Haxhi Ali, aventurieri osman i Amerikës

nga Ibrahim Kalin.

Në vitin 1856, Ushtria e Shteteve të Bashkuara vendosi të formonte njësitin e deveve për transportin e materialeve për në jugperëndim të vendit. Devetë, të cilat njihen për qëndrueshmërinë dhe jetëgjatësinë e tyre, e të cilat nuk ekzistonin në Shtetet e Bashkuara në atë kohë, konsideroheshin si “mjet” i përsosur për transport nëpër “shkretëtirën e madhe amerikane”. Me miratimin e Kongresit dhe një buxhet të arsyeshëm, zyrtarët e SHBA-ve kontaktuan kolegët e tyre në kryeqytetin osman. Sulltan Abdulmexhidi iu dha leje për “eksport”, duke u dhuruar madje edhe dy deve.

Përafërsisht tridhjetë deve u blenë në Kajro, Tunizi dhe Izmir, dhe u transportuanpër në portin Indianola të Teksasit. Në mesin e tetë punonjësve osmanë, kalorësi kryesor ishte nga Levanti. Vendi i saktë i lindjes së tij është ende një temë diskutimi; disa thonë se ishte nga Jordania, Siria apo Libani, e të tjerë pretendojnë të ishte një vendas i Greqisë që kishte pranuar Islamin në rini. Emri i tij ishte Haxhi Aliu.

Devetë i shërbyen qëllimit të tyre duke i dhënë fund udhëtimit midis Teksasit dhe Kalifornisë. Por gjërat ndryshuan për Haxhi Aliun, kur Kongresi refuzoi të miratonte fonde shtesë për korpusin, me shpjegimin se këto kafshë të mëdha po frikësojnë mushkat dhe kuajt, dhe po krijojnë kaos dhe çrregullime. Fundi i luftës civile në 1865 mund të ketë ndikuar në përfundimin e këtij misioni unik dhe të larmishëm.

Sidoqoftë, për Haxhi Aliun ky ishte një eksperiment unik dhe i larmishëm. Pasi iu ndërpre puna dhe devetë u shiten ose u lëshuan në shkretëtirë, ai duhej të merrte vendimin më të rëndësishëm në jetën e tij: të kthehej në shtëpi apo të qëndronte në atë vend të huaj. Pavarësisht gjitha peripecive, ai vendosi të qëndronte në Shtetet e Bashkuara, dhe u martua me Gertrudis Seeme në Tuscon të Arizonës. Me gjithë aventurat me devetë, ai u bë një lloj legjende; për të flitej si personi i çuditshëm, por i aftë dhe i këndshëm, i cili kalëron devetë nëpër shkretëtirën amerikane.

Haxhi Aliu u bë shtetas amerikan në vitin 1880. Ai mori emrin Filip Tedro dhe u provua në punët e transportit dhe minierave. Në fund të jetës së tij ai u zhvendos në Quartzsite, Arizona, ku vdiq në vitin 1902. Që atëherë, njerëzit në jugperëndim e njihnin atë si Hi Jolly sepse shumica e amerikanëve kishin problem me shqiptimin e emrit të tij Haxhi Ali. Ndërsa Haxhi Ali, një emër i qartë dhe i zakonshëm në botën arabe, u bë Hi Jolly, një emër qesharak, por i këndshëm për kulturën popullore amerikane, një shembull i dislokimit, pranimit dhe transformimit kulturor.

Në vitin 1935, guvernatori i Arizonës, Benjamin Moeur, i ndërtoi një monument të vogël Haxhi Aliut, ose Hi Jolly-t. U ndërtua në formën e një piramide të vogël me një deve bakri në krye, dhe sot ajo është një nga vendet më të vizituara në varrezat Quartzsite në Arizona. Çdo 10 janar, rreth varrit të tij mbahet festivali Haxhi Ali/Hi Jolly. Kënga popullore Hi Jolly ushqen kujtimin e këtij aventurieri osman në Amerikën Jugperëndimore.

Profesor Jacob Rama Berman i universitetit shtetëror të Luiziana-s, përshkruan historinë e Haxhi Aliut si paradigmë të asaj që ai e quan “arabeskë amerikane”, një përzierje kulturore që shfaqet me kryqëzimin e kulturës amerikane dhe arabe. Berman pretendon se këto dy kultura janë shumë më të thella dhe më të gjera sesa që ato perceptohen përgjithësisht. Mendimet dhe ndjenjat që zgjohen me përmendjen e fjalëve/koncepteve të Sheherzadës, Mekës, Alhambrës dhe Saharës, për fat të keq janë mjegulluar me titujt e mediave rreth Shtetit Islamik në Irak dhe Sham ose Al Kaida.

Nga Kur’ani, te i cili është orientuar edhe presidenti amerikan Thomas Jefferson pasi bleu atë në vitin 1765, dhe mbi të cilin u betua Keith Ellison, delegati i parë musliman në Kongres, deri te shfajësimi i Sulltan Abdulhamidit nga ana e Lew Wallace për pretendimet armene të genocidit në vitin 1880 dhe 1890, një histori e gjatë dhe e lënë pas dore do të presë që ajo të zbulohet dhe riinterpretohet në mënyrë që të kapërcejë dikotomitë “ne kundër atyre”, të cilat sot formojnë dhe ngarkojnë marrëdhëniet ndërmjet Islamit dhe Perëndimit.

Siç thekson Berman, hamendjet rreth origjinës etnike, osmane ose greke të Haxhi Aliut lidhen me “diversitetin e thellë kulturor të kontekstit të Levantit të shekullit të 19-të nga i cili buron ai”. Por mbi të gjitha, Haxhi Aliu mbeti një musliman i përkushtuar i cili rriti dy vajza si muslimane, dhe ajo çfarë la pas i familja e tij, do të ishte një histori interesante për kërkuesit.

Historia modeste e Haxhi Aliut, e ruajtur deri më sot në rrëfime popullore, legjenda dhe filma, nënvizon fuqinë e vetëbesimit dhe vendosmërisë. Ajo zbulon natyrën shumëdimensionale të shkëmbimit kulturor midis vendeve dhe kontinenteve. Gjithashtu na kujton se tregimet e vërteta njerëzore nuk janë kurrë të drejta (rrafshëta) dhe kategorike, siç mund të mendojmë.

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne