Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se “Në zhvillimet e sotme politike, disa janë të djathtë, disa të majtë, disa edhe liberalë, por ne jemi evropianë, e duam Evropën, dëshirojmë t’i bashkohemi Evropës si Kosovë.

Jemi me orientim euro-atlantik. Dëshirojmë të jemi pjesë e NATO-s dhe në këtë drejtim, ne kërkojmë mbështetje, kërkojmë miq, që t’ua përcjellim porosinë qytetarëve evropianë, duke filluar nga fqinjët tanë, veçanërisht Serbisë dhe qytetarëve të saj. Është e rëndësishme që ta njohin të vërtetën tonë. Tani është koha ta ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të ardhmen tonë”.

Kështu tha kryeministri Haradinaj gjatë pjesëmarrjes në ceremoninë përmbyllëse të Konferencës së Asamblesë së Përgjithshme “Prizreni 2018”, organizuar nga Parlamenti Evropian Rinor, programi më i madh Evropian me bazë vullnetare, që ofron arsimim jo formal politik për të rinjtë.

Në fjalën e tij, para delegatëve të shumtë, zyrtarë nga të gjitha shtetet e Evropës, e ambasadorë, Haradinaj tha se, ata sot janë ulur në Kuvendin e shtetit më të ri në Evropë dhe të botës, dhe se ky shtet i ri është rezultat i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, e cila shpërbërje siç tha ai, ishte shumë tragjike.

“Ka lënduar njerëzit në mënyra të ndryshme. Sidoqoftë, të gjithë jemi këtu, në shtetin tonë, për ta tejkaluar atë, për të mësuar nga e kaluara dhe për të ndërtuar një të ardhme të sigurt. Organizatën tuaj e shoh si lidhje ndërmjet të rinjve”, theksoi Haradinaj.

Duke folur për vështirësitë që hasin të rinjtë kosovarë në gjetjen e një vendi punë, kryeministri theksoi se fatkeqësisht jeta nuk është e përkryer, sepse të rinjtë tanë luftojnë për një punë dhe kjo, sipas tij, nuk është aspak e lehtë.

“ Arsimi nuk është ende ashtu si duhet të ishte. Arsimimi dual nuk është ende ofertë për ta. Ta gjejnë një punë, për shumë prej tyre, është vërtetë e vështirë. Të mësuarit nga praktikat e mira të vendeve tjera, të mësuarit nga praktikat e të rinjve nga shtetet tjera është e vështirë për të rinjtë tanë, sepse ata nuk mund të udhëtojnë lirshëm. Jemi i vetmi shtet në kontinentin tonë, në Evropë, që nuk kemi liberalizim të vizave. Kjo nuk është vetëm pengesë, por shkon deri në nivel të diskriminimit. Sidoqoftë, jemi europianë”, deklaroi kryeministri.

Ndërkaq, ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O’ Connell, tha se sot është një nder të qenit para të rinjve, duke i parë ata shumë të motivuar dhe angazhuar në çështje që kanë rëndësi.

Ambasadori O’Connell tha se ajo që ka mësuar, është se zëri i të rinjve mund ta bëjë ndryshimin vetëm duke folur për atë që nuk pajtohen ose e shohin gabim, sepse kjo mundësi sipas tij, nuk përsëritet.

Qëllimi kryesor i këtij programi është aftësimi i të rinjve me historinë dhe punën e BE-së duke përfshirë të rinjtë nga pothuajse të gjitha shtetet anëtare të BE-së.

9