Hetimet për IMSI Catcher/ Gjykata merr vendimin përfundimtar: Ja çfarë do të ndodhë

Gjykata e Tiranës, vendos të pranojë kërkesën e prokurorisë, për pushimin e hetimeve për pajisjen e dyshuar përgjuese IMSI Catcher. Vendimi për dosjen që shkaktoi furtunë në politikën shqiptare pranverën e 2016, është marrë gjatë ditëve të fundit, pasi prokuroria argumentoi se ishte në pamundësi të administronte të gjitha provat e nevojshme, për t’i dhënë zgjidhje çështjes.

Kjo për faktin, se autoritetet italiane, nuk i ishin përgjigjur prokurorisë shqiptare, e cila përmes një letër-porosie kërkonte të kryente në prani të prokurorit dhe një grupi të licencuar ekspertësh të kryente ekspertimin e pajisjes së dyshuar.

Kjo me qëllim, për të mësuar nëse me të janë kryer përgjime të paligjshme në vendin tonë, apo ajo u përdor vetëm për trajnimin e policisë. Duke qenë se përgjigja e letër-porosisë u vonua dhe afatet tërësore të hetimit përfunduan, e vetmja rrugë që i mbeti prokurorisë, ishte t’i kërkonte gjykatës pushimin e çështjes.

“Ky vendim është i ndërmjetëm. Nëse përgjigja e letër-porosisë do vijë dhe nga ekspertimi i pajisjes do të rezultojnë të dhëna me interes për hetimin, atëherë prokuroria do ti bëjë drejtohet gjykatësit paraprak me kërkesën për riçeljen e hetimeve”, tha një burim i prokurorisë.

Pajisja Imci Catcher, rezulton se ndodhet në ambasadën italiane në Tiranë, referuar kjo informacionit që autoritetet e shtetit fqinj i përcollën prokurorisë së Tiranës, përmes një letër-porosie që u ishte dërguar më herët.

Duke qenë se sipas ligjit, territori i ambasadës konsiderohet tokë e huaj, prokurorët nuk mund të kryejnë asnjë veprim hetimor, pa pëlqimin e italianëve. Në këto kushte, dosja e cila u bë shkak për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, për momentin mund të konsiderohet një kapitull i mbyllur për drejtësinë.

Hetimet për pajisjen e dyshuar përgjuese nisën pranverën e 2 viteve më parë dhe asokohe, me kërkesën e prokurorisë, gjykata vendosi të pezullojë nga detyra, drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako, dhe të dërgojë në arrest shtëpie dy oficerë, vartës të tij, për akuzën e shpërdorimit të detyrës. Pak ditë më vonë, këto vendime u shfuqizuan.

Po për këtë çështje, prokurorët dështuan në gjykatë, në tentativën e tyre për të këqyrur disa kompjuterë në Policinë e Shtetit, pasi nuk mundën të argumentonin se për çfarë do tu shërbente një veprim i tillë hetimor.

Dosja Imsi Catcher, pa frikë mund të konsiderohet si peng i letër-porosivë. Por nga përgjigjet e letër-porosive varet edhe fati i një tjetër dosje të nxehtë, ajo e kontratave lobuese të Partisë Demokratike me Uashingtonin. Prokurorët janë në pritje të informacioneve nga SHBA dhe Skoci, si e vetmja mundësi që ti japin zgjidhje çështjes.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne