Haradinaj refuzon paralajmërimin e SHBA për taksën: Nuk duam të humbasim miq, por gjërat kanë ndryshuar

Pavarësisht paralajmërimit të ashpër të Ambasadës së SHBA në Prishtinë se taksa 100% ndaj produkteve serbe po dëmton ‘interesat strategjike amerikane’, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është shprehur sërish i vendosur për të mos lëvizur nga ky qëndrim.

Uashingtoni deklaroi nëpërmjet përfaqësuesve në Prishtinë se Kosova nuk “mund të ndërmarrë veprime që bien ndesh me interesat tona strategjike pa u përballur me pasojat në marrëdhënien tonë dypalëshe.”

Pas kësaj deklarate, në një takim të zhvilluar në Ferizaj, Haradinaj theksoi se Kosova nuk i shkon më pas të tjerëve, por i prin interesave të veta. Ai u shpreh se shteti i tij nuk kërkon të humbasë miq, por sot gjërat kanë ndryshuar dhe se taksa nuk hiqet deri në njohjen e Kosovës nga Serbia dhe liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian.

“Sot jemi disa hapa përpara kundërshtarëve të Kosovës, jo si dikur kur ne shkonim pas të tjerëve, gjërat kanë ndryshuar. Kosova i ka ndërmarrë veprimet me të cilat po i prinë interesave të veta dhe me të cilat po e forcon pozicionin e saj politik. Nga një vend i nëpërkëmbur tani jemi kthyer në një adresë në rajon ku duhet të shkohet dhe të merret mendimi. Taksa ndaj mallrave të Serbisë është një hap përpara sepse kemi arritur të ngrejmë pozionin politik të Kosovës dhe të kërkojmë njohjen e Serbisë. Kemi rritur pozicionin politik që t’i mundësohet Kosovës liberalizimi i vizave. Që të respektohet marrëveshja për energjinë. Që të respektohet Kosova në planin ndërkombëtar. Këto veprime e kanë një qëllim, e kanë një strategji, nuk janë veprime të rastësishme. Disa na kanë kritikuar për veprime të pamatura. Nuk kemi për qëllim të humbim miq dhe aleatë, por qëllimi është të kryejmë disa punë të Kosovës që nuk janë kryer për 20 vite”, u shpreh kryeministri Haradinaj.

Më tej, Haradinaj shtoi: “Kur në Beograd thonë ‘nikada’, i bie ‘kurrë, kurrë s’iu njohim’, atëherë ne nuk mundemi me përdorë fjalë tjetër. Nëse ai thotë kurrë nuk të njoh, çka të themi ne në Kosovë? Edhe ne mund t’i themi epo kurrë nuk e heqim taksën. Pse po e them këtë? Kini parasysh, është treg i rëndësishëm Kosova. Kur e kemi vendosë taksën kanë bërë hajgare me ne. Njohja është vlera e heqjes së taksës.”

Duke rikujtuar luftën e Kosovës, Haradinaj theksoi se nëse UÇK-ja do e ndërpriste luftën kur i kërkohej nga Perëndimi, bombardimi i Serbisë nga NATO nuk kishte për të ndodhur kurrë.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne