Heroi i vërtetë që u la në heshtje!

Nga Napolon Laska

Kur gjithë aparati shtetëror vraponte të bënte sa më shumë foto dhe video në zonat e përmbytura, kur të gjithë pozonin para kamerave që të jepnin imazhin sikur bënin ndonjë punë, ai, Sabriu, një njeri i thjeshtë, një rrogëtar me “r” të vogël, në hije të plotë, pa zhurmë, pa patur me vete askënd që ta fotografonte, pa yamamoto, pa çizme apo pallto Guçi, pa fb, pa instagram, pa livestream, pa pikën e vëmendjes, pa lekë të tepërta në xhep, pa rroba të shtrenjta, pa makinë luksoze, pa aifon…humbi jetën në përpjekje për të rikthyer energjinë në fshatin Kurjan.

Askush nuk i kushtoi rëndësi, madje dhe në ato pak rrjeshta të njoftimit të humbjes së jetës, mbiemrin ia shkruajtën gabim. Të gjithë vraponin pas kryeministrit me yamamoto dhe me xhupat e ekipeve të futbollit. Ky vetë vraponte mbas skupit të rradhës. E kujt i plasi se vdiq një elektricist, rëndësi këto ditë ishte se për cilin ekip bën tifo Ai, Juventusin apo Bayernin. Elektricistët venë e vijnë apo jo?!

Vrapuan pas djalit me flokë të lagura dhe qenin në krahë i cili simbolizonte tufën e militantëve që i lëpihen përditë pushtetit, edhe ky shoqërohej nga 40 aparate fotografikë, që u shkrepën më shumë se sa pati vetëtima netët e rrebeshit. Vrapuan pas kryetarit të opozitës, i cili edhe kur zgjohet bën çmos të na mbushë mendjen se është njësoj si ata që kritikon, duke u përpjekur të fitojë vëmendjen me të njëjtat mekanizma si dy të parët.

Për median dhe politikën këta ishin heronjtë e përmbytjes, këta që bashkë me mentorët dhe bashkëpunëtorët e tyre janë shkaktarët e vërtetë të gjithë maskaradës nëpër lumenj, këta që sot duhet të ishin pas hekurave për çdo dëm të shkaktuar këtij vendi. Këta që kanë vjedhur fondet e kanaleve, digave, urave, rrugëve. Fat i keq që shiu nuk varej nga ta se nëse do të varej nuk do përmbyteshim kurrë, do e vidhnin edhe atë. Do binte pak sa për shije.

E pra për askënd heroi nuk ishte Sabriu, elektricisti i thjeshte që sakrifikoi jetën, që la fëmijët jetim, vetëm e vetëm që tu siguronte drita fshatit. Dha jetën që ironikisht t’iu jepte mundësinë bashkëfshatarëve që nga televizori të shikonin se si një qeverri supermenësh po përballonte me sukses pa asnjë dëm fatkeqësinë natyrore të “1000 viteve” të fundit. Se si tallja kthehet në sport popullor.

Sabri Vlinga është heroi i vërtetë, Sabri Vlinga është modeli i sakrificës, i pasionit për punën dhe i dashurisë për njerëzit. Nuk janë heronj këta palaçot me yamamoto, me çizme llastiku apo me flokë të lagur apo të lëpirë nga qeni./ nisma#

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne