Gëzimi, mirënjohja, durimi dhe këmbëngulja janë tiparet kryesore që shikon tek 32 vjeçari Jetmir Hila, i cili është paralizuar që kur ishte bebe e porsa lindur nga një temperaturë e lartë.

Ai sot dëshiron të jetojë i pavarur edhe pse është para dhe tetraplegjik, madje ka edhe vështirësi në të folur. Ka mbaruar një kurs grafik/ design dhe punon i pavarur për të bërë kartëvizita dhe postera të ndryshëm.

“Unë kam nevojë, nuk ka nevojë klienti. Klienti do punën, po nuk ia bërë mirë nuk të vjen më. Mundohem të punoj natën, nga ora 11 i natës deri në 3 të mëngjesit”, shprehet për Report Tv Hila.

Jetmiri e ka të lidhur ngushtësisht jetën me motorin e tij. Madje ai ia u çon vetë porositë klientëve. Në kursin ku mori pjesë u regjistruan 40 pjesëmarrës, prej tyre vetëm 5 e përfunduan dhe Jetmiri u shpall më i miri.

Por ai nuk mjaftohet me kaq. Edhe pse është 32 vjeç dhe është më i madhi i klasës, ai ndjek arsimin e detyruar dhe është në klasën e katërt, ku dhe po mëson dhe gjuhën angleze. Ai bën edhe terapi logopedie, për të përmirësuar komunikimin. Madje zgjohet çdo ditë në orën 5 dhe fillon aktivitetin e ditës me lutje, duke qenë se është besimtar mysliman.

“Unë çohem në 5 të mëngjesit. Fal sabahun dhe në 6 mëngjesit dal për në shkollë. Duhet të jem në 8 pa 5 në Laprakë për të shkuar në shkollë në Vorë”, na tregon ai.

Jetmiri ka një mesazh të fortë për të gjithë. Edhe pse i kufizuar fizikisht, për të nuk ka limite që të ofrojë më të mirën dhe të jetë i zoti i vetes. Madje ai bën edhe detyrat që i takojnë në familje.

“Mua më pëlqejnë shumë gjëra. Dua të kem mundësi të ndihmoj të tjerët. Të kem mundësi të punoj e ndihmoj veten time. Të mos i bie në qafë njeriu”, shprehet 32 vjeçari Jetmir Hila.

Ëndrra e Jetmir Halmit është të shkojë në Haxh, të krijojë familjen e tij si edhe të jetë një dizenjues shumë i mirë. /Shqiptarja.com

19