Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj deklaroi se procesi i transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri nuk ndërlidhet me datën e 28 nëntorit.

Haradinaj pas mbledhjes së sotme të qeverisë, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në lidhje me çështjet në rend të ditës. Me këtë rast në lidhje me deklaratën e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç se “më 28 nëntor në Ditën e Flamurit Shqiptar do të formohet Ushtria e Kosovës”, Haradinaj tha se ky proces nuk ndërlidhet me këtë datë.

“Jo nuk ndërlidhet me një datë, është një proces dhe nuk është i ndërlidhur me një datë. Ne e çmojmë shumë 28 nëntorin, është nëntori i shqiptarëve, por nuk ndërlidhet ky proces me atë datë. Të paktën nuk ka një orar të tillë, mund të koincidojë afër datës por nuk është e lidhur me një datë”, tha ai.

Kujtojmë se më 18 tetor deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan në parim tre ligje për transformimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri.

– Pozita do të marrë pjesë në seancën e nesërme për “korrigjimin e kufijve”

Haradinaj foli edhe për seancën e jashtëzakonshme që do të mbahet nesër, ku në rend dite është “debati parlamentar lidhur me angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë”, të thirrur nga partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

“Unë besoj që nesër do të gjejmë një gjuhë të përbashkët, por nuk besoj që ka subjekt politik në parlament që është kundër ruajtjes së territorit, të kufijve dhe të kushtetutshmërisë së vendit tonë dhe besoj që nesër do të gjejmë një gjuhë të përbashkët. Pra, shpresoj shumë që do të gjejmë, është inkurajues fakti se kjo seancë është thirrur nga opozita e do të merr pjesë edhe pozita dhe mendoj që ky është një lajm i mirë”, tha ai.

Ai tha se votimi i projektligjeve për FSK-në është shembull i një uniteti dhe të asaj se “dinë t’i ruajnë interesat e tyre”. “Siç kemi ditur të bashkohemi për tranzicionin e FSK-së dhe vënien e mandatit në ushtri, mendoj se i të njëjtit karakter është edhe ta ruajmë territorin dhe kufijtë kushtetues, pra duhet të dimë të bashkohemi”, tha Haradinaj.

Seanca e jashtëzakonshme ku do të debatohet për “angazhimet e Presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë” është kërkuar nga 42 deputetë nënshkrues, ndërkaq kërkesën e ka paraqitur partia opozitare LDK. Edhe më parë, përkatësisht në shtator, partitë opozitare bënë kërkesë për një seancë të jashtëzakonshme për këtë temë, por një seancë e tillë nuk ishte mbajtur në mungesë të kuorumit, përkatësisht të deputetëve të partisë në pozitë.

Kujtojmë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë kohëve të fundit ka sjellë në rend të ditës çështjen se Kosova duhet të jetë e gatshme të shqyrtojë opsionin e korrigjimit të kufirit me Serbinë, i cili është rreth 400 kilometra i gjatë. Ndërsa partitë opozitare në Kosovë e kundërshtojnë këtë opsion.

Burimi: AA

5