.

Burimi: AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne