Holanda refuzon idenë e Macron dhe Merkel për ushtrinë evropiane

Ministrja holandeze e Mbrojtjes, Ank Bijleveld, deklaroi se qeveria e vendit të saj kundërshton themelimin e “ushtrisë evropiane”, raporton Anadolu Agency.

Bijleveld tha se vizioni i kancelares gjermane, Angela Merkel dhe i presidentit francez, Emmanuel Macron, për një “ushtri evropiane”, shkon “shumë larg”. Ajo theksoi se Holanda mbetet përgjegjëse për zhvillimin e ushtrisë së saj.

Bijleveld shtoi më tej se Holanda nuk është i vetmi shtet që kundërshton këtë ide, duke thënë se ka edhe vende të tjera që kundërshtojnë ushtrinë e BE-së.

“Kur të shfaqet nevoja, armata holandeze është e gatshme të bashkëpunojë me NATO-n dhe BE-në, mirëpo vendi nuk është i varur nga ata”, tha Bijleveld.

Ditë më parë, kancelarja gjermane, Angela Merkel, bëri thirrje për formimin e një ushtrie evropiane, me pretekstin se evropianët nuk mund të mbështeten vetëm te SHBA-të kur është në pyetje siguria e tyre.

Më herët edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi se themelimi i një ushtrie evropiane do të zvogëlojë varësinë nga SHBA-të.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne