Himara, i fortë shteti apo minoriteti? Greqia kërcënon me veto në BE

Presidenti i Greqisë Prokopis Pavlopoulos vijon me deklaratat e forta ndaj Shqipërisë, pavarësisht fjalëve të Ministrit të Jashtëm se jemi gati që të zgjidhim çështjet e vjetra mes dy vendeve. Referuar konfliktit në Himarë mes qeverisë dhe banorëve për pronat, ai tha se Shqipëria duhet të respektojë të drejtat e njeriut, nëse synon integrimin në BE.

Prokopis Pavlopoulos shkoi edhe më tej duke kërcënuar se është Greqia që vendos për vendet që integrohen në BE nga Ballkani. “Si vend përgjegjës në Ballkan, që ka detyrim të vendosë se kush mund të bëhet anëtar i BE, Greqia nuk mund të heshtë për sjelljet e Tiranës, që po minon vetë perspektivën evropiane.

Ne duam perspektivën e Shqipërisë për të ardhmen në BE dhe e dimë që në kohë të vështira grekët dhe Greqia i kanë qëndruar pranë. E përjetuam këtë gjatë stinës së verës. Sepse ne fikim zjarret reale që ndizen.

Por, kjo nuk mund të jetë një miqësi që kushton në mënyrë të njëanshme. Shqipëria duhet ta perceptojë këtë dhe sidomos udhëheqja e sotme e saj, që fatkeqësisht çdo ditë jep shembuj që nuk i përkasin vetëm Greqisë në veçanti, por në përgjithësi shembuj të cilët nuk i përshtaten një shteti anëtar kandidat për BE” deklaroi ai.

Por qeveria shqiptare është e vendosur që projekti i Himarës do të zbatohet. Zv. ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Artan Shkreli deklaroi në një takim dje me banorët se “Është menduar nga qeveria shqiptare, me mbështetjen e pushtetit lokal, që ky projekt për rikualifikimin urban të shërbejë edhe si një projekt pilot për regjistrimin e pronave të njerëzve që kanë pretendime.

Bëj një apel të fundit në mënyrë që sot një javë të jenë në dispozicion të këtyre pretendentëve për prona të cilët kanë dokumentet. Ti paraqesin këto dokumente të enjten tjetër në mjediset që do të vërë në dispozicion bashkia. Një gjë është e qartë dhe e sigurt që ky projekt do të vazhdojë dhe nuk ka kthim prapa të projektit”, nënvizoi Shkreli.

Konflikti në Himarë vijon prej disa muajsh. Banorët janë ngritur në protesta herë pas herë duke e kundërshtuar fuqishëm projektin, por qeveria ka deklaruar se të gjitha familjet që preken do të dëmshpërblehen dhe shëtitorja do të realizohet.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne