Hilja ndaj imamëve

Shkruan: Nexhat Ibrahimi

(Përse abuzohet me imamët?)

Si të kuptohemi

Qysh prej para largimit të Perandorisë Osmane nga trojet tona lexojmë një prezantim keqdashës të imamëve dhe punëtorëve fetarë islamë në përgjithësi. Fillimisht kjo ka ndodhur nga ilegalja e atëhershme, por pas 1912 kjo ndodhi nga goja e politikanëve, rivalëve fetarë dhe një pjese të shtresës së gjerë. Nëpërmjet goditjes ndaj imamëve goditej edhe organizata e tyre fetare. Nëse do të hulumtojmë historikisht shkakun, do të vërejmë se herë-herë kritikat kanë qenë me vend, por në të shumtën do të gjejmë prova të shumta se sulmet vinin nga jashtë dhe mbanin frymë dashakeqe. Të huajt jepnin idenë, shpesh edhe e bënin platformën kurse në implementim përveç të huajve merrnim pjesë edhe ne, muslimanët, merrnim pjesë në prezantimin abuziv të personalitetit të imamit dhe çdo gjë që lidhet me personalitetin, aktivitetin dhe punën e tij.

Shpifjet, prezantimet e shëmtuara nga kundërshtarët janë të shumta dhe është e pamundur të trajtohen të gjitha ato, por megjithatë disa nga shpifjet do të preken shkurtimisht, sa për evidentim, kurse më mban shpresa se ndonjë studiues i ri do ta prekë këtë temë si tezë masteri e pse jo edhe doktorature apo studimi të lirë. (Shih: N. Ibrahimi, islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve)

Ka edhe një problem brenda nesh. Në të shumtën e rasteve nuk ekziston vullnet intelektual as politik, madje vërehet indiferentizëm ndër imamët që këto insinuata, gënjeshtra e shpifje t’i demantojnë apo edhe ta prezantojnë vetveten në frymën pozitive. Ata në frymën pasive mbrohen se Zoti e di punën e tyre, kjo mjafton dhe nuk ka nevojë për zhurmë. Së paku të tillë janë derisa nuk preken vetë ata, që është vonë.

Ky qëndrim dhe kjo heshtje e vazhdueshme e temës së akuzave ndaj Islamit, imamit e vlerave tjera islame duket si pjesëmarrje në krim, prandaj edhe ka nevojë për të folur drejt e qartë, dhe në këtë mënyrë të mbrohet dinjiteti personal, familjar por edhe ai kolektiv i muslimanëve, i prijësve të tyre fetarë, sepse imami ishte, është dhe do të mbetet strumbullari i jetës muslimane.

Hilja e parë

Imami si shfrytëzues i popullit dhe përçarës i vendit

 Edhe më herët por sidomos që nga koha komuniste e viteve 1945 e pas është në qarkullim parulla se hoxha është hajdut, sigurisht e përkthyer nga serbishtja ku ekzistonte fraza e njohur se “hoxhët dhe popat janë hajdutët më të mëdhenj” (Hoxhe i popovi su najveqi llopovi). Kjo ide ka evoluuar në forma të ndryshme dhe u sforcua edhe pse ekzistenca materiale e hoxhës varej kryesisht nga ndonjë ndihmë solidare e besimtarëve, edhe pse hoxha ishte person non-grata në shoqëri, edhe pse hoxha nuk kishte mbrojtje shëndetësore të barabartë me punëtorët tjerë, edhe pse fëmijët e hoxhës nuk gëzonin shërbime shëndetësore pa pagesë, edhe pse nxënësit e medreseve nuk gëzonin shërbimin shëndetësor pa pagesë si nxënësit tjerë, megjithatë imamët akuzoheshin për hajni. Për shtetin e hekurt ishte lehtë të konstatojë hajdutërinë e imamëve, ka vjedhur diç imami apo nuk ka vjedhur. Për shtetin ishte e lehtë të konstatojë sa hoxhë janë milionerë, mirëpo kjo nuk bëhej, sepse po të bëheshin hetime figura e hoxhës do të pastrohej. Shteti vazhdimisht fuste huti nëpërmjet servilëve të tij, nxiste luftë psikologjike, dhe qarkullonte frazën se hoxha është hajn e mashtrues.

Pas hoxhëve, në thumb të kritikës ishte edhe rreshti i parë i falësve në xhami. Ata kritikoheshin me insinuatën se ata “të safit të parë janë spiunë”, “safi i parë janë mashtrues dhe hajna”, “ata deri dje kanë qenë kësi e asi”! Përse ndodh kjo? Sepse, pas imamit shteti kishte për qëllim t’i diskreditojë pasuesit më të mirë pas imamit, në mënyrë që të bindej opinioni se nuk është vetëm hoxha mashtrues, por edhe bashkëpunëtorët e tij janë mashtrues. Po ashtu, shteti synonte që nëse shpartallohej rreshti i parë, më nuk do të ketë besimtarë të rregullt.

Kundrejt të gjitha këtyre ngjarjeve shumica dërrmuese e besimtarëve heshtte, mendonte se me heshtje do të tejkalohet problemi. Nuk kishte mbrojtës së hoxhës, as të rreshtit të parë. Në këtë mënyrë luftohej imami, xhamia, xhemati, ndërsa besimtarët ose heshtnin ose bëheshin argatë të heshtjes, të gënjeshtrës, gjoja në shaka, por ata në një mënyrë bëheshin pjesëmarrës në gënjeshtër, pjesë e krimit. Kjo i dha të drejtë shtetit që nëpërmjet partizanëve të vet ta vendosin në qarkullim gënjeshtrën e radhës, se të gjithë besimtarët, liderët e tyre fetarë, xhamia, medreseja, janë në shërbim të mashtrimit, vjedhjes së popullit; feja është opium i popullit. Kjo nuk ishte vetëm atëherë, por edhe sot, ku njerëz të partive të ndryshme, vjellin vrer kundër fesë islame, kundër librit të shenjtë Kur’anit, kundër prijësve fetarë, imamëve dhe të gjithë atyre që i përkrahin ata.

Nëse në kohët e fundit i lexojmë apo dëgjojmë dashakëqijtë e Islamit, gazetarë e analistë, ish-marksistë e politikanë, fitojmë përshtypjen se imamët janë përçarësit e vendit, thua se ata janë kryetar e kryeministra, ministra e drejtorë; thua se imamët u bënë milionerë nga tenderët e shtetit. Gazetarët zënë në thua edhe kur imami thotë se vetëm muslimanët hyjnë në xhenet. Ata akuzojnë imamët përse ata thonë se Gonxhe Bojaxhiu nuk shkon në xhenet, se si Gjergj Kastrioti nuk shkon në xhenet, dhe akuzojnë rëndë imamët, madje bëjnë kërkesë publike që prokurori të marrë masa kundër imamëve të tillë. E çuditshme, as në kohë komunizmi nuk ka pasur presion të tillë publik. Vallë. Ç’i duhet Gonxhes xheneti i muslimanëve? Vallë, ç’i duhet Gjergjit xheneti i muslimanëve? Vallë, përse ngërmohen kaq shumë disa analistë e banalistë t’i çojnë në xhenet disa personalitete të diskutueshme, që disa i duan e disa jo?! Përse nuk mbetet në dëshirën e njerëzve se kënd do ta duan e kënd jo? Natyrisht, imamit nuk i jep të drejtë feja e tij të ofendojë, të përdorë fjalor të pistë gjatë ligjërimit.

Disa duhet t’u bëhet e qartë se imami nuk i ka themeluar fetë. Imami nuk i ka krijuar popujt, ngjyrat, gjuhët? Imami, i mësuar nga Kur’ani, thërret në mirëkuptim e njohje. Thërret në dashuri të ndërsjellë gjatë kësaj jete. Por, imami nuk e dërgon askënd në xhenet. Madje, as vetveten. Prandaj, akuzat ndaj imamit janë akuza ndaj fesë islame, e cila akuzohet dhe nga shteti shpjegohet se këto akuza janë në kufij të shprehjes së lirë. Si shprehje e mendimit të lirë konsiderohet edhe fjalori skandaloz i një gazetari shqiptar, i cili kërkon arrestimin e Kur’anit, bombardimin e Qabesë apo budallallëqe të ngjashme. Por, kur nga imami, nga muslimanët apo të tjerë preken disa tabu-tema tjera, e gjithë politika ngrihet këmbë dhe kërkon masa të rrepta kundër kritikuesve.

Anomalia shkon aq larg sa imami madje akuzohet edhe si fajtor për ngecjen ekonomike të vendit, ngërçin politik të partive, vjedhjet e votave në zgjedhje etj. Kinse, imami paska fuqi të ndikojë në ecuritë ekonomike e politike në vend. Thuajse ai ka mediat në dorë, ka forcën për të manipuluar rininë. Thuajse imami formon buxhetin dhe e distribuon buxhetin e shtetit.

Të gjorin imam askush nuk e pyet për asgjë, por i kërkohet llogari për sigurinë e lëkundur të vendit, për investimet e munguara në vend, madje imami akuzohet edhe për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës nga ca vende muslimane, e të cilat çdo ditë shahen publikisht nga qarqet politike, biznesore, kulturore etj.

Hilja e dytë

 Imami me moral e dinjitet të dyshimtë

“Bëj ç’të thotë hoxha dhe jo ç’bën hoxha”

Qysh si i vogël e dëgjoja nga të vjetrit sloganin “Bëj ç’të thotë hoxha dhe jo çka bën hoxha!”, dhe si fëmijë, i rritur në ambient hoxhallarësh, ky slogan më vriste veshin dhe mendjen. Por, ende isha i vogël të gjykoja drejtë e mirë. Këtë e thoshte edhe ndonjë i ashtuquajtur hoxhë kur zihej në zgrip dhe në vend që të braktiste ndonjë anomali vetjake në sjellje apo në të folur, ai arsyetohej me këtë thënie.

Duhet bërë me dije se kjo thënie ka gjenezën e vet nga qarqet antiislame, fillimisht serbe e pastaj edhe shqiptare komuniste, me qëllim të diskreditimit të imamit, xhamisë, Islamit, Kur’anit.

Islami kërkon nga besimtarët të bëjnë një jetë në këtë botë, dhe jo jetë të dyfishtë, private e publike, jo të mendojnë dhe veprojnë ndryshe 5 ditë pune dhe ndryshe për vikend. Islami kërkon nga pasuesit e vet që të sillen në përputhje me rregullat që vlejnë për të gjithë besimtarët gjatë gjithë javës, vitit, jetës. Islami nuk jep kurrfarë privilegjesh për imamët dhe detyrime të paarsyeshme për besimtarët e zakonshëm. Edhe nëse ndodh që imami të shkel ndonjë normë, ndonjë dispozitë, ajo nuk i falet si imam por trajtohet si shkelja e të gjithë besimtarëve tjerë. Imami duhet t’i përmbahet porosisë kur’anore: “O besimtarë, pse flisni atë që nuk e veproni. Tek Allahu është shumë e urryer ta thoni atë që nuk e punoni” (Es-Saff, 2-3), ose porosinë e njohur që së pari “këshillo vetveten e pastaj këshillo njerëzit.” Imami brenda mundësisë së tij, duhet të jetë shembull në besim, shembull në veprim dhe shembull në pikëpamje tjera.

Ata të cilët e përdorin këtë frazë me qëllime tendencioze, për të futur dilema tek masa e popullit rreth dinjitetit të imamit, apo të fusin dilema në adresë të fesë së imamit, ata kanë ikur larg realitetit. Allahu shpalli një fe për të gjithë, për imamin dhe joimamin, për qytetarin dhe fshatarin, për rininë dhe për pleqtë, për meshkujt dhe për femrat, për të gjitha racat, gjuhët, ngjyrat, dhe më i miri është më i devotshmi, e jo më i pasuri apo më i fuqishmi (Kur’ani, El-Huxhurat, 12).

Kjo tendencë ka synim të diskreditimit të personalitetit të imamit, zëvendësuesit të Pejgamberit a.s. Kjo tendencë ka synim që imamin ta vendosë ndër njerëzit e dyshimtë, mëkatarë, mashtrues.

Njerëz të caktuar nga institucione të caktuara (zakonisht të nëntokës) kanë prekur figurat më të larta muslimane. Madje, shpesh ka ndodhur që edhe kryetarët e fesë të përbuzen, duke thënë se nën pelerinën e tij, apo nën kapelën e tij fshihet kryqi apo libreza e partisë. Madje, kundërshtarët duken aq bindës sa që edhe trillojnë emra e data, që njeriu të mendojë se vërtetë është kjo që e thonë ata. Qëllimi i grupeve të tilla është që duke i baltosur disa imamë autoritativë ta largojnë xhematin nga xhamia dhe të krijohet një vakum mes njerëzve dhe Bashkësisë Islame. Në këtë mënyrë do të krijohej një bashkësi amorfe, e vdekur, me njerëz të dyshimtë e me besimtarë injorantë, lehtë e manipulueshme dhe lehtë e abuzuar.

Hilja e tretë

Imami si pengues i përparimit dhe integrimeve të vendit

 Një ndër anomalitë e shumta të shtetit dhe shoqërisë civile është edhe akuza ndaj imamit se me ligjëratat e tij nxit regresin shoqëror, ekonomik të vendit, sepse me ligjëratat e tyre imamët i orientojnë besimtarët në ndërtimin e xhamive, shkuarjen në haxhillëk, prerjen e kurbaneve e nuk flasin për ndërtimin e fabrikave, të shkollave, ambulancave etj. Ata kritikojnë imamin duke e mësuar se xhami në tokat shqiptare ka mjaft, madje tepër dhe në vend të xhamive duhet të ndërtojnë diç të nevojshme që i mungon Kosovës. Në fund të fundit, sipas tyre, fabrika ka përparësi kundrejt xhamisë. Është e çuditshme me këta: nuk flasim për miliona euro të taksapaguesve që shkojnë në dreka e darka të qeveritarëve, në vetura luksoze, në zyre mbretërore, nuk flasin për pallatet e qeveritarëve të tyre që mbin si kërpudhat pas shiut, nuk flasin për shpenzimet enorme të pritjes së Vitit të Ri gregorian, nuk flasin për vizitat e tyre në Vatikan për lumturime e shenjtërime, por përzihen në xhepin privat të besimtarëve, të cilët nuk ndjekin restorantet, hotelet, as nuk i kalojnë pushimet nëpër qendra turistike botërore por për shpirtin e tyre ndajnë ca lekë duke ndërtuar xhami apo duke shkuar në haxh. Imami apo besimtari, edhe pse kontribuues në taksat e tubuara, nuk pyetet për asgjë, por kritikohet për gjerat që nuk ka të drejtë t’i diskutojë apo shqyrtojë. Imamit iu uzurpua pasuria e vakufit, imami u vendos në margjina të jetës, dhe ai sërish është përgjegjës për problemet e shumta të  shoqërisë. Për imamin, sipas tyre, vlen një rregull: ose psssttt, ose akuza të tjera pa të drejtë fjale.

Lidhur me të thënat lart kemi edhe një hile të veçantë në adresë të imamit, e ajo është akuza për radikalizëm, përkatësisht, imamët aktual akuzohen se janë radikalë në bindjet, ligjëratat dhe veprimet e tyre. Është e pandershme të thuhet se nuk mund të ketë ndonjë element radikal kur brenda vetes ke qindra punëtorë. Nëse kësaj gjendjeje ia shtojmë edhe krizën e pasluftës dhe krizën e identitetit, nuk duhet të çuditemi nga ndonjë rast të izoluar radikal. Por, të akuzohen imamët institucionalisht për radikalizëm, të akuzohen imamët në përgjithësi për ekstremizëm është e padrejtë. Për më tepër që disa emra të apostrofuar nga shteti apo shoqëria civile kanë qenë me vite imamë të privilegjuar të politikës, të televizioneve; ata posedonin shengen-viza, udhëtonin majtas e djathtas, madje disa sosh merrnin pjesë edhe nëpër ahengje të përbashkëta. Pa dashur ta amnistoj Bashkësinë Islame, sepse nuk jam zëdhënës i saj, por e di që ajo nuk jep viza, as nuk lëshon dokumente udhëtimi, as nuk e kontrollon doganën, as iu ka dhënë leje për hapje të shoqatave e fondacioneve për bamirësi e arsim, për shëndetësi apo sport. Madje, shteti i mbrojti disa ekstremistë (ose njerëz të tyre) kur imamët e vijës së drejtë u rrahën, u ofenduan. Emrat e të dëmtuarve i dimë të gjithë. Emrat e ekstremistëve duhet t’i dijë shteti.

Prej më herët idetë radikale nuk kanë gjetur vend të përshtatshëm brenda Bashkësisë Muslimane, as brenda vetë imamëve. Imamët e vendit, të gjendur mes Evropës, kanë përdorur një metodë të pranueshme. Ekstremistët me kohë janë neutralizuar, kurse të përgjumurit i kanë zgjuar. Kompromisi i tyre ka qenë brenda Islamit, madje i ushqyer me Kur’an dhe Hadithe. Ata udhëhoqën besimtarët me autoritet moral, pa mekanizma shtetëror, pa mekanizma represiv. Ajo që ndodh sot është dorë e politikës, e partive e OJQ-ve, që veprojnë brenda ligjit, por që udhëhiqen nga sponsorë të padukshëm; përkatësisht udhëhiqen nga fonde të pista nga shtete të fuqishme, të cilët qeveritë shqiptare në Shqipëri e Kosovë, nuk kanë as njohuritë e nevojshme, as guximin e duhur t’i ndalojnë e pengojnë. Ata ndihmohen fuqishëm nga mediat si televizionet, radiot, gazetat, portalet e rrjetet sociale. Megjithatë, imami jonë, edhe në këtë kohë, është i vetëdijshëm, i ndërgjegjshëm dhe me urtësi menaxhon gjendjen në terren, vetëm me autoritetin e ligjëratës dhe shembullin e tij prej individi. Theksoj fuqishëm, rastet e izoluara janë reaksion, janë produkt i shtypit dhe televizioneve dhe pasioneve personale e assesi produkt i mësimeve islame dhe predikimeve të imamëve.

Hilja e katërt

Kufizimi i veprimtarisë së imamit brenda xhamisë

 Gjatë paraqitjeve publike të analistëve apo politikanëve të vendit vërejmë “ekspertë” të shumtë duke këshilluar (lexo: urdhëruar e kërcënuar) se ç’duhet të bëj imami, si të veprojë, si të predikojë. Ata e marrin në pyetje imamin për dështimet politike, për sigurinë e brishtë në shoqëri, por edhe i thonë se ai duhet të qëndrojë brenda xhamisë. Madje, edhe brenda xhamisë ai nuk duhet, e edhe nuk bën të prekë tema shoqërore, politike, kulturore, madje as mos të komentojë Vitin e Ri gregorian, Shën Valentinin etj. I thonë imamit që të bëhet evropian sepse Perëndimi është i përparuar, e jo lindor, sepse Lindja është e prapambetur, regresive etj. Pra, me politikë e shoqëri bën të merret mjeku, juristi, bujku, femra, fëmijët, por nuk bën të merret imami. Madje, me politikë mund të merret shoqata e peshkatarëve, qenaxhinjve, flutraxhinjve e lloj lloj fondacionesh të Karitasit, Shën Exhidios, Shën Savës, por jo edhe imamët dhe organizata e tyre. Meqë Bashkësia Katolike nuk e pyet shtetin kurse të ardhurat i marrin nga jashtë, meqë Bashkësia Ortodokse as që e njeh edhe si shtet Kosovën kurse të ardhurat i ka nga qeveria e Kosovës dhe Dora e Zezë, shteti dhe filialat e saj i vërsulen Bashkësisë Muslimane, shumicës dërrmuese por jetime, pa nënë e babë, që të heshtë brenda xhamisë, duke u marrë me rituale. Nëse ndodh e kundërta, ata do të sulmohen nga lart poshtë dhe nga poshtë lart; do të quhen tradhtarë, neotomanistë etj. Madje, do të organizojnë ca “burracakë” para kamerave televizive që të qajnë nga frika se profesoresha e matematikës, me shami, do të mund t’i mësojë për fe fëmijët e këtyre burracakëve. Sa e mjerë për organizatorët e këtij turpi; nuk kanë frikë nga “mini-fustanet” e “hellonkat” e shumë mësueseve, nuk kanë frikë nga duhani,alkooli, droga e shtrigat, nga babadimrat fantazmë, që reklamohen në të gjitha nivelet, por kanë frikë nga shamia e muslimanes (që është veshje edhe e nënave e lokeve të tyre) dhe kanë frikë nga imami i anatemuar dhe ekskomunikuar nga shoqëria, që ende, dy dekada pas luftës, funksionon pa ligj të miratuar nga shteti, jo me fajin e imamit.

Imamin e quajnë rrënues të shtetit. Akuzë e ashpër imamëve iu bëhet edhe kur apostrofohen se ata janë rrënues të rendit shekullar të vendit, rrënues të multi-kulturalizmit shoqëror. Së pari, Bashkësisë Islame, prej largimit të Perandorisë osmane, në vazhdimësi iu plaçkit pasuria e paluajtshme dhe ajo e luajtshme. Iu morën mijëra hektarë tokë punuese vakufi, qindra objekte vakufi dhe iu rrënuan qindra objekte fetare (xhami, varreza, zyre, teqe, tyrbe, imarete, çezme publike etj.). Gjatë luftërave e kurdisjeve të ndryshme iu vranë dhjetëra imamë, iu burgosën qindra imamë, qindra nxënës medreseje etj. Dhe këta që u vranë e u torturuan quhen rrënues, kurse vrasësit e shpallin veten për pajtimtarë, kontribuues të paqes, iluminues. Së dyti, nëse do të duhej kritikuar dikush atëherë shteti dhe shtetarët e meritojnë këtë, sepse thuajse çdo fazë historike, shteti dhe shtetarët ishin kolaboracionistë, kolona e pestë. Imami nuk ishte zyrtar në asnjë fazë historike. Kurrë nuk varej fati i ndonjë institucioni shtetëror ose arsimor prej imamit, prandaj edhe sikur imami të kishte natyrë rrënuese, ai nuk do të kishte kapacitete për të rrënuar.

Vallë, përse këto akuza? Sigurisht për arsye që të mbulojnë të bërat e të palarat e veta. Duke akuzuar e kritikuar imamët e fenë islame, kanë menduar të mbulojnë gjurmët e veta të rrënimit, të pasurimit të paligjshëm, të tradhtisë nacionale. Imami edhe aktualisht nuk është sundues, ai nuk është qeverisës, ai nuk është faktorë orientues, pos shërbëtor dhe mësues, me të vetmit mekanizëm: këshillën gojore dhe librin. Por, nëse Bashkësia Islame dhe imamët nuk duan qeverisje, kjo nuk domethënë se atyre duhet t’ua mbyllim gojën ndaj padrejtësive, dhunës, korrupsionit, akulturimit, asimilimit etj.

Hilja e pestë

Imami si trillues i islamofobisë dhe fajtor kujdestar për të gjitha të këqijat

Njëra ndër hilet ndaj imamit dhe institucionit ku ai punon është se pa nevojë përhapin lajmin që segmente të caktuara të shoqërisë janë islamofobe. Ata akuzohen që me reagimet e tyre, me ligjëratat e tyre po flasim diç që nuk ekziston. Me këtë veprim imamët krijojnë defetizëm në shoqëri, luhatin stabilitetin e shtetit dhe kalojnë në anën e armikut!

Do të pajtoheshim me mediat sikur imami në mënyrë institucionale të vepronte kësisoj. Por, le të dëgjojmë televizionet e ndryshme, le të shfletojmë gazetat e revistat e shumta, le të hapim librat shkollorë, nga çerdhja e deri tek ata universitarë apo edhe të akademisë. Le të shohim çfarë shkruhet për fenë e imamit, për Kur’anin e imamit, për të dërguarin e imamit, për liderët fetarë më herët dhe sot, për kolegët aktual të imamit, dhe do të vijmë në përfundim se pozita shoqërore e imamit nuk ka ndryshuar për të mirë krahasuar me kohët e kaluara të Mbretërisë sllave, të komunizmit sllav. Thjesht, imami është fajtori kujdestar për çdo gjë. Edhe pse imami është pjesë e fesë shumicë dërrmuese, trajtimi i tij është skandaloz. Imami nuk guxon të deklarohet për situatën politike, as ekonomike, sepse kjo qenka jashtë domenit të tij. Imami nuk guxon të trajtojë dukuritë negative shoqërore, sepse kjo qenka jashtë trendit botëror, por edhe imami nuk është i kualifikuar për analiza e mendime! Imami nuk guxon të shkruaj për Gjergj Kastriotin ndryshe pos si e ka përcaktuar korniza zyrtare ideologjike, sepse ky qenka atakim i identitetit tonë kombëtar e historik! Imami nuk bën të flet për Gonxhe Bojaxhiun sepse ajo qenka humaniste e përmasave botërore! Çfarë duhet të bëjë imami sipas tyre? Ai duhet të duartrokas në fjalimet e politikanëve, ai duhet të zgërdhihet para tyre, ai duhet të qëndrojë indiferent kundrejt dukurive shoqërore sepse s’ka vend për të. Kështu, drejtpërdrejt, nuk ka atakuar as Millosheviqi, as Tito, as mbretëria SKS, kur imami nuk është pajtuar me politikat e tyre, me devijimet shoqërore të kohës.

Ata harrojnë se imami në çdo fazë historike ka qenë shtyllë e shoqërisë. Në rast lufte ai nuk iku siç bënë shumë të tjerë. Ai në rast lufte i shërbeu vendit dhe nuk u pasurua me miliona siç ndodhi me politikanë, gazetarë, intelektualë. Në rast krizash, ai manifestoi qëndrime të qarta politike dhe jo ekuivoke siç ndodhi me shumë të tjerë. Por, në kohë paqe, imami është i tepërt. Ai injorohet nga politika, ai injorohet nga ekonomia, ai injorohet nga ligji, ai injorohet nga shkenca.

Sa herë është theksuar se kur shoqëria ka një krizë të caktuar shteti do të gjej fajtorin kujdestar. Përse? Sepse shteti ia mjegullon sytë opinionit me dredhitë e veta, duke e adresuar problemin diku tjetër e jo në dështimet e veta. Opinioni jokritik, e ha karremin dhe bëhet lodër e politikës ditore. Ai harron koston e  shtrenjtë të jetës. Ai harron mungesën e energjisë elektrike. Ai harron papunësinë. Ai harron paperspektivën e vet, sepse bie në kurth të hileve të qeverisë dhe atakon imamin dhe institucionin e tij, sepse vetëm këto janë të pambrojtura. Atë e sulmon çdo prepotent, çdo skizofren, çdo i pashpresë dhe me këtë fiton pika politike, madje quhet atdhetar, pse jo edhe me ndonjë pozitë të mirë apo pension.

Ka frikë që imami të akuzohet edhe për fjalën e tij prej imami, për gjykimin e duhanit, alkoolit, prostitucionit, korrupsionit, trafikimit, vrasjeve, për instrastrukturën e dobët rrugore, rrugët e pamirëmbajtura, për mungesën e kapakëve të pusetave të kanalizimeve, për shtrenjtimin e energjisë elektrike, për vlerësimet negative nga EU për mosfutje në Evropë etj etj. Vallë, ka kush nga njerëzit me pozitë politike, shoqërore, intelektuale t’i thotë stop kësaj islamofobie!

Po e përfundoj këtë mendim-reagim me fjalët e gazetarit anglez të gazetës më të madhe angleze Daily Star, Richard Peppiatt, i cili para komisionit hetues, me rastin e dorëheqjes nga puna prej gazetari, pohoi: “Jam lodhur nga shpifjet për muslimanët”./ SHENJA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne